Kamenica miraton emërtimin e sheshit “Metush Krasniqi” në 100-vjetorin e lindjes së heroit
Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar njëzëri propozim-vendimi për rifreskimin e listës rezervë të emërtimeve të rrugëve, rrugicave dhe hapësirave publike në territorin e komunës.
Mbledhjen e hapi kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, anëtarët e Kuvendit Komunal, drejtorë komunalë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe pjesëmarrës të tjerë.
Në rend dite ishte vetëm një pikë, që lidhet me procedurat për përditësimin e listës rezervë të emërtimeve të hapësirave publike.
Duke arsyetuar propozimin, kryetari Kadri Rahimaj theksoi se vendimi ka rëndësi të veçantë simbolike, pasi lidhet me shënimin e 100-vjetorit të lindjes së heroit dhe mësuesit Metush Krasniqi, personalitet i njohur për kontributin e tij në arsim dhe në çështjen kombëtare.
Rahimaj bëri të ditur se më 19 gusht synohet të bëhet emërtimi zyrtar i sheshit me emrin “Metush Krasniqi”, si shenjë nderimi për jetën, veprën dhe trashëgiminë e tij.
“Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së heroit Metush Krasniqi, synojmë që më 19 gusht të bëjmë emërimin zyrtar të sheshit ‘Metush Krasniqi’. Kjo është një mënyrë për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për arsimin dhe çështjen kombëtare”, deklaroi Rahimaj.
Ai shtoi se ruajtja e kujtesës për personalitete të tilla është e rëndësishme edhe për brezat e rinj, duke shprehur dëshirën që shoqëria të vazhdojë të kultivojë figura të përkushtuara dhe frymëzuese.
Pas shqyrtimit dhe diskutimit, propozim-vendimi u miratua unanimisht me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit Komunal.
Vendosja e emrit të Metush Krasniqit në një hapësirë publike të Kamenicës synon të jetë jo vetëm një akt institucional nderimi, por edhe një formë e ruajtjes së kujtesës historike dhe e përcjelljes së vlerave të tij arsimore e kombëtare te gjeneratat e ardhshme./rajonipress/

