Uji Dea

Tom Hanks kurrë nuk ka thënë se Kosova është Serbi

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Ditën kur kosovarët po kremtonin pesëvjetorin e pavarësisë, mediat serbe lansuan një informatë, sipas së cilës, aktori i njohur hollivudian, Tom Hanks, paskësh thënë se Kosova është Serbi, se shqiptarët i dëbuan serbët nga Kosova, dhe se serbët do të rikthehen në Kosovë. Përkundër publicitetit të madh që zgjoi në Serbi, informata rezultoi e rreme, sepse burimi i saj s’mund të gjindet askund tjetër, përveç në web-blogun fetar The Ortodox Church.

Shkrimtari dhe akademiku nacionalist serb, Dobrica Cosic, mes ‘margaritarëve intelektualë’ të tij, në një rast, duke folur për serbët dhe për artin e tyre të gënjeshtrës, është shprehur kështu: “Gënjejmë që ta mashtrojmë vetveten, ta ngushëllojmë tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë që të mos kemi frikë, të trimërohemi, ta fshehim varfërinë tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë sonë. Gënjejmë për liri. Gënjeshtra është formë e patriotizmit dhe inteligjencës sonë. Gënjejmë në formë krijuese, imagjinuese dhe inventive”.

Për t’i vërtetuar këto pohime të akademikut serb, mediat serbe nxituan që të plasojnë një gënjeshtër të radhës, që ka të bëjë me aktorin e njohur të Hollywood-it, Tom Hanks.

Lajmi bombastik, sipas të cilit, aktori i famshëm hollivudian, Tom Hanks, “është ngritur në mbrojtje të serbëve,” u publikua triumfalisht nëpër shumë portale gazetash të Serbisë, dhe atë pikërisht në ditën kur Kosova po kremtonte pesëvjetorin e pavarësisë së saj si shtet. Megjithëse është gati e pamundur të konstatohet se kush ishte i pari që e lansoi këtë ‘karrem’, i njëjti me një lehtësi të skajshme – që do ta lakmonte çdo peshkatar – u gëlltit me ëndje nga shumë media beogradase.

Balona për brengën kosovare që po e lë pa gjumë fituesin e dyfishtë të çmimit Oscar, Tom Hanks, fillimisht zbardhi në ballinën e edicionet e së hënës të gazetave ‘Politika’ dhe ‘Vecernje Novosti’, ndërkohë që ditorja tjetër serbe, ‘Blic’, doli të jetë pak më e kujdesshme (mbase, për shkak se edicioni i saj zakonisht shkon në shtyp pak më vonë se ato të gazetave ‘Politika’ dhe ‘Vecernje Novosti’). Si rrjedhojë, ‘Blic’ duket se pati kohë për ta verifikuar këtë lajm të budallëm, të cilin e tërhoqi gjatë ditës nga portali i vetë.

Sido që të jetë, të paktën për disa orë disa nga redaksitë patriotike serbe duket se gati sa nuk ejakuluan nga kënaqësia që u shkaktuan fjalët e pathëna nga Tom Hanksi i famshëm. Të njëjtat shpejt e shpejt ia plasuan edhe lexuesit naiv serb, përmes titujve përkatës, siç ishte, për shembull, ky që u publikua në ballinën e gazetës ‘Politika’: “Shqiptarët i dëbuan serbët nga Kosova”, apo ky që u publikua brenda gazetës: “Kosova është Serbi”.

Çfarë “tha” Hanks?

Mediat serbe si burim të parë të informacionit e cituan ueb-faqen www.theorthodoxchurch.info, e cila gjoja e ka marrë këtë informatë nga një intervistë që aktori e ka dhënë në një show televiziv në kanalin ‘E!’.

Sipas medieve serbe, duke folur për prodhimin e ri të Steven Spielberg, rreth historisë së Izraelit, ku ai ka një rol të rëndësishëm, Hanks i krahasoi vuajtjet e serbëve në Kosovë me ato të hebrenjve në të kaluarën.

“Rast të ngjashëm kemi edhe në Kosovë. Ajo ishte e banuar me serbë, të cilët kishin ndërtuar manastire dhe kishin mbretër, por të cilët ishin dëbuar nga shqiptarët”, citohet të ketë thënë Hanks.

“Në fund të shekullit të XX-të, bombat e NATO-së ranë mbi Serbi, por ata ende nuk duan të pranojnë se Kosova është një shtet i pavarur dhe e thonë me krenari se Kosova është Serbi, njësoj si hebrenjtë që u kthyen në vendin e tyre, dhe kështu do të jetë edhe me serbët”, përfundon citati.

Uji Dea

Për kënd në fakt “foli” Hanks?

“Deklaratën” e Hanks mediat serbe e huazuan nga web-blogu The Ortodox Church, i cili duket se është burim i vetëm i tij. Kjo për shkak se, nga ana tjetër, në portalin e revistës amerikane ‘E!’, ku thuhet të jetë publikuar deklarata e Hanks, lajmi në fjalë është e pamundur të gjendet.

Njësoj siç është e pamundur të kuptohet diçka më shumë edhe për projektin filmik të Steven Spielberg dhe Tom Hanks, ngase për të nuk ekziston asnjë informacion as në web-faqen e specializuar të realizimeve filmike, IMDB. Për më tepër, intervista origjinale, e cituar nga mediat beogradase, nuk mund të gjendet në asnjë web-faqe të huaj.

Sa për përkujtim, edhe para pesë viteve në media ishte shfaqur një lajm, i cili bënte fjalë për një protestë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pjesëmarrjen e tyre e kishin paralajmëruar edhe shumë yje hollivudiane, si George Clooney dhe Sharon Stone, bashkë me ‘përkrahës të tjerë të çështjes serbe”, si Tom Hanks, Michael Douglas, Robert De Niro dhe Johnny Depp. Edhe asokohe doli se e tëra s’ishte gjë tjetër pos lajm i rrejshëm.

Dy informacionet e vetme të vërteta kësaj radhe janë ato se, Tom Hanks vërtet ka kaluar në fenë ortodokse, dhe se prindërit e gruas së tij, Rita Wilson- emri i vërtetë i së cilës është Margarita Ibrahimoff – janë shpërngulur në Amerikë në vitin 1949. Një detaj tjetër interesant që ndërlidhet me Rita Wilson është se nëna e saj është e lindur në fshatin shqiptar Sotirë, i cili kryesisht banohet nga pakica greke.

Hanks kishte takuar ministrin Hoxhaj

Në tetor të 2011, në Berlin, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ishte takuar me aktorin Tom Hanks, me të cilin kishte biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në ndonjë projekt filmik kosovar.

Asokohe, në Berlin po jepej premiera e filmit “Larry Crowne”, ku përpos që shfaqej në rolin kryesor, Hanks ishte sprovuar edhe si regjisor e skenarist.

“Javë më parë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pasur një takim me aktorin e madh të Hollywoodit, Tom Hanks. Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka kërkuar që Hanks ta vizitojë sa më shpejt Kosovën. Hanks ka mirëpritur ftesën e ministrit Hoxhaj dhe ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vizitojë Republikën e Kosovës”, deklaroi atëherë për Express Artan Behrami, këshilltar politik i ministrit Hoxhaj.

Sipas Behramit, në takim është folur për mundësitë që i ofron Kosova për prodhimin e ndonjë projekti të madh filmik.

“Vendet si Kosova ofrojnë shumë rrëfime, narracione, histori të njerëzve që kanë vuajtur në periudha të ndryshme kohore, e që për aktor dhe regjisor ndërkombëtar mund të shërbejnë si inspirim për projekte filmike”, tha Behrami.