Hidromorava

Turp, për kë?

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Flaka Surroi …apo rrëfimi mbi kontestimin e realizimit të një të drejte që Kosova shoqëri prej kohësh ua ka mohuar të anatemuarve, viktima të dhunës seksuale në luftë.

“Mbi të!, urdhëroi komandanti apo ç’gradë ushtarake duhej të kishte pasur ai me zërin e ngjirur. Mbi të, urdhëroi ai sërish dhe ushtarët, pesë dhjetë ose kush e di sa, Mirja nuk mund të numëronte më dot, kërcyen mbi turpin e saj duke përzier trup e këmbë e gjoks e baltë e kokë e lot e zjarr në oborr. Çdo gjë dukej të ishte e kotë, edhe përpëlitja, edhe britma, edhe rezistenca … Edhe për Shkurtën që shikonte me bisht të syrit duke e lyer trupin me blozë me hi e me baltë të oborrit. Ushtarët bëheshin të ishin të zënë me të tjerat, me Rrushen me Miren, me Galën, ne Cubën, me Ulkijen, me Zizen, me Buten, me Kumrien … Shkurta nuk i dinte më emrat e të tjerave që përpëliteshin në oborrin me ujë e me zjarr e me hi e me ushtarë e me policë. Pastaj ajo e pa afrimin tyre me vringëllimën e armëve” (…)

Me vetëm njërin nga shumë citatet që përshkruajnë tmerrin e përjetuar nga gratë gjatë luftës së fundit në Kosovë, e të cilin e huazova nga libri “Guri i vashës”, shkruar nga Binak Kelmendi (KOHA, 2012), mbase do të mund të ilustrohej, po të doni edhe sipërfaqësisht, poshtërimi të cilit i ishin nënshtruar me dhunë shumë më shumë gra, por edhe burra e fëmijë. Poshtërim që krijoi shumë viktima të dhunës seksuale, e që pas katërmbëdhjetë vjetësh, doli të shndërrohej në objekt diskutimi e mospajtimesh në Kuvend.

Nuk ka se si të mos pranojmë se si shoqëri jemi vonuar shumë, shumë me trajtimin e kësaj teme kaq të ndjeshme. Për më tepër, jemi vonuar edhe më shumë me ofrimin e përkujdesjes institucionale ndaj viktimave civile të luftës, e posaçërisht, nëse më lejohet të thuhet, të kësaj kategorie. Dhe sipas maksimës “më mirë vonë se kurrë”, është megjithatë shumë mirë që kjo temë të ketë dalë në opinion, në formë të një Projektligji të propozuar nga “Vetëvendosje!”. Për shkak se që nga mbarimi i luftës, Kosova thuajse i harroi të gjitha vuajtjet e viktimat; thuajse tmerret kurrë nuk kishin ndodhur; thuajse atyre të cilët ishin keqtrajtuar t’u ishte mohuar e drejta për të folur, për shkak se mentaliteti patriarkal dhe primitiv, dhunimin e një gruaje e sheh ose si faj të sajin, ose si turp që ajo i ka shkaktuar familjes. Dhe, debati që u zhvillua në Kuvend, pak a shumë i ngjante sekuencës tjetër nga libri i Binakut, të cilën nuk kam se si të mos e citoj:

“Dhe Drandja këmbënguli të fliste: Ata janë zërat e dëshmive për rezistencën verbale e fizike ndaj përdhunimit seksual që janë gjetur aty dhe zërat e atyre që kanë bërë atë përdhunim. Të gjitha janë pjesë përplotësuese e dëshmive të tjera materiale që i kemi gjetur, grumbulluar dhe specifikuar nëpër thasë plastikë me numrat dhe me emrat e viktimave.

– Viktima do t’iu themi?

– Pse, si t’iu themi ndryshe?

– Mos është herët t’i quajmë kështu, “viktima“, si po thua ti?

– Herët? Pse, si do t’i quajmë ndryshe ato të gjorat, e edhe mua bashkë me to, nëse nuk i quajmë me emrin e vërtetë viktimat e epshit shtazarak të njeriut, “të përdhunuarat seksuale të luftës me paramendim e qëllim“, madje fare pa thonjëza?, pyeti Drandja duke e vërejtur me shumë habi Lizën.

Liza e shikoi me përgjërim, u gëlltit me vështirësi, pastaj bëri të ecte drejt dritares nga kishte hyrë një rreze drite për ta parë atë pjesën që i dukej më interesantja dhe më e gjalla e qytetit, por u ndal përnjëherë, dhe me zë krejtësisht të ulur, sikur të turpërohej çfarë po i thoshte, i pëshpëriti mu te veshi:

RCCOLA

– Ndoshta do të ishte më mirë dhe më oportune sikur të quheshin “fatkëqijat”, “të goditurat“, “të aksidentuarat“, “përjetueset e rastësishme të ngjarjes fatale“, ose diçka ngjashëm, si do të thoshe ti?. Nuk e di me saktësi, por po them, ndoshta të ishte më mirë. Më në fund kjo ngjarje pritet të cilësohet e të klasifikohet nga të tjerë, më kompetentë, dhe jo vetëm nga unë e ti. Është mirë të zvogëlojmë disi përmasat e saj, ose, të paktën, të përpiqemi ta bëjmë në një mënyrë tjetër këtë. Jo për ndonjë gjë, por vetëm për të ardhmen që vjen. Ulja e gjakrave bën mirë …

– Kush nga të tjerë, më kompetentë, nëse, nëse nuk cilësohet nga unë pikësëpari?, pyeti me vendosmëri, pothuaj me hidhërim Drandja. Atë që e kam e përjetuar unë, nuk ka si ta cilësojë më mirë tjetri që e ka dëgjuar vetëm rrëfimin apo që ka parë vetëm ndonjërën nga provat.

