Mobi Casa

Të shkruash në burg

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

‘Burgologjia’, siç e quan shkrimtari Visar Zhiti, është një formë e re e letërsisë e shkruar gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri nga autorët që kanë përjetuar tmerret e burgut në kohën e regjimit komunist.

Dy prej tyre, Fatos Lubonja dhe Visar Zhiti, autorë të librave me kujtime nga burgu, flasin për përvojat e tyre të burgut dhe për arsyet që i kanë shtyrë për t’iu kthyer kësaj periudhe.

Librat me kujtime nga burgu kanë marrë hov në Shqipëri vetëm gjatë njëzet viteve të fundit. Shkrimtarët dhe intelektualët e shumtë, që kanë qenë të burgosur gjatë regjimit komunist, nuk kanë mundur të rrinë pa e dokumentuar njërën prej periudhave më të errëta të historisë shqiptare.

Dy prej tyre, Fatos Lubonja dhe Visar Zhiti, në një intervistë paralele për Mapo, evokojnë kujtime të asaj kohe, japin arsyet që i kanë shtyrë të shkruajnë kujtime nga burgu dhe tregojnë për procesin e të shkruarit në burg.

Për Fatos Lubonjën, kuptimi i jetës është t’i rrëfejë dhe t’i transmetojë eksperiencën personale, ndjenjat, emocionet, shoqërisë, në mënyrë që ajo të mësojë prej saj. Ndërsa për Visar Zhitin, të shkruarit e kujtimeve nga burgu nxitet nga përvoja, ndërgjegjja dhe përgjegjësia.

“Filozofia ime e jetës, e ndërtuar pak nga pak edhe sot, sidomos me burgun e mbrapa është: në jetën e njeriut ka dy seri ngjarjesh. Një seri ngjarjesh që na ndodhin për shkak të fatit tonë që vjen nga zotat ose diktatori, por është dhe një seri tjetër ngjarjesh që nuk varet nga vullneti i zotave dhe diktatorit, por nga ne vetë, që i diktojmë me vullnetin tonë.

Në jetë njeriu lufton që fatin e tij ta bëjë destinacionin e jetës së tij. Në rastin konkret ishte vullneti i diktatorit që përcaktoi fatin tim dhe të hyja në burg, por isha unë që këtij fati u mundova t’i jepja një kuptim.

Meqenëse kisha një prirje për letërsi, gjithçka që unë kam vuajtur në njëfarë mënyre e kam parë dhe me idenë se duhet shkruar që atëherë pa pasur më idenë se në fund fare do lirohem dhe do të kem mundësi t’i bëja libër ato që shkruaja”, është shprehur Lubonja. Ai ka treguar edhe faktin se si ka shkruar në letra cigareje.

Eco Higjiena

Po ashtu, Lubonja në burg ka bërë edhe shumë përkthime. Njëkohësisht tregon se ka shkruar ditarin e burgut, që është një nga format e të shprehurit, ashtu sikurse është dhe një pjesë e rëndësishme e letërsisë së kujtimeve, që përgjithësisht në Shqipëri mungon, letërsia epistolare. “Letrat e shkruara nga burgu, korrespondencat që unë kam me babain dhe nënën time, e cila shkruante një letër në javë, dhe letra ishte katër faqe.

Të gjitha këto janë mënyra komunikimi. Dua të them se ideja primare nuk ishte për të shkruar një libër, por ishte një mënyrë komunikimi e njeriut me vetveten dhe me të tjerët. Kështu që në njëfarë mënyre ky komunikim fillon me burgun, por vazhdon dhe me post-burgun”, shprehet ai.

Sipas tij, lënia e dëshmisë nuk është thjesht rrëfim, por është një përvojë që ia jep shoqërisë, në mënyrë që ajo të mësojë prej saj. Dhe padyshim që kjo është një element shumë i rëndësishëm. Pjesa më e rëndësishme e të rrëfyerit të kësaj periudhe, sipas Lubonjës, ka të bëjë me emocionet.

“Ndoshta kthimi tek ajo histori është një lloj përpunimi i traumës. Është një lloj autoterapie. Është pak e vështirë për t’u shpjeguar kjo, por mendoj se në njëfarë mënyre kërkon t’i japësh një kuptim asaj jete dhe jo ta shohësh si jetë e shkuar dëm”, shprehet ai.

Ndërkaq, për Visar Zhitin, burgu, i cili sintetizon më mirë se gjithçka një shoqëri, kohën dhe sistemin, jep mundësinë që ti të zbulosh një të vërtetë dhe nëpërmjet saj të shpalosësh moralin kolektiv dhe individual. Ndërgjegjen e kohës.

“Këto janë pak a shumë shpjegimet e mia, por joshjet për t’i shkruar ato si letërsi, ku dokumenti të shndërrohet në dokument artistik, janë nga më misteriozet dhe më të pashpjegueshmet. Mbase për të shpikur liri sa më shumë, siç nxjerrim ujë nga një pus i errët”, është shprehur ai. Ai thotë se dëshiron t’i japë letërsisë atë që i ka dhënë jeta. Zhiti shton se mbi sh shpatullat e tij bie barra për të treguar krimin, ndërsa ndjehet i lumtur që ai nuk ka marrë pjesë në ata që e ushtruan krimin, që e kishin zanat, mendësi, doktrinë, por në ata që e pësuan krimin dhe dinë ta shndërrojnë në vlerë artistike, që e përjetësojnë, jo për të vrarë prapë, por që të ruhen prej tij.

“Kjo vjen si nevojë e brendshme e të gjithëve që përzgjedhin disa për të thënë të vërtetat dhe moralin që del prej tyre. Kishin munguar prej kohësh në letrat tona. Prandaj dhe po shkruajnë për krimet e diktaturës, për burgjet dhe internimet, si pengoheshin njerëz edhe ata shkrimtarë që nuk i kanë pësuar këto mbi lëkurën e tyre, madje mund të kenë qenë pjesë e mekanizmit të dhunës me forma nga më të ndryshmet. Pra, të paktën të tregojmë tani, gjë që s’është pak”, thekson Zhiti. Këtë lloj letërsie ai e krahason me atë që në botë quhet ‘kultura e holokaustit’ dhe përmend shkrimtarin nobelist, Imre Kërtez, i cili merret vetëm me këtë lloj letërsie.

Ai thotë se po zhvillohet një metodë letrare, të cilën e quan ‘Realizëm i dënuar’, pra letërsia e një realiteti të dënuar. Kjo, sipas tij, të jep aftësinë e dënimit të së keqes, e frikës së mençur se mos përsëriten dukuritë e saj dhe aftësinë e vetëmbrojtjes kolektive.(express)