Fundamenti

Teatri i Gjilanit në “vdekje klinike”

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Ansambli i Teatrit Profesionit të Gjilanit prej fundit të dhjetorit të vitit të kaluar nuk ka bërë më asnjë projekt, dhe nuk është “ndier i gjallë” askund. Për shkak të paqartësive në raportet Komunë-Teatër, aktorët e këtij institucioni ka me muaj që nuk i marrin pagat. Ata nuk kanë as kontrata. Komuniteti i artit vlerëson se Teatri i Gjilanit asocon në rastet sociale.

Aktorët e Teatrit të Gjilanit ka tre muaj që nuk kanë marrë paga nga ky institucion, ndërkaq, prej shfaqjes që është punuar për Festivalin “Talia e Flakës”, që mbahet në Flaka e Janarit nuk kanë nisur ndonjë projekt të ri, sikurse të njëjtit që nuk prezantuar as repriza.

Paqartësitë ligjore në mes të Komunës së Gjilanit dhe teatrit të këtij qyteti kanë bërë që “arka” e këtij institucioni kulturor të mbetet pa asnjë cent, dhe si rrjedhojë aktorët që i takojnë ansamblit të Teatrit të mos i marrin pagat për punën që kanë bërë.

Në fakt, menaxhmenti i Teatrit iu ka mbetur borxh aktorëve vetëm për muajin dhjetor të vitit të kaluar, ndërkaq, sivjet nuk janë bërë fare kontratat e reja, meqenëse, nënshkrimi i kontratës në mes të një aktori dhe teatrit e obligon këtë të fundit që t’ia jap pagën për çdo muaj.

Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Ali Demi, thotë se e ka pasur të pamundur të nënshkruaj kontrata me aktorët, ngase, një gjë e tillë do t’i fuste atë në obligime financiare ndaj tyre.

“Krejt problemi që po vazhdon tek ne për fat të keq qe sa vjet është se ne nuk jemi të sistemuar në buxhet të konsoliduar të Kosovës, jemi me subvencione. Edhe prej vitit të kaluar na ka mbetur dhjetori borxh, e tash është problemi se si të funksionojnë në të ardhmen”, thotë ai, duke shtuar se borxhi për një muaj e kap shumën rreth dhjetëmijë euro.

Sipas tij Teatri i Gjilanit përherë ka funksionuar duke marrë subvencione nga Komuna për t’ua dhënë pagat aktorëve, ndërsa, mungesa e këtyre subvencioneve ka bërë që aktorët e Ansamblit të Teatrit të mos angazhohen fare në ndonjë projekt të ri.

“Tash jemi duke biseduar me drejtorinë e Kulturës e me komunën që ta shohim se çka po mund të bëjmë. Nga kontratat e vitit të kaluar kemi mbetur borxh për muajin dhjetor, e këtë vit nuk kemi kontrata fare. Për këtë muaj pa më dhënë leje kryetari i komunës që të bëjë kontrata unë nuk mund të bëj një hap të tillë, dhe konsideroj se unë si kam borxh askujt sepse njerëzit nuk janë në punë. Mua çdo vit mu ka dashtë mbështetje nga kryetari i komunës që t’ua bëjë kontratat njëvjeçare e të bëjmë qare me subvencione, tash ende nuk kam kontrata me kryetarin e ri sepse është ndërruar pushteti. Në momentin që bëhen kontratat fillojnë obligimet”, nënvizon ai, duke shtuar se pa kontrata nuk janë vetëm aktorët por edhe stafi teknik.

Demi: Tetëmbëdhjetë aktor po rrinë “të pensionuar”

Sipas tij, në Ansamblin e Teatrit Profesionist të Gjilanit janë tetëmbëdhjetë aktor, e të cilët nuk janë përfshirë ende në asnjë shfaqje pikërisht për shkak të mungesës së kontratave, gjegjësisht, të mjeteve financiare.

“Kjo gjendje normal që e pengon procesin e rregullt të punës së teatrit. Në kushte normale ne tash do të ishim në prova duke bërë shfaqje, siç e kemi obligim. Por s’po varet nga ne kjo. Pa pare s’mund të bëjmë shfaqje sepse duhesh mi bë kontrata me artistë edhe me ditë kënd e ke në punë”, thotë Demi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Komunës së Gjilanit thonë se janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje ligjore, ngase, sipas tyre, është e paligjshme që subvencionet të ndahen për paga.

Bujar Haziri nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Gjilanit
“Ne nuk kemi asnjë vendim të Kuvendit që do të thotë se iu kemi obligim atyre (teatrit). Nga ndarja buxhetore e vitit të kaluar ne nuk kemi asnjë vendim që t’i paguajmë ata”, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kulturës në Komunën e Gjilanit, Bujar Haziri.

Sipas tij, Komuna e Gjilanit është duke e bërë ristrukturimin e Drejtorisë së Kulturës, ku në mes tjerash, Teatri do të jetë njësi e pavarur kulturore dhe buxhetore.
“Kështu mendojmë ta ndërtojmë një sistem, sepse qe katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vite është ky avaz. Unë edhe përpara kam qenë brenda edhe e di si ka funksionuar kjo gjë”, thotë ai.