Nuk e di. Ndoshta do të merret në konsideratë edhe mendimi yt, por janë specialistë të tjerë ata që vlerësojnë ngjarje, data, zhvillime, tha me një zë të vrarë Liza duke iu afruar Drandes” (…).

Dhe pikërisht fjalia e fundit e këtij citati mbase është më përshkruesja e qasjes që ia dhanë debatit disa nga deputetët e partisë më të madhe politike të përfaqësuar në Kuvend, madje duke sugjeruar që numri prej 20 mijë grash të dhunuara (sipas një statistike të mbledhur kryesisht nga OJQ-të) të kontrollohej nga gjinekologu, madje 14 a 15 vjet më vonë, për të konstatuar nëse janë dhunuar apo jo. Për më keq, propozimi i tillë doli nga goja e një deputeti që ka diplomë mjeku, dhe i cili do të duhej të dinte mirë se ekzaminimi pas 15 vjetësh nuk mund të dëshmojë asgjë. E nëse nuk ka qenë i sigurt për këtë, do të duhej ta kishte konsultuar patologun, përkatësisht mjekun ligjor: me siguri ky do t’ia kishte sqaruar shkencërisht se e ka gabim dhe se me atë deklaratë vetëm sa i ofendon këto viktima.

Çka po fshihet pas votimit “kundër” të madje 14 deputetëve të PDK-së, si dhe 15 të tjerëve, përfshirë edhe disa deputete, e që nuk është motivi financiar dhe mungesa e buxhetit për përkujdesjen e këtyre viktimave që mbase edhe nuk do të paraqiten kurrë për ta marrë atë. Përse mohimi kategorik i një fenomeni të poshtër që është i dënueshëm si në paqe, ashtu edhe në luftë, e posaçërisht në luftë, kur shndërrohet në një krim lufte që nuk parashkruhet kurrë dhe që duhet ndjekur deri në fund, ashtu që dhunuesit, kushdo qofshin ata, të identifikohen dhe ta marrin dënimin e merituar.

Pse pengimi që procesi të shkojë deri në fund, e që të anatemuarat madje edhe nga vetë familjet e tyre të përkrahen bile financiarisht për ta pasur një jetë pak më të dinjitetshme sesa atë që e jetojnë, e të cilën na e rrëfyen dy gra të dhunuara në emisionin “Anima” para disa javësh. Për t’ua mbrojtur identitetin, autorja e emisionit u detyrua që t’ua “shtrembërojë” zërat dhe t’ua mjegullojë fytyrat – ashtu që nesër të mos e kthenin gishtin nga to, për t’i shënjuar për “turpin” që ua kishin shkaktuar familjeve. Thuajse ato e kërkuan fatkeqësinë, thuajse ato ia provokuan vetes tragjedinë.

Pas gjithë këtyre vjetëve, mbase nuk do të ketë shumë të tilla që do të lajmërohen për ta marrë përkrahjen financiare që do t’u takonte me ligj, sepse me siguri shumica do të frikësohen se do të mund t’u zbulohej identiteti, sepse nuk ka garanci se baza e shënimeve do të ruhet me “tepër konfidenciale”. Të tjerat mbase do të konsiderojnë se kompensimi monetar nuk do të mund as t’u ndihmojë ta zbusin neverinë dhe traumën që do t’u ketë shkaktuar përvoja. E tjerat do të parandalohen nga burrat “e shpisë” që të dalin e “të ekspozohen”, sepse “marren duhet mbajtur në shtëpi”.

Mbase në këtë kishin aluduar personat që kishin vendosur fillimisht ta kërcënonin e më pas edhe ta sulmonin fizikisht Nazlie Balajn, aktiviste të të drejtave të njeriut dhe anëtare të VV-së. “Tlutemi mos e mproj turpin se tpret plumi n’ball” u shndërrua në sulm fizik ndaj njërës nga përkrahëset e personave të dhunuar gjatë luftës – sulm, i cili supozohet se ka ndodhur pikërisht për këtë.

Dhe sinqerisht, fare nuk është me rëndësi se përse Nazlia është femër dhe përse është sulmuar pas shpine. Sepse është njësoj denigrues çfarëdo sulmi kundër kujtdo qoftë që e mbron një kauzë të drejtë – e që në këtë rast janë të gjithë të dhunuarit, përfshirë edhe burrat e edhe fëmijët. Sepse nuk janë viktimat ato që duhet të turpërohen për të keqen që u ka ndodhur, por duhet të turpërohemi ne, si shoqëri, që kurrë nuk patëm as veshë për t’i dëgjuar, e as kohë për të ndarë me ta që t’i qajnë hallet me ne. Duhet të turpërohemi që nuk e patëm as dëshirën, e as vullnetin për t’u ndihmuar bile pak. Mbase ky është momenti që t’u revanshohemi me një grimë kujdesi institucional.

P.S. – Falënderoj Binakun që pa plan u bë bashkëshkrues i kësaj kolumne – por libri i tij është mbase rrëfimi i parë, i prekshëm dhe i rëndë, për një ngjarje që, siç e thotë ai, “nuk ka shpjegim pse më së shumti na vjen turp ta rrëfejmë, sado që ajo është zhvilluar katërçipërisht para syve tanë, dhe ndoshta edhe pas syve tanë. Ndaj nuk duhet harruar dhe nuk duhet ardhur keq e as turp për ta treguar kurdo”.