Thaçi thotë se rrugë të mesme nuk ka: Pa marrëveshje me ne s’ka as qeveri e as zgjedhje të reja!

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK ka dhënë përgjigjen e tij për partitë e Bllokut, pasi këta të fundit janë shprehur të gatshëm për të votuar kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Ajo që është e rëndësishme është fakti se partitë e mbledhura rreth Bllokut, definitivisht kanë akceptuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese; kanë filluar të reflektojnë, të respektojnë Kushtetutën. Ky është një sinjal pozitiv, pas pesë muajve të bllokades. Ndërsa, hapat e Partisë Demokratike do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovë, me ligjet e vendit. Për gjithçka ne do te ulemi të diskutojmë si spektër politik, qoftë për thirrjen e seancës konstitutive, qoftë për formimin e Qeverisë dhe hapat e metutjeshem”, tha Thaçi.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se janë dy rrugë për formimin e institucioneve, e të dyja, sipas tij, kanë një të përbashkët – marrëveshjen.
“Mundësitë janë që të ulemi dhe të diskutojmë për marrëveshje në zgjidhjen e institucioneve ose që të ulemi dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve”, ka thënë Thaçi. “Rrugë të mesme këtu nuk ka”. /Telegrafi/