RCCOLA

Thaçi e ka nisur fushatën parazgjedhore

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka nisur fushatës parazgjedhore, pavarësisht asaj nëse zgjedhjet do të mbahen në prill, në qershor apo në shtator. Gjatë dhjetë ditëve të fundit opinioni është “bombarduar” nga premtimet e shefit të qeverisë.
Një natë para festimit të përvjetorit të gjashtë të pavarësisë së Kosovës, Thaçi ka paralajmëruar se do t’i rrisë pagat e shërbyesve publik për njëzet për qind.

E, gjatë festimit të 17 shkurtit ai ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të bëhet Forca Ushtarake e Kosovës – FAK.

Këtë, siç ka thënë ai, vendim të Qeverisë së Kosovës, ai e ka dhënë teksa ka folur para mijëra qytetarëve të mbledhur në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të përcjellë parakalimin e FSK-së, dhe gjithashtu derisa RTK-ja po e transmetonte direkt fjalimin e tij.

Fushata ka vazhduar, por kësaj radhe me veteranët e luftës. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, që ishte e para pas përvjetorit të pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi e ka lavdëruar qeverinë që ai e drejton për hartimin e Ligjit për veteranët e UÇK-së, të cilin e ka miratuar kabineti qeveritar në atë mbledhje.

Në këtë mbledhje ai ka ngritur kokën lartë dhe ka urdhëruar ministrin e Financave, Besim Beqaj, që ta bëjë gati vendimin për ngritje të pagave.

Sikur mos t’i mjaftonte kjo, në faqen e tij në Facebook ai iu ka treguar “miqve” se Qeveria e Kosovës e ka nisur Ligjin për veteranët e UÇK-së për në Kuvend, ndërsa është lavdëruar edhe për “suksese” të tjera.

Së fundi, kryeministri ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës për të “drekuar me ushtrinë” dhe për të mbajtur një fjalim para pjesëtarëve të kësaj force, e natyrisht, edhe aty ka vazhduar me fushatë, duke iu treguar pjesëtarëve të FSK-së se së shpejti do të quhen pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Mobi Casa

Të gjitha “lëvizjet” e fundit të kryeministrit Thaçi nga partitë opozitare dhe shoqëria civile konsiderohen si fushatë për mbledhjen e votave.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, thotë se është e qartë se kryeministri Thaçi të gjitha këto premtime i bënë si pjesë e fushatës, siç thotë ajo, të cilën e ka filluar para kohe.

“Sikur t’i interesonte vërtetë për këto kategori ka pasur mundësi t’i marrë këto vendime jo të pres kohen e zgjedhjeve. Asgjë nuk e ka ndaluar atë që deri tani ta sjellë Ligjin për veteranët, por me qëllim deri tani e ka bllokuar”, thotë ajo.

Osmani thekson se është pakoja e Ahtisarit dhe Ligji për FSK-në që ka lejuar transformimin dhe rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë qysh ne vitin 2013, por, sipas saj, kjo nuk është bërë me kohë dhe po shfrytëzohet vetëm për fushatë, ngase, siç thotë ajo, dihet mirë që pa ndryshime kushtetuese një gjë e tillë s’mund të ndodhë.

Edhe analisti Shpend Kursani mendon se kryeministri i vendit e ka nisur fushatën disa muaj para kohe.

“Sidomos Ligji për veteranët e luftës dhe shndërrimi i FSK-së në Forcë të Armatosur apo Forcë Ushtarake janë politika të nevojshme për Kosovën, dhe jo vetëm tani, por edhe në momentin e shpalljes së pavarësisë. Mirëpo me premtimet e fundit që kryeministri Thaçi po i bënë gjoja se do t’i zbatojë të gjitha këto vetëm pak muaj para zgjedhjeve, janë veprime pothuajse identike me ato të ish-kryetarit të kryeqytetit Isa Mustafa i cili i humbi zgjedhjet duke irrituar elektoratin me punën e tij parazgjedhore”, thotë ai.

Sipas tij, fakti që kryeministri po dëshiron t’i bëjë këto “të mira” vetëm pak muaj para zgjedhjeve tregon më së miri se veteranët e luftës, forcat e armatosura, dhe punonjësit e sektorit publik kryeministri Thaçi nuk i do për Kosovën por për interesa të ngushta politike./Gazeta Blic/