Uji Dea

Thaçi thyen “rekordin” me vartës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili shquhet me numrin më të madh të zëvendëskryeministrave në kabinetin qeveritar, ai së fundi theu “rekordin” edhe me numrin e nënkryetarëve që e rrethojnë. Liderit të PDK-së Thaçi, do t’i “sillen” e “pështillen” shtatë nënkryetarë, në mesin e të cilëve gjashtë sosh janë “junior” (Kadri Veseli, Vlora Çitaku, Memli Krasniqi, Adem Grabovci dhe Arsim Bajrami), ndërkaq “veteranë” ka mbetur vetëm Hajredin Kuçi.

Me këtë veprim kreu i PDK-së ka eliminuar gjithë ata që përbënin rrezik për të, siç ishte njeriu i dytë, gjegjësisht i tretë më i votuar në PDK, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, që janë edhe themeluesit e partisë, vlerësojnë analistët politikë.

Ndonëse, struktura e re drejtuese e PDK-së e dalë nga zgjedhjet e fundit të brendshme përbëhet kryesisht me emra të rinj, derisa ata që dikur i prinin listës tashmë nuk janë futur fare, apo janë lënë në fund të listës së Kryesisë, konsiderohet si mjeshtri e Hashim Thaçit.

Njohësi i zhvillimeve politike, Nexhmedin Spahiu, tha se “Thaçi është nxënës i mirë i Makiavelit, i cili funksionon me logjikën që të përkrahen të dobëtit. Ai së fundi solli në strukturën e ngushtë ata që janë të dobët politikisht, pesha e të cilëve është matur me votat e qytetarëve, ndërkaq luftoi ata që kanë peshë politike”.

Prandaj, sipas tij, Kryesia e ngushtë e PDK-së, më nuk përbëhet nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të luftës, sikurse ishte Fatmir Limaj e Rrustem Mustafa që kanë mbajtur për disa vite pozitën e nënkryetarit, por edhe Jakup Krasniqi, duke iu dhënë “luksin” që këto pozita t’i shijojnë “juniorët” e partisë. Duke folur për numrin e madh të nënkryetarëve të PDK-së, Spahiu tha se kjo është në natyrën e kryeministrit Thaçi që t’i rehatojë njerëzit e dëgjueshëm dhe t’i eliminojë të “fortit”.

Mobi Casa

E nga ana e tij, analisti politik, Avni Zogiani, konsideron se kryesia e ngushtë e PDK-së është strukturë e skandaleve. “Hashim Thaçi tash afër vetes ka njerëz prapa të cilëve fshihen shumë skandale, derisa përmes propagandës ka bërë përpjekje që t’i diskreditojë ata që dikur kanë qenë në krye të listës. “Pra, kemi të bëjmë me njëfarë sistemi të spastrimit të figurave të “vjetra “, për t’u bërë vend të rinjve.

PDK e tanishme dallon shumë dhe në gjithçka nga ajo e kaluara”, ka thënë ai, duke shtuar se njerëzit që kanë marrë më së shumti vota (Limaj e Krasniqi), gati dhunshëm janë eliminuar nga struktura e ngushtë e partisë.

Por, mendim më ndryshe ka shfaqur Halil Matoshi, njohës i zhvillimeve politike, sipas të cilit rritja e numrit të nënkryetarëve dhe futja e Limajt dhe Krasniqit në listën e kryesisë së partisë pa i pyetur këta të fundit flet për një qasje pragmatike të lidershipit të PDK-së. “Për dallim nga LDK-ja, e cila ka përdorur logjikën e përjashtimit ndaj atyre që kanë shfaqur mendim kritik në raport me partinë, PDK përkundrazi po i mban brenda.

Ndërkaq, përbërja e nënkryetarëve pothuajse janë emra të rinj, por kjo dëshmon se PDK po bën përpjekje të japë një imazh në opinion se kjo parti po ndryshon”, ka thënë Matoshi.Sidoqoftë, procesi i zgjedhjeve të brendshme në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi është përshkuar me probleme të mëdha, ndërskamca, shantazhe, eliminime e shtyrje me bërryla në mes klaneve dhe grupacioneve.

Ndryshe, me propozimin e kryetarit të PDK-së është bërë edhe zgjedhja e 33 anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, ndërkaq në pozitën e nënkryetarit janë emëruar: Kadri Veseli, Hajredin Kuçi, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Adem Grabovci dhe Arsim Bajrami, derisa këtë post më nuk do ta gëzojnë Fatmri Limaj, Rrustem Mustafa, Bajram Rexhepi, sikurse as Jakup Krasniqi. Ky i fundit ka deklaruar se është zgjedhur në kryesinë e PDK-së, pa dëshirën e tij, derisa ka rikujtuar se nuk dëshiron të jetë pjesë e asnjë organi të kësaj partie. Jashtë kryesisë janë lënë edhe Shemsi Veseli, e cili ka qenë personi më i votuar në Kuvendin e Degës, sikurse ka mbetur jashtë edhe Ramadan Avdiu.(zeri)