Fundamenti

Transparenca ka edhe vështirësitë e veta

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Edhe këshilltarët komunalë, sipas Nexhmije Kallabës, janë të obliguar ta japin kontributin e tyre në njoftimin e qytetarëve, shpjegimin e procesit të buxhetimit, formulimin e kërkesave për projekte e investime.

Në kuadër te projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes ne qeverisje, buxhet dhe qasjes ne informata publike dhe dokumente”, është mbajtur tryeza e rrumbullaket në Kamenicë , me temën roli dhe përgjegjësinë e komunës për përfshirjen e publikut në vendimmarrje dhe për të bërë informacione të qasshme për publikun dhe për të siguruar që vendimet e marra nga komunat të bëjnë proces transparent.

Fillimisht, shefi i zyrës Pritëse në Kamenicë, Agim Basha, shpjegoi procedurat e një kërkese për qasje në dokumente zyrtare. “Qytetari vjen në zyrën pritëse. E bën kërkesën në mënyrë fizike, apo elektronike e pranojmë dhe e njoftojmë Sylejman Morina, i cili është përgjegjës për këtë fushë dhe më pas ai merret e procedurat e tjera, duke i njoftuar zyrtarët dhe organet të cilat i është adresuar kërkesa”, tha ai.

Shefi i Zyrës për Informim, njëherit zyrtar për qasje në dokumente zyrtare, Sylejman Morina, foli për vështirësitë dhe problemet e kthimit të përgjigjeve.

UBT

Ai tha se ekzistojnë mjaftë vështirësi deri në realizimin e një kërkese. “Një çështje që e kemi diskutuat edhe më parë, është mungesa e një liste të përpunuar dhe verifikuar me dokumente të qasshme për publikun. Po të ishte lista, zyrtarët komunalë do ta kenë shumë më të lehtë të përgjigjen apo jo në një kërkesë. Një problem që po diskutohet shumë dhe që kemi kërkesa këto ditë, është kërkesa për pronën private, a duhet të jetë publike apo private. Çështja tjetër është neglizhenca e disa zyrtarëve komunalë, që nuk e marrin shumë serioze këtë punë” ka thënë ai.

Ndërsa, Nexhmije Kallaba, tha se faza më e rëndësishme e buxhetit është planifikimi i tij. Sa merr pjesë publiku në tubime publike e dëgjime buxhetore është temë multidimensionale. Edhe këshilltarët komunalë, sipas Kallabës, janë të obliguar ta japin kontributin e tyre në njoftimin e qytetarëve, shpjegimin e procesit të buxhetimit, formulimin e kërkesave për projekte e investime. “Përfaqësuesit e popullit të mbajnë më shumë takime në vendet ku vijnë. Së fundi ka hy një nocion buxhetimi gjinor. Edhe drejtorët janë njoftuar me këtë, duhet të dihet se sa është pjesëmarrja e grave në buxhetin e vitit të ardhshëm.”, tha Kallaba.

Po në këtë tryezë e rrumbullaket kontributin e tyre me diskutime e kanë dhenë Sevdai Morina, Artan Krasniqi, Vebi Klaiqi, Azemine Maliqi etj.

Në fund te tryezës se rrumbullaket dolën konkluzionet dhe rekomandime për rritjen e transparencës, pjesëmarrjes në menaxhimin e buxhetit, aksesi publik ndaj informacionit dhe dokumenteve, dhe përfshirjes së publikut në vendimmarrje. Komuna duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendim marrjes dhe transparencës. Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes ne qeverisje, buxhet dhe qasjes ne informata publike dhe dokumente”, që implementohet nga OJQ “NOPM” dhe financohet Fondacioni për Shoqëri të Hapur – KFOS. /rajonipress/