Fundamenti

“Trepça” e rrezikuar nga hisedarët serbë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Konkursi për kreditorë të “Trepçës” ka shqetësuar drejtues të kësaj ndërmarrjeje dhe ekspertë ekonomikë. Ata thonë se kërkesa e tyre është që ky proces të marrë formën e cila nuk do ta dëmtonte “Trepçën”. Rreziku, sipas tyre, është pasi që pjesa më e madhe e kreditorëve mund të jetë nga Serbia.

Të njëjtit, në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje. Sipas këshilltarit në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në Trepçë janë kompani serbe. “Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës është futja e Trepçës nën ingerencën e AKP-së, sepse e ka vendosur problemin nga njerëz që e njohin ndërmarrjen tek ata që s’e njohin atë.

Mbi 90 për qind e kërkesave do të jenë kompani nga Serbia dhe Bordi i Kreditorëve do të përbëhet nga këto kompani. Ky bord do të vendosë edhe për fatin e ndërmarrjes”, ka thënë Kelmendi.

Uji Dea

Ndërsa përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi që sipas tyre ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit. Berat Rukiqi nga OEK-u ka thënë se qeveria duhet ta argumentojë që është kredidhënësi kryesor i Trepçës dhe në të njëjtën kohë sipas tij të fitojnë edhe numrin më të madh të vendeve në bordin e ardhshëm të kreditorëve. “Nëse këto argumentohen mirë, atëherë sigurisht mundet me u krijuar një bazë që në Këshillin e kreditorëve të jetë një prezencë e institucioneve tona, nëse është e kundërta rreziku rritet që kreditorët nga vendet që nuk ia donë të mirën Kosovës të jenë pjesë e bordit”, ka thënë Rukiqi.

Në konkursin e parë për kreditorë të Trepçës konkurroi vetëm një kompani e huaj. Banka nga Beogradi “Beobank” paraqiti në AKP pretendimet për hise në Trepçë, ndërkaq një kompani franceze u tërhoq. Nga vendorët konkurroi Qeveria, Komisioni për Miniera dhe punëtorët e Trepçës.

Ndërkaq, mungesa e pretendentëve të huaj ka bërë që Agjencia Kosovare e Privatizimit t’i drejtohet Dhomës e Veçantë të Gjykatës Supreme për shtyrje të afatit të konkursit edhe për një vit. Arsyeja tjetër sipas zëdhënësit të AKP-së, Ylli Kaloshi është edhe mungesa e funksionimit të Bordit të Drejtorëve në këtë Agjenci. “Kërkesa për shtyrje të afatit për 365 ditë është bërë për arsye se Agjencia ka disa muaj që nuk ka Bordin e Drejtorëve funksional, organ ky vendimmarrës për veprimtarinë e përgjithshme të Agjencisë dhe i domosdoshëm në procesin e përgatitjeve të nevojshme, por edhe të obligueshme me ligj për shqyrtimin e kërkesave të pranuara nga kreditorët e mundshëm gjatë afatit të shpallur, ku ndër të tjera parashihet edhe angazhimi i kompanive profesionale”, ka thënë Kaloshi, derisa shton se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Dhoma e Veçantë.(zeri)