RCCOLA

Të rinjtë kanë shumë kërkesa për kandidatët e Gjilanit