Tekstet shqip nuk shkuan në Luginë të Preshevës, ja sqarimi i ministrit Arsim Bajrami

Në pyetjen e deputetes, Alma Lama, përkatësisht kërkim sqarim nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, rreth mos dërgimit të teksteve shqip drejt Luginës së Preshevës, ministri Bajrami ka dhënë sqarimin e tij.
Sipas ministrit Bajrami, tekstet shkollore, Ministria e Arsimit ka propozuar në qeveri që të furnizohen të gjithë nxënësit e Luginës që nga klasa e parë.
“Ne i kemi dërguar tekstet shkollore në fillim të shtatorit”, ka thënë Bajrami, raporton Telegrafi.
Gjithashtu ai ka thënë se kjo çështje është diskutuar në Bruksel.
“Kam vizituar paraprakisht Luginën e Preshevës dhe kam parë që ata mësojnë me tekste të papërshtatshme. Pavarësisht vullnetit të mirë të ndërkombëtarëve, fatkeqësisht Serbia e ka zvarritur këtë çështje dhe nuk i ka lejuar të shkojnë ato për ku janë destinuar. Tekstet nuk janë kthyer nga Serbia, por janë kthyer sepse ato kanë qëndruar 6 muaj në terminal”, ka bërë të ditur Bajrami.
Ai ka shtuar se menjëherë pas kësaj, ai ka kërkuar reciprocitet me Serbinë, sa i përket teksteve shkollore.
“Ne kemi kuptuar pastaj se disa tekste kanë hyrë pa leje, dhe kemi kërkuar shpjegim se si ka qenë e mundshme që të futet një kontingjent i tillë. Ne jemi të vendosur për reciprocitet”, ka shtuar më tej ministri Arsim Bajrami. /Telegrafi/