ARKATANA

Thaçi: Në Kosovë nuk ka krizë politike, por përpjekje të opozitës për zgjedhje të reja

/ 14 minuta lexim
ARKATANA

Nuk ka krizë politike në Kosovë. Ka vetëm përpjekje politike të opozitës që të nxis zgjedhje të reja, duke e penguar dhunshëm funksionimin demokratik dhe duke i sulmuar institucionet dhe zyrtarët e shtetit, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Telegrafin.
Thaçi ka folur edhe për sukseset e diplomacisë kosovare të cilat, sipas tij, nuk duhet të maten as tash dhe as në të ardhmen me numrin e njohjeve bilaterale, pasi marrëdhëniet ndërkombëtare janë më komplekse se vetëm marrëdhëniet bilaterale mes shteteve.

Shefi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, duke folur për zgjidhjen e tij si president i Kosovës, ka theksuar se kjo qeveri (ky koalicion do t’i tejkalojë pengesat dhe në përputhje me marrëveshjen politike do ta përmbush mandatin e vet.

Telegrafi: Si e vlerësoni punën e diplomacisë kosovare gjatë vitit 2015?

Thaçi: Diplomacia kosovare ka zgjeruar fushëveprimin e vet dhe nuk është përqendruar më vetëm në sigurimin e njohjeve bilaterale. Në muajin mars, Kosova ka qenë nikoqire e takimit të ministrave të jashtëm dhe atyre të infrastrukturës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin u morën vendime të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat u përmbyllën në Samitin e Vjenës në muajin gusht. Kemi vazhduar dialogun me Serbinë, duke dëshmuar pjekuri politike dhe duke e konfirmuar rolin e Kosovës si promovuese të dialogut dhe paqes në rajon, që është interes i të gjithëve. Por, edhe kemi ruajtur angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në garantimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura. Kemi përfunduar edhe procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi, pasi më parë të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Maqedoninë e Shqipërinë. Kurse, tani na ka mbetur ta përfundojmë vetëm edhe me Serbinë. Kemi realizuar takime bilaterale me gati të gjitha vendet e rajonit dhe me shumicën e vendeve të BE-së, por edhe ato më larg, vende mike dhe përkrahëse të Kosovës. Kemi rritur në rreth 200 numrin e marrëveshjeve ndërshtetërore, një pjesë të madhe të të cilave i kemi nënshkruar edhe këtë vit.

Gjithashtu, kemi marrë pjesë në shumë forume rajonale e ndërkombëtare, prej atyre që promovojnë bashkëpunimin rajonal, si “SEECP” në pranverë, deri te ato që luftojnë ekstremizmin dhe radikalizmin në botë, siç ishte Samiti i Liderëve për Luftimin e ISIL dhe Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, në vjeshtë në New York. Jemi bërë anëtarë të konventave të ndryshme, e tash së voni edhe në Konventën e Apostilës, që është me shumë interes dhe dobi për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër, edhe brenda në Kosovë kemi bërë hapa që kanë pasur jehonë ndërkombëtare, siç është konferenca ndërkombëtare “Inter-Faith Kosova”, që promovon dialogun mes feve dhe e bën Kosovën shembull për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare.

Të gjitha këto suksese ndoshta nuk kanë gëzuar vëmendjen e mediave e rrjedhimisht edhe të opinionit publik, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e tyre dhe suksesin e politikës së jashtme kosovare.

Telegrafi: Gjatë vitit 2015 Kosovën e kanë njohur vetëm tri shtete: Cookisland, Antigua dhe Bardua dhe Niue. Pse ka dështuar diplomacia kosovare që të sigurojë më tepër njohje?

Thaçi: Sukseset e diplomacisë kosovare nuk duhet të maten as tash dhe as në të ardhmen thjeshtë me numrin e njohjeve bilaterale, pasi edhe vetë marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë më komplekse se vetëm marrëdhëniet bilaterale mes shteteve.

T‘i vendosim gjërat në perspektivë: Kosova është njohur nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s dhe 56 për qind e OKB-së. Vetëm “CIS“ apo “Komonuelthi Rus” e ka njohur Kosovën me 0 për qind. Kjo tregon më së miri të arriturat e Kosovës, por edhe kontekstin ndërkombëtar në të cilin po operon Kosova, sfidat me të cilat përballet, mirëpo dëshmon edhe suksesin e arritur.

Është sukses që fushëveprimi i diplomacisë kosovare është zgjeruar përtej kërkimit të njohjeve bilaterale, sidomos tash kur kemi siguruar shumicën e njohjeve më të rëndësishme për neve.

