Tre të arrestuar për vrasjen e një shqiptari në Londër

Londër – Tre persona janë arrestuar nga policia britanike, me dyshimin se kanë ndihmuar të dyshuarit për vrasjen e shqiptarit Xhem Krasniqi, në jug të Anglisë, disa ditë më parë.
Të arrestuarit, megjithatë, nuk janë personat kryesorë të dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit Krasniqi, punëtor skele me banim në zonën e Kentit.
Njëri prej të arrestuarve është 26 vjeç dhe dy të tjerët janë 30-vjeçarë, por nuk dihet nëse janë shqiptarë ose jo, transmeton Top-Channel.
Prej disa ditësh, policia britanike është vënë në kërkim të dy vëllezërve Edmond dhe Albert Nela, në lidhje me vrasjen e Xhem Krasniqit, përpara disa ditësh në qytetin bregdetar Hove, në jug të Anglisë.
Vëllai i Krasniqit dhe nipi i tij, po ashtu, janë qëlluar me armë zjarri, por kanë mundur t’i mbijetojnë sulmit.
Detektivët kanë publikuar në median angleze fotot e të dyshuarve. Policia beson se vrasja mund të jetë e lidhur me një mosmarrëveshje mes dy familjeve.
Polica e krahinës Sussex i ka kërkuar ndihmë edhe Top-Channelit, si dhe tërë medias britanike, në apelin drejtuar shqiptarëve që jetojnë në Britani.
Policia ka botuar edhe njoftime të përkthyera në shqip, për shqiptarët e Britanisë. Duke iu adresuar komunitetit shqiptar, shefi i policisë së qytetit Brighton dhe Hove, Simon Nelson tha se “ne e respektojmë faktin që komuniteti shqiptar është krenar dhe i lidhur, duke kërkuar ndihmën e njëri-tjetrit në kohë të vështira”.
Por, policia angleze ka paralajmëruar që publiku të mos u afrohet dy vëllezërve, të cilët janë ende në kërkim, kurse portet dhe pikat e kalimit kufitar në tërë Britaninë janë njoftuar për të ndalur çdo tentim largimi nga shteti të dy vëllezërve të dyshuar për këtë vrasje.