KKVITI

Tribunali pa Thaçin

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Deputetët votuan për themelimin e Gjykatës Speciale. Dhe më në fund bënë mirë! Edhe po të votonin kundër, prokurori amerikan Clint Williamson nuk do të mbetej “pa punë” në Kosovë, pasi edhe ashtu Gjykata do të themelohej nga instancat më të larta ndërkombëtare (KS të OKB), pa e pyetur fare Kuvendin.

Kështu, më mirë të vendosim vet për Gjykatën, sesa të vendosin të tjerët për ne. Kërkesa që Tribunali të kalojë në Kuvend është bërë për të matur gatishmërinë politike vendore për këtë çështje, jo që ndërkombëtarët do të kishin hequr dorë nga themelimi i saj.

As Williamson-i nuk do të vinte me mision të hetimit në Kosovë, as nuk do të themelohej fare një Gjykatë Speciale, nëse gjykatat e vendit do ta kryenin si duhet punën dhe misionin e vetë.

Gjykata Speciale vjen si rezultat i dështimit të gjykatave vendore, të cilat edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës nuk treguan kapacitetin, guximin dhe kurajën që t’i hetojnë krimet e tilla të supozuara.

Gjykatat e Kosovës në vazhdimësi u treguan të dobëta ndaj disa individëve tepër të fortë, atyre më me shumë pushtet se gjykatësit e prokurorët, prandaj më me dëshirë zgjodhën që të merren me raste të lehta. Individët e veshur me pushtet politik dolën të jenë të paprekshëm nga drejtësia edhe kur akuzoheshin për krim dhe korrupsion.

Nëse bëjmë një analogji, realisht aspak më mirë nuk vepruan as gjykatat serbe në lidhje me krimet e luftës, pavarësisht se ushtria dhe policia serbe kryen krime të tmerrshme në Kosovë. Megjithatë, për dallim nga ne, ata në momente të caktuara ditën ta shesin më mirë punën e tyre.

Dënuan disa nga kriminelët e luftës, duke i bërë mbulesë shumë kriminelëve të tjerë, të cilët ende shëtisin të lirë, madje edhe udhëheqin me strukturat shtetërore të sigurisë në Serbi.

Eco Higjiena

Krijimi i Tribunalit për krimet e supozuara të UÇK-së është e ndër të këqijat më të vogla që i kanë ndodhur Kosovës për një dekadë e gjysmë.

Më i dëmshëm për shtetin, mendoj se ka qenë krijimi i asociacionit të komunave serbe, e cila u krahasua me “Republika Srpskën” dhe që u votua nga Kuvendi.

Megjithatë, për asnjë temë tjetër nuk u ngritë më shumë pluhur sesa për Tribunalin. Në këtë drejtim kontribuoi jashtëzakonisht shumë edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili si naivisht doli me deklaratën kontradiktore se Tribunali është i dëmshëm për Kosovën, por se megjithatë deputetët e partisë së tij do të votojnë pro kësaj Gjykate.

Ai nuk është zgjedhur kryeministër për të marrë vendime të dëmshme për shtetin, por përkundrazi, do të duhej të merrte vendime të favorshme. Shumë më mirë do të bënte po qe se do të deklarohej se deputetët e PDK-së do ta votojnë kundër Tribunalit, pasi që si udhëheqës i lartë shtetëror nuk dëshiron ta japë mesazhin se po e pengon drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë. Tribinali më në fund do të na vinte edhe pa Thaçin.

Deklarata e shefit të Qeverisë më shumë u kuptua dhe u komentua se ai e ka siguruar veten, për të mos qenë pjesë e hetimeve, ndërsa të tjerët, në dorë të Zotit. E se në asnjë mënyrë , një Gjykatë shtesë në sistemin e drejtësisë, qoftë edhe ajo Speciale, nuk do të jetë në disfavor të Kosovës.

Tek e fundit mos ta paragjykojmë se një Tribunal i tillë do ta njollosë luftën e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj. Përkundrazi do ta kthjellojë mjegullnajën e senatorit Dick Marty që rëndon mbi Kosovën. Kemi fakte se Gjykata e Hagës i gjykoi, madje edhe e rigjykoi Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn dhe disa bashkëluftëtarë të tyre dhe në fund i shpalli të pafajshëm.

Norma të tjera në sistemin e drejtësisë nuk besoj se do të mund të ndjekë edhe Tribunali i sapokrijuar.