Suzana tregon përkushtim të lartë në Forcën Ajrore të Shteteve të Bashkuara

Ajo ka fituar gradë prestigjioze e cila arrihet nga vetëm 1.8% e oficerëve të Forcës Ajrore.
Pa dyshim një arritje historike për Kolonelen Suzana M. Gjekaj nga Gucia e cila ka fituar gradën “Kolonele” në Forcën Ajrore të Shteteve të Bashkuara, transmeton albinfo.ch.
Kjo gradë prestigjioze arrihet nga vetëm 1.8% e oficerëve të Forcës Ajrore, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj të shquar ushtarake.
Kolonelja Gjekaj aktualisht shërben si Shefe e Stomatologjisë Pediatrike në Skuadrën Dentare të Bazës Ajrore Ramstein, Gjermani, ku drejton një ekip që ofron kujdes shëndetësor për 16,500 pacientë në objektin e dytë më të madh dentar të Forcës Ajrore Amerikane.
Që nga emërimi i saj në Forcën Ajrore të SHBA në vitin 2003, Kolonelja Gjekaj ka shërbyer në Gjermani, Korenë e Jugut, Itali, Japoni dhe SHBA, duke shkëlqyer si në lidership ashtu edhe në fushën klinike.
Ajo është një dentiste pediatrike e certifikuar dhe ka kontribuar në edukimin mjekësor ushtarak si Profesore Asistente në Universitetin e Shkencave Shëndetësore të Shërbimeve të Uniformuara.
Puna dhe përkushtimi i saj janë një frymëzim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, duke treguar përsosmërinë si në fushën ushtarake ashtu edhe në atë mjekësore.