Kur jemi të njohjet bilaterale, ato që kërkojnë vëmendje janë njohjet nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, edhe këtu kemi arritur suksese konkrete. Jo shumë kohë më parë, këto shtete nuk kanë pranuar as të takohen me zyrtarët e institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk kanë pranuar as pasaportat e Kosovës. Sot kemi një gjendje krejt tjetër, përveç në rastin e Spanjës. Para se të elaboroj më tej, duhet të theksoj se suksesi këtu ka qenë i përbashkët, i diplomacisë kosovare, shoqërisë civile dhe mediave të Kosovës, që ndihmuan në mënyrë aktive dhe të suksesshme që të thyhet akulli në komunikim dhe të fillojnë takimet mes përfaqësuesve të dy vendeve.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Në verë Kosovën e vizitoi Ministri i Jashtëm i Greqisë, një vizitë bilaterale. Jemi duke biseduar me disa prej këtyre prej pesë vendeve që të hapim atje zyrat tona përfaqësuese. Qytetarët e Kosovës udhëtojnë me pasaportat e Kosovës në katër prej pesë prej këtyre shteteve dhe vetëm me Spanjën ka pasur më pak lëvizje, por edhe kjo për shkak të politikës së brendshme të Spanjës.

Telegrafi: Pas një lobimi disa mujor të institucioneve të Kosovës që shteti më i ri në Evropë të bëhet pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk kemi arritur të bëhemi pjesë e kësaj organizate. Madje, ka ndodhur që edhe shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të abstenojnë për propozimin që Kosova të jetë pjesë e këtij mekanizmi?

FIDANISHTJA

Thaçi: Me fushatën për anëtarësim në UNESCO, ndonëse nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar. Kemi portretizuar një Kosovë tjetër nga ajo çfarë e paraqesin armiqtë e shtetit të Kosovës. Kemi treguar një Kosovë që ka gjetur forcë të tejkalojë dhimbjet dhe vuajtjet e së kaluarës dhe të kthehet kah e ardhmja në paqe dhe bashkëjetesë, kah një e ardhme më e mirë për të gjithë. E, ndonëse nuk u pranuam për tri vota, për diplomacinë e Kosovës ishte sukses i madh sigurimi i përkrahjes së shumicës cilësore të botës për Kosovën. Dhe, kjo lë të kuptohet që diplomacia e Kosovës dhe përkrahësit e shtetin tonë, me punë dhe angazhim kanë bërë që Kosova të jetë e mirëpritur nga shumica e shteteve në botë.

Na ka munguar vota e disa shteteve mike, por disa nuk kanë pasur të drejtë vote e disa tjera kishin mosmarrëveshje dhe konflikte me vetë UNESCO-n, prandaj edhe nuk morën pjesë në votimet në këtë organizatë. Kjo ka qenë rrethanë që na kushtuar neve me mungesën e tri votave të rëndësishme të cilat u treguan vendimtare.

Megjithatë, kjo assesi nuk duhet të shihet si dështim, sepse ne edhe në Kuvendin e Kosovës mund të kemi ndonjëherë vështirësi t’i sigurojmë 2/3 e votave. Por, ajo që ka shumë rëndësi është se asnjë shtet që na ka njohur nuk votoi kundër anëtarësimit tonë dhe në anën tjetër, 30 prej shteteve me të cilat Serbia ka marrëdhënie diplomatike dhe ka të shkëmbyer edhe ambasadorë, votuan pro anëtarësimit të Kosovës, kurse 13 shtete të tjera me të cilat gjithashtu ka marrëdhënie diplomatike dhe shkëmbim ambasadorësh, abstenuan. Numri i shteteve që kanë njohur Kosovën dhe kanë abstenuar, ka qenë dukshëm më i vogël.

Telegrafi: Përgjigja negative e Bashkimit Evropian (BE) për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka bërë që ju të përdorni tone më të ashpra në raport me BE-në, të padëgjuara më herët. Kur do t’i plotësojë Kosova tetë kriteret e vendosura, në mesin e të cilave theks i veçantë vihet në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, të cilat kërkohen që kosovarëve t’iu mundësohet lëvizja e lirë nëpër zonën Shengen?

Thaçi: Bashkimi Evropian në fakt ka dhënë përgjigje dhe vlerësim pozitiv për angazhimin e Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave. Raporti i fundit është pozitiv dhe tregon që Kosova ka përmbushur kriteret e përcaktuara, edhe pse këto kritere në rastin e Kosovës ishin shumë më shumë se për shtetet e tjera. Edhe në ato tetë kritere që përmenden si kritere të përmbushura pjesërisht, ne kemi punuar që të përmbushen. Ajo që mungon është në fakt vullneti politik në Bruksel për të marrë një vendim për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Ne e kuptojmë që momenti është i vështirë, pasi Evropa është duke u përballur me një frymë që kërkon një BE më të mbyllur e jo më të hapur. Por, ne kemi kërkuar vazhdimisht që Kosova të trajtohet barabartë me vendet e tjera, të mos veçohet nga rajoni dhe presim që qysh në fillim të vitit të marrim edhe rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

Telegrafi: Kosova për më tepër se tre muaj po kalon në një krizë politike, ku opozita, në tentim për të bllokuar sipas tyre marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, po e bllokon vazhdimisht sallën ku mbahen seancat e Kuvendit të Kosovës, duke mos kursyer as gazin lotsjellës si mjet për ta penguar punën normale të legjislativit të vendit. Si të dilet nga kjo gjendje?

