Eko Higjiena

Thaçi: Kosova dërgoi mesazhin se po ecën sigurt në rrugën euro-atlantike

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë– Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shprehu mirënjohjen më të lartë për organizimin e manifestimeve, siç i quajti ai, madhështore, me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, falënderoj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet për punën e tyre, përkushtimet e tyre, zotimet e tyre në këtë festim.

Ai ka thënë se “ne kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve të Kosovës para pesë vitesh, prandaj dje dhe sot kudo ka manifestime madhështore që po shënojnë themelimin e shtetit të Kosovës, si aktin më të lartë historik, juridik dhe politik, me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë për Kosovën, shtet i pavarur dhe sovran”.

Ne duke shënuar ditën e pavarësisë, pra para pesë vitesh, plotësuam gjeografinë politike të Evropës së re, sepse u lind një shtet, shteti i Kosovës, tha në vazhdim Thaçi.

Ky akt madhështor, origjinal dhe i papërsëritshëm i vullnetit të popullit ishte kryevepër e synimeve tona, e idealeve të shumë e shumë gjeneratave, e përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha që bënë qytetarët e Kosovës, që bëri populli ynë për liri dhe pavarësi.

Ne zhvilluam betejë të drejtë dhe fituam. Fakti që beteja jonë u mbështet dhe u përkrah edhe nga shtete demokracisë botërore, jep mesazhin më të qartë për drejtësinë e përpjekjeve tona, për liri dhe rend demokratik.

Shteti i Kosovës u njoh menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve te Bashkimit Evropian, dhe shumë vende tjera demokratike të botës.

Dhe, sot kemi arritur njohje shumë konsoliduese, që po e fuqizojnë shtetin tonë, rreth 100 njohje. Kjo tregon për cilësinë e qytetarisë dhe vlerat e larta demokratike dhe kombëtare, që shteti ynë përfaqëson.

Dje duke u organizuar dhe sot duke vazhduar me kremtime anë e kënd Kosovës, qytetarët e Kosovës, në mënyrë shumë të dinjitetshme, shumë të qytetëruar, pa as edhe një incident më të vogël, shprehën nderimin e tyre për nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, të rinjtë, të rejat, pleqtë e fëmijët, që ranë për lirinë e Kosovës.

Dje shteti i Kosovës, në mënyrë shumë të dinjitetshme e institucionale, nderoi dhe respektoi sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ai organizim madhështor institucional, me pjesëmarrje gjithë qytetare, ishte edhe mesazh për të ardhmen e Kosovës Evropiane.

Ne dje nderuam përpjekjen dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjithë atyre dëshmorëve të lirisë, invalidëve të luftës, veteranëve, nderuam sakrificën e gjithë qytetarëve të vendit, nderuam sakrificën e diasporës kosovare kudo që jetojnë, në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA dhe kudo në botë, tha Thaçi.

Dje kremtuan të gjithë së bashku, sepse pavarësia e Kosovës është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullorë. Festa ishte madhështore dhe gjithëpopullore.

Dje e gjithë bota shikoi kah Kosova, por edhe Kosova dërgoi mesazhin për gjithë botën se shteti ynë po lëviz dhe është në rrugë të sigurt për të ardhmen euro-atlantike.

Ky orientim yni bëri që ne të jemi fitues edhe moral, edhe politik, por edhe ushtarak edhe dje, por me synimin dhe vizionin tonë të qartë për të ardhmen.

Në këtë periudhë ne fituam edhe betejën juridike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të institucioneve të Kosovës, të gjithë qytetarëve të vendit tonë, shprehim mirënjohjen më të thellë për miqtë tanë, vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjithë vendet demokratike, që dje ndihmuan Kosovën, sot punojmë bashkërisht dhe po na përkrahin në vizionin tonë për të ardhmen euro-atlantike.

Sipas Thaçit, Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të saj.

Hidromorava

Shumë suksesshëm para pak muajsh përfunduam mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë. Ky ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm i bashkësisë ndërkombëtare për të arriturat e Republikës së Kosovës, qoftë në funksionimin demokratik të institucioneve, qoftë në integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit tonë, për rend dhe ligj, për implementimin e të gjitha kritereve demokratike në legjislacion, në ekonomi dhe sfera tjera. Prandaj, edhe festa dje aq madhështore ishte kurorëzim i këtij suksesi tonë të përbashkët.

Dje me atë festim institucional dhe gjithë qytetarë, Kosova tregoi dhe dëshmoi mesazhin e unitetit, të qëndresës, të besimit, të shpresës së sigurt për të ardhmen. Prandaj, jo rastësisht Kosova nga e gjithë bota demokratike vlerësohet si storje e suksesshme.

Thaçi tha se rezultatet për këtë pesë vjeçar kanë qenë të lakmueshme në të gjitha fushat, por ne jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të bëjmë edhe më tepër, prandaj edhe tash, që hyjmë në vitin e 6-të, hapet edhe kapitulli i integrimit në NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Deri më tani Kosova është e njohur prej 100 shteteve, por dje morëm edhe mesazhin e drejtpërdrejt nga presidenti i Egjiptit, presidenti Morsi, që e kishte dërguar në Kosovë zëvendëspresidenten, për të konfirmuar vendimin e Egjiptit, se është në rrugë të sigurt për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Prandaj, unë dëshiroj të falënderoj presidentin Morsi dhe popullin e Egjiptit për këtë besim dhe për këtë vendosmëri, pas takimeve që kemi zhvilluar me personalitetet dhe bartësit e institucioneve të Egjiptit.

Jam i bindur se njohja nga Egjipti do të përcillet dhe do të vazhdojë me njohje tjera të vendeve të ndryshme.

Fuqizimin e shtetit tonë e dëshmon edhe anëtarësimi jonë në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Tani, që kaluam dy kapituj të rëndësishëm të përpjekjeve tona , atë të lirisë pas çlirimit të vendit dhe shpalljes së pavarësisë, konsolidimit dhe forcimit, duhet të punojmë të gjithë që Kosova të dëshmoj paqe, fqinjësi të mirë, dhe stabilitet në rajon.

Ky përkushtim yni dhe i gjithë skenës politike kosovare, është mesazhi më i mirë se ne do të punojmë këmbëngulësisht për të ndërtuar Kosovën e re, Kosovën evropiane, Kosovën shumetnike, Kosovën atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, të shqiptarëve, të serbëve, malazezëve, romëve, kroatëve, goranëve, dhe komuniteteve tjera.

Pra, të ndërtojmë Kosovën më të zhvilluar, me mirëqenie edhe më të lartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ne po fillojmë vitin e gjashtë të pavarësisë, por në të njëjtën kohë përgjegjësitë tona vetëm sa do të rriten. Tani pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ne funksionojmë si vend sovran, me përgjegjësi të plota kushtetuese dhe ligjore.

Në kuadër të kësaj është edhe përkushtimi ynë, duke respektuar edhe obligimet ndërkombëtare, por edhe përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Në fund, Thaçi theksoi se “ edhe raundi i ri që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në Bruksel, përkushtimi ynë, pozicioni ynë, qëndrimet tona do të jenë shumë të qarta, për zgjerimin dhe ushtrimin e gjithë autoritetet tonë shtetëror në çdo cep të territorit të Republikës, për rend dhe ligj, për zhvillim ekonomik, për investime socio-ekonomike, që të kemi zgjedhje të lira edhe në veri, që të kemi shpërbërjen e plotë të strukturave të sigurisë, dhe integrimin e komunitetit serb në institucione dhe jetën shoqërore të Kosovës”.

Është në interesin e të gjithëve, që shtetet tona, shteti i Kosovës dhe Serbisë, të ndërtojnë fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për evropianizimin e gjithë rajonit, dhe integrimin e dy shteteve tona sovrane në NATO dhe Bashkim Evropian.

Të gjitha përgjegjësitë tona do të jenë kushtetuese dhe ligjore. Ne duam të besojmë se ky proces nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të përmbyllet me njohjet reciproke si dy vende sovrane, në mënyrë që të përmbyllet ai kapitull, ajo periudhë njëqind vjeçare e problemeve dhe konflikteve, dhe të hapet periudha e njohjes reciproke, e bashkëpunimit reciprok, dhe natyrisht e normalizimit të plotë të gjithë rajonit tonë, përfundoi Thaçi.