Uji Dea

Thaçi: Nuk do të ketë “Republika Sërpska” në veri

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me dokumentet në fuqi në vend, dhe nuk nënkupton kurrfarë trajtimi të veçantë për serbët në veri.

“Unë dua të besoj që do të arrihet një marrëveshje parimore, një marrëveshje që definitivisht normalizon marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj t’i falënderoj shtetet e BE-së dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre të fuqishme në këtë proces. I gjithë përkushtimi ynë është që të kemi normalizim të gjendjes në veri, por edhe normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe në mes të popujve tanë. Mendoj që ajo që është diskutuar në Bruksel, në takimin e fundit, ka qenë një kthesë në kuptimin pozitiv, sepse Serbia është detyruar të pranojë më në fund shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave paralele të sigurisë, duke nënkuptuar këtu mekanizmat e MUP-it serb, të instaluar në veri të Mitrovicës, gjithashtu edhe mekanizmat e inteligjencës, BIA-s serbe. Do të përfshihet në një periudhë të caktuar se kur do të shpërbëhen dhe kur do të dëbohen disa që janë të dërguar nga Serbia në atë pjesë të Kosovës. Kështu që, ky është një mesazh i mirë. Në të njëjtën kohë jemi pajtuar verbalisht dhe Serbia është detyruar që të pranojë domosdoshmërinë e funksionimit të plotë të sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës dhe kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Do të hapen edhe Gjykatat komunale në dy komuna tjera në veri, siç janë gjykatat komunale nëpër komuna tjera të Kosovës, por gjithmonë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Gjithashtu, kemi diskutuar në mënyrë shumë serioze, atë që garanton edhe dokumenti i presidentit Ahtisaari, kushtetuta e Kosovës, ligji për vetëqeverisjen lokale, për formimin e një trupe, apo asociacioni të komunave me shumicë serbe që do të ishte një trupë që do të koordinonte punën e këtyre komunave, por gjithmonë të zgjedhur në mënyrë indirekte, pra të përbëhet nga kryetarët e komunave”, ka thënë Thaçi.

A e rrezikon ky asociacion funksionimin e shtetit të Kosovës?

Thaçi: Kjo trupë, apo ky mekanizëm është i garantuar me dokumentin e Ahtisaarit, me kushtetutën e Kosovës. Është një mekanizëm integrues i komunave me shumicë serbe. Në po pretendojmë të ndërtojmë një vend të ri, një vend demokratik, me perspektivë evropiane dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë formimin e mekanizmave regjional, por integrues. Dhe unë i siguroj qytetarët e Kosovës se gjithçka do të jetë e bazuar në kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për vetëqeverisjen lokale. Asociacioni mund të ketë të drejtat dhe ka të drejtat për të komunikuar si komuna mes veti, për të shkëmbyer përvoja për ujësjellës, për ndërtimin e shkollave, për ndërtimin e kopshteve, për qeverisje më të mirë, por në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta. Këto janë vijat e kuqe që i kamë prezantuar edhe në Bruksel dhe që do t’u qëndrojë besnik edhe në takimin ardhshëm. Prandaj Serbia do të jetë e detyruar të pranojë realitetin e ri që do të krijohet, që do të funksionojë në bazë të legjislacionit të Republikës së Kosovës.

UBT

Ju keni kërkuar mbështetjen e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit William Burns për të shmangur dhënien e më shumë përgjegjësive këtij asociacioni. A jeni nën trysni për një gjë të tillë?

Thaçi: Unë dëshiroj të falënderoj zëvendëssekretarin Burns për telefonatën e tij, për inkurajimin e tij në emër të qeverisë së SHBA-së, presidentit Obama, zv/presidentit Biden dhe sekretarit John Kerry. Edhe në vizitën e sekretarit amerikan në Evropë do të përcillet me theks të veçantë edhe tema për Kosovën, ne veçanti në takimet që do të zhvillohen në Berlin dhe Londër. Sot, normalizimi i gjendjes në Kosovë, funksionimi i institucioneve demokratike në veri të Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është në top-agjendën e politikës botërore edhe në Bruksel edhe në SHBA. Mendoj se kjo është me interes për Kosovën, sepse do të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të Kosovës si vend i pavarur dhe sovran por edhe i Serbisë në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, ky interesim pozitiv i BE-së dhe SHBA-ve, duhet të kurorëzohet me një marrëveshje ndërshtetërore Kosovë – Serbi, me garancën e plotë të BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. Zv/sekretari Burns, mbrëmë në bisedën që kam zhvilluar, ka rikonfirmuar edhe njëherë se SHBA-të qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, pra të një angazhimi për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për evropianizimin e gjithë rajonit.

A ka pasur kërkesa ndaj jush që këtij asociacioni t’i jepen më shumë fuqi ekzekutive që në Prishtinë është vlerësuar si synim për krijimin e një Republike serbe në atë zonë?

Thaçi: Unë i kuptoj opinionet e ndryshme dhe i respektoj ato, por në të njëjtën kohë jam shumë i drejtpërdrejtë kur ato opinione janë të gabuara. Këto pretendime për të prezantuar rrejshëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë thjeshtë ta pa argumentuara, janë plotësisht të paqëndrueshme, janë nga mungesa e informatave, me gjithë transparencën e plotë që kemi prezantuar gjithmonë. E ritheksoj edhe njëherë, do të jetë një asociacion i komunave me shumicë serbe që garanton kushtetuta e Kosovës dhe dokumenti i presidentit Ahtisaari. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë dhe as që është duke kërkuar dikush ndonjë Republika Sërpska, autonomi, status special, apo këmbim territoresh. Këto janë ëndrra të Serbisë, që unë nuk mund t’i ndalojë që të ëndërrojnë, por janë të parealizueshme në Republikën e Kosovës. Për Kosovën, do të ketë normalizim të gjendjes, funksionalizim të plotë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e plotë edhe të NATO-s edhe të EULEX-it për krijimin e ambientit të sigurisë, lëvizjes së lirë, rendit dhe ligjit dhe pastaj edhe zgjedhjet e lira, lidership legjitim dhe investime socio – ekonomike.