Eco Higjiena

Haziri thekson se për ta shkëputur teatrin nga politika, gjegjësisht, autoritetet komunale, kjo çështje fillimisht duhet të kalojë në Kuvendin Komunal, dhe aty të përcaktohet forma dhe mënyra se si do të funksionojë teatri.

Zymberi: Aktorët e rinj pa paga që nga shtatori 2013

Fakti se Teatri i Gjilani është në “pushim të dhunshëm” tash e tre muaj është shqetësues edhe për komunitetin e artit.
Regjisori Erson Zymberi thotë se nuk janë vetëm aktorët e vjetër ata që nuk janë paguar nga menaxhmenti i Teatrit të Gjilanit, por fat edhe më të keq kanë kolegët e tyre, të cilët cilësohen si aktor të rinj.

”E vërteta është që aktorët e rinj të Teatrit të Qytetit Gjilan nuk i kanë marrë pagat nga shtatori i vitit 2013, ndërsa aktorët e vjetër nuk i kanë marrë pagat nga dhjetori i vitit 2013. E vërteta tjetër qëndron në faktin që aktorët e Teatrit të Qytetit të Gjilanit tash e 10 vjet nuk kanë kontratë të rregullt të punës dhe herë pas here paguhen nga subvencionet e Komunës me kontrata në vepër. Kjo krijon probleme, vonesa në pagesa dhe vështirësi në mbarëvajtjen konstante të repertorit”, thotë ai.

Sipas tij, këtë gjendje e ka krijuar Ministria e Kulturës, drejtuesit e së cilës kanë nxjerrë një rregullore me të cilën “ka rregulluar” gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës, por vetëm për punëtorët e institucioneve që janë në varësi të kësaj ministrie.

Erson Zymberi, regjisor

“Ky veprim diskrimimon dhe i lë pa statut të gjithë ata aktorë/artistë apo performues tjerë, të cilët nuk janë pjesë e institucioneve të Ministrisë së Kulturës. Rrjedhimisht, si pasojë e kësaj gjendjeje, ne kemi në vazhdimësi probleme të krijimit të ansambleve nëpër Teatrot e Qyteteve. Derisa kjo nuk zgjidhet, ne nuk mund të prodhojmë vlera të mirëfillta artistike, nuk mund të kemi teatro të mirëfillta që prodhojnë kulturë dhe janë konkurrente së paku me teatrot tjera na vendet fqinje”, thotë ai.

Sipas tij, gjendja aktuale në Teatrin e Gjilanit nënkupton që automatikisht krijohen problemet e krijimit të repertorit artistik të vitit 2014, reprizimit të shfaqjeve ekzistuese, realizimit të objektivave të caktuara kulturore, si dhe ndikon negativisht e poashtu e largon automatikisht spektaktorin nga teatri.

Sopi: Teatri i Gjilanit nënkupton rastet sociale

Ndërkaq, regjisori Ekrem Sopi, thotë se është e dhimbshme se si është krijuar perceptimi se në momentin që përmendet Teatri i Gjilanit mendja të shkon tek rastet sociale.
Ai thotë se problem është fakti se, siç shprehet ai, trupat rezidente po e mbysin teatrin, po e pasivizojnë jetën teatrale dhe po e mbysin kreativitetin.

“Vete aktoret fillojnë ta shohin teatrin vetëm si vend pune. Arti nuk është zanat, aty duhet qetësi, dije serioze, duhet ta shohësh të ardhmen. Duhet të arsyetosh kreativitetin për të cilin je i thirrur. Unë jam pro asaj që një pjesë që ka arritur një moshë të shtyrë edhe të jenë rezidente, kur kemi parasysh rrethanat e Kosovës. Mirëpo edhe kjo me projekte, duhet te behet me kujdes, ngase ne nuk kemi kulturë që të mos ndikohemi nga klanet. Shikoj të gjitha postet kulturore-politike, profesorët universitar, kanë krijuar klane rreth vetes. Duhet ta kuptojmë se ne edhe në ndërgjegje edhe në kulturë jemi gjashtë vjeçar e edhe në politike aq vjet i kemi”, thotë ai.

Ai shprehet i shqetësuar edhe me politikat kulturore në vend. Dikasteret shtetërore që merren me këtë gjë nuk janë duke ia ditur rendin kësaj pune.

“Një shfaqje kushton pesëdhjetëmijë euro dhe nuk ka destinacion. Jepet premiera, dy repriza dhe shuhet. Kosova nuk e ka këtë komoditet, drejtorët duhet të japin llogari, ta arsyetojnë rrogën që e marrin. Lehte është ta gjuash fajin diku tjetër. Vetë fjala drejtor të shpjegon mirë punën që duhet ta bëjë drejtori”, nënvizon ai./KultPlus.com