Thaçi: Nuk ka krizë politike në Kosovë. Ka vetëm përpjekje politike të opozitës që të nxis zgjedhje të reja, duke e penguar dhunshëm funksionimin demokratik dhe duke i sulmuar institucionet dhe zyrtarët e shtetit. Kosova nuk ka as nevojë dhe as kohë që të mbajë zgjedhje të parakohshme. Të gjitha proceset e rëndësishme, si ato për ekonominë, për sundimin e ligjit, por edhe liberalizimi i vizave do të vonoheshin nëse do të merreshim me kërkesat totalisht joracionale të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Për më tepër, Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, sepse ka qeveri stabile. E, gjithashtu, sipas të gjitha anketave, zgjedhjet e reja nuk do të sillnin kurrfarë ndryshimi në skenën politike të Kosovës. Prandaj, rrugëdalja nuk janë zgjedhjet e reja, por respektimi i ligjeve të Kosovës dhe respektimi i parimeve demokratike të funksionimit të institucioneve.

Telegrafi: Kemi një aktvendim të Gjykatës Kushtuese, rreth asaj se a ka pasur shkelje të Kushtetutës kur është nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e të cilën si fitore po e cilëson pushteti dhe opozita kosovare. Derisa Kushtetuesja ka thënë se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin janë në kundërshtim me frymën kushtetuese, ju dhe kryeministri Mustafa keni theksuar se veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndërmarra deri më tani, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë detyrim dhe kanë mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës – mbi zbatimin e së drejtës ndërkombëtare. Kush po bën lexim të gabueshëm të këtij aktvendimi?

Thaçi: Është i mirëseardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që qartëson se statuti që do të përpilohet duhet t’i përmbush zbrazëtitë që ka Marrëveshja e Parimeve si dokument i ndërmjetëm, i cili nuk prodhon efekte ligjore, si dhe të garantojë se do të respektohen parimet e Kushtetutës së Kosovës. Në pikën 95 të aktgjykimit të saj, Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se ky dokument nuk është as ligj dhe as dekret i Presidentit ose i Kryeministrit, as rregullore e Qeverisë, as statut komunal, prandaj dhe nuk ka pasur kurrfarë shkelje të Kushtetutës, siç edhe po interpretohet nga opozita. Aktgjykimi i Kushtetueses shërben vetëm si udhëzues për t’u siguruar që të mos shkelet Kushtetuta kur të përgatitet dekreti dhe statuti për Asociacionin.

Telegrafi: Opozita kosovare ka ofruar tri opsione për dalje nga kriza: tërheqja e nënshkrimeve nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, mbajtja e referendumit ose mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Ju vazhdimisht i keni refuzuar që të tria këto propozime duke i ftuar partitë opozitare në dialog, por që ata kanë refuzuar të dialogojnë derisa nuk realizohet njëra nga këto propozime. Si do të zgjidhjet kriza, kur secila palë është barrikaduar në pozicionin e saj?

Thaçi: Ne kemi ftuar për dialog dhe nuk kemi këtu barrikadim. Është opozita e cila në fakt nuk pranon as dialogun dhe as bashkëpunimin. Zgjidhje nuk janë zgjedhjet, por respektimi i parimeve demokratike dhe respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Telegrafi: Sipas marrëveshjes të ndërtuar për koalicionin qeverisës në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parashihet që ju të zgjidheni President i Kosovës në vitin 2016. Brenda deputetëve të LDK-së ka zëra që e kundërshtojnë haptazi kandidaturën tuaj si President. Sa janë të fuqishëm këta zëra dhe në rast do të ndodhte që ju të mos zgjidheni si shef i shtetit, a do të shkojë vendi në zgjedhje?

Thaçi: Deputetët e koalicionit qeverisës të PDK-së dhe LDK-së, më tepër se për çfarëdo tjetër janë të interesuar për stabilitet politik dhe zhvillim të shtetit të Kosovës. Marrëveshja politike mes PDK-së dhe LDK-së e ka ofruar këtë stabilitet. Prandaj, nuk ka arsye që kjo marrëveshje të mos respektohet. Çdo gjë tjetër sjell cenim të këtij stabiliteti, gjë për të cilën nuk ka nevojë Kosova. Sot Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, çfarë e ka. Ka nevojë për një Kuvend të fuqishëm, çfarë e ka. Ka nevojë për një qeveri që përqendrohet në zhvillim ekonomik të vendit, në fuqizimin e drejtësisë dhe në zhvillimin e demokracisë, që e ka. Kjo qeveri, ky koalicion, do t’i tejkalojë këto pengesa dhe në përputhje me marrëveshjen politike do ta përmbush mandatin e vet. Intervistoi: Blendi Devolli /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.