Hidromorava

Thaçi rrugës së Berishës

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Lavdim Hamidi – Pas dy mandateve kryeministër, Sali Berisha e ndjente “fitoren” në ajër edhe në garën për mandatin e tretë. Fitorja merrej si punë e kryer, ndërsa procesi zgjedhor i vitit 2013 trajtohej vetëm si formalitet.

Bindja për fitore të thellë u forcua edhe më shumë kur vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të fundit nacionale, shefi i Qeverisë shqiptare vendosi t’i rrisë pagat për të gjithë shërbyesit civilë.

Anash nuk u lanë as pensionistët e as të përndjekurit politikë. Për kompensimin financiar të këtyre të fundit u nda një fond prej 45 milionë dollarësh. Ndërsa për bujqit shqiptarë vendimi i ekzekutivit ishte edhe më i favorshëm, pasi që u vendos që për të gjitha makineritë rimbursimi i TVSH-së të bëhej me para në dorë.

Me mundësitë dhe komoditetin që kishte nga pozicioni në krye të ekzekutivit, Berisha e shihte veten në avantazh në raport me rivalin e tij politik, Edi Rama. Ai kishte paranë në dorë dhe lehtësisht bënte pazare për blerje votash.

Pas gjithë atij turri me rritjen e pagave, pensioneve, premtimet për investime në bujqësi e zhvillim ekonomik, votuesit shqiptarë ishin lodhur nga pushteti i stërzgjatur politik i Berishës. Kësaj radhe, pesha e skandaleve ishte më e madhe sesa premtimet e Berishës, votuesit rikthyen edhe njëherë në pushtet opozitën.

Njëjtë si Berisha mandatin e tretë si kryeministër po synon me çdo kusht ta fitojë edhe Hashim Thaçi.

Ky i fundit dy-tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme ia ka hapur “grykën” thesit të buxhetit dhe po shpërndan para për kategori të ndryshme, normalisht duke qenë i bindur se në këmbim të parave do të sigurojë vota për partinë e tij.

Eco Higjiena

Thaçi po shpreson se me rritjen e pagave dhe pensioneve prej 25 për qind do t’i marrë votat e dhjetëra mijëra familjeve kosovare, por me siguri ka harruar se numri i atyre familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar e që përballen çdo ditë me varfërinë është shumë më i madh se i atyre që përfitojnë nga një vendim i tillë i qeverisë.

Përpos kësaj, edhe ata shërbyes civilë që përfitojnë nga rritja e pagave nuk është garanci se do t’ia besojnë edhe mandatin e tretë Thaçit si kryeministër, ashtu siç nuk ia besuan Berishës në Shqipëri.

Nëse për më shumë se gjashtë vjet në pushtet, qeveria që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi u shqua për afera të shumta korruptive dhe duke u dëshmuar se prioritet për punësim në institucione e kompani publike kanë familjarët dhe militantët partiakë, atëherë premtimet për qeverisje me duar të pastra dhe hapjen e dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës janë vetëm iluzion.

Ai nuk duhet harruar një fakt esencial, se votuesi i sivjetmë nuk është i njëjtë me të 2007-tës.

Madje sinjal të mjaftueshëm atij i dhanë në zgjedhjet e fundit lokale, ku ia bënë të ditur se mentaliteti i tyre ka ndryshuar dhe jo të gjithë manipulohen.

Për t’u përsëritur skenari i Shqipërisë, opozita kosovare duhet të jetë më proaktive dhe më e unifikuar dhe t’i përjashtojë nga radhët e veta të gjithë ata zyrtarë që në të kaluarën keqpërdorën buxhetin, në mënyrë që premtimet e tyre të jenë sa më bindëse. Dhe në këtë mënyrë Thaçi do të mund ta vazhdojë rrugën e Berishës, drejt opozitës.