UBT

Thaçi e di datën

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Hashim Thaçi e di datën e liberalizimit të vizave, sepse e ka në dorë përmbushjen e kushteve të Brukselit. Ai s’mund t’ia adresojë askujt tjetër fajin për dështimin e madh.

Ata që iu kishin besuar premtimeve të Hashim Thaçit në fushatën e nëntorit 2010 do të duhej të kishin nisur udhëtimin pa viza nëpër Europë qysh para një viti. Lideri i PDK’së thoshte atëbotë se vizat do të hiqeshin për 15 muaj. Por, që atëherë kanë kaluar 27 muaj dhe kosovarët vazhdojnë të maltretohen duke pritur në radhë para ambasadave. Gjasat janë që së paku edhe 15 muaj të tjerë të poshtërohen duke pritur për një vizë, në kohën kur qytetarët e vendeve të rajonit ka kohë që e gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Thaçi po e bënte premtimin e bujshëm dy vjet e gjysmë pas pavarësisë – atëherë kur thoshte se vetëm ai e dinte se cilën ditë Kosova do të shpallej shtet i mëvetësishëm. Mbase mund të ketë pasur të atillë që kanë besuar se ai e di edhe datën e liberalizimit të vizave. Ose, mbase e ka ditur datën vërtet, por jo për shkak se ka pasur dhunti Nostradamusi, por e ka pasur në dorë të qeveris si duhet.

I rrëmbyer nga magjia e pushtetit, atij nuk i doli parashikimi, siç nuk iu doli vite më mbrapa as vartësve të tij, që tash me arrogancë thonë se nuk duan të qesin fall për data.

Dhe nuk kishte si t’i plotësohej profecia, sepse qeveria e tij, në vend se të fokusohej në punë e qeverisje të pastër, u mbërthye nga krimi e korrupsioni, nepotizmi e papërgjegjësia. Skandalet zinin njëri-tjetrin, madje më së shumti ndodhnin në ministrinë që është bartëse e procesit të liberalizmit të vizave.

Tash, kur Komisioni Europian i dha një dush të ftohtë Qeverisë Thaçi, duke ia bërë të qartë kriteret që duhet plotësuar dhe punën që duhet bërë, Kryeministri kërkon fajin jo te vetja, as te qeveria e tij, as te vartës të tij skandalozë, por në Bruksel. Tek pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit që udhëheq. Thua se Europa ka faj për aferën e pasaportave, thua se Europa ka faj për skandalet rreth riatdhesimit. Për korrupsion e krim të organizuar, nivelin e sistemit gjyqësor, mosrespektimin e të drejtave të njeriut.

Të gjitha këto, edhe po të ishin veç përfolje, do të ndikonin për të keq në imazhin e vendit dhe në vendimin e Komisionit. Sepse, këto problem nuk kanë të bëjnë thjesht vetëm me një proces teknik të udhëtimit pa viza, por edhe me jetësimin e një shteti funksional, që nuk po shihet i tillë as pas pesë vjetësh pavarësi.

Tash, pas dështimit të madh, Hashim Thaçi duhet ta dijë datën – e di datën kur kosovarët do të mund të lëvizin të lirë.

Thaçi e di datën, sepse vetëm ai e ka në dorë të tregojë vullnetin politik dhe të ndërmarrë veprime serioze për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Thaçi e di datën, sepse vetëm ai e ka në dorë të marrë masa ndaj atyre që krijojnë çdo ditë skandale e afera, duke u bërë përrallë faqe botës.

Thaçi e di datën, sepse vetëm ai e ka në dorë të punojë, e të mos përdor retorikë boshe, të mos premtojë kot, të mos gënjejë për gjëra që s’mund t’i realizojë.

HW

Thaçi e di datën, sepse e ka në dorë të zhvillojë vendin ekonomikisht, duke bërë që të ulet numri i qytetarëve që emigrojnë ilegalisht – jo nga qejfi, por nga derti.

Thaçi e di datën, sepse vetëm ai mund të bëjë që detyrat e parashtuara nga BE të përmbushen sa më shpejt që është e mundur.

Thaçi e di datën, sepse më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit, në Kosovë ekziston koncensus i përgjithshëm politik për procesin e liberalizmit dhe të integrimeve.

Thaçi e di datën, por para se të premtojë sërish dhe t’i fajësojë të tjerët për dështimin, ai duhet të tregojë vullnet politik për t’i luftuar të gjitha të këqijat e këtij vendi.

Natyrisht, Brukseli e mban pjesën e vet të përgjegjësisë për Kosovën, por detyrat e shtëpisë duhet t’i kryejë Prishtina.

• * *

Në përpjekje për të mbuluar dështimin e vet, Hashim Thaçi dy ditët e fundit iu ka gjuajtur Brukselit, duke e fajësuar për mosheqjen e vizave. Në këtë mënyrë, ai duket se e ka adoptuar për mrekulli “shkollën politike” të Sali Berishës, i cili për dështimet në qeverisje, provon të gjejë fajtorë kujdestarë jashtë ose të jep deklarata të forta patriotike.

Por, ndryshe nga Berisha, i cili për gjithçka fajëson opozitën, Thaçi zgjodhi ta sulmojë Europën. Që të dy, ndërkaq, gjejnë vend nën strehën e patriotizmit – kur i pari merr bajrakun e bashkimit kombëtar, duke premtuar pasaporta, ligë futbolli e çka jo tjetër, teksa i dyti kërcënon me akomodimin e shqiptarëve në BE “më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm”.

Fshehja nën strehën e patriotizmit dhe refuzimi për të marrë përgjegjësi për dështimet e horllëqet, s’është gjë tjetër veç ligësi e poshtërsi.

S’ka thënë më kot Samuel Johnson se patriotizmi është streha e fundit e horrave.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.