Fidanishtja

Thaçi harroi zotimin se “kurrë s’do të bisedojë me Serbinë për veriun”

/ 2 minuta lexim

Kur kishin mbetur vetëm dy ditë para se Kosova t’i mbushte katër vjet shtet, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ishte adresuar Kabinetit Qeveritar për të dhënë disa mesazhe të forta. Mesazhe dhe zotime, njëkohësisht.Më 15 shkurt të vitit të kaluar Thaçi kishte deklaruar se kurrë nuk do të flitet me Beogradin për veriun.

Kishte marrë shkak nga takimi i një dite më parë që kishte zgjatur me orë të tëra me ndërmjetësin e dialogut teknik Kosovë-Serbi, Robert Cooper. Asokohe diplomati evropian kishte prezantuar para kryeministrit të Kosovës përmbajtjen e fusnotës, me të cilën vendi do të paraqitej në nisma rajonale.

“Nuk ka bisedime me askënd për veriun e Kosovës, apo për çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullin e brendshëm”, pati dhënë zotimin kreu i Qeverisë.

RCCOLA

Atëkohë, pati shprehur rezerva edhe për formulën e fusnotës që e kishte prezantuar Cooper në shkurt të 2012-s, por ajo do të pranohej vetëm një muaj më vonë. Problem për të përbënte përmendja e Rezolutës 1244, që Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishe nxjerrë menjëherë pas luftës për Kosovën. Me të, Kosova njihet si pjesë e një vendi tjetër.

E një vit pas këtij deklarimi, kryeministri Thaçi ka harruar zotimin edhe në kontekst të dialogut për veriun. Prej muajsh vetë ai ka nisur të zhvillojë takime me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa në raundin e fundit që ka përfunduar në këtë fillimjavë, në tryezën e dialogut është shtruar pikërisht çështja e veriut, që tani nuk është duke e diskutuar me qytetarët e komunave veriore, sikur kishte premtuar, por me homologun e tij serb.

Informata është mbajtur fshehur gjatë kohë, përderisa ndërmjetësuesja e takimit Thaçi-Daçiq, baronesha Catherine Ashton, ka konfirmuar se temë e këtij takimi ka qenë pjesa më problematike e territorit kosovar ku Serbia vazhdon të mbajë prezencat e saj që nga shpallja e pavarësisë. Nuk ka pasur ende një dakordim për këtë, por kryeministrat ka mbetur të konsultohen në vendet që përfaqësojnë dhe më 5 mars të mbërrijnë ujdinë./koha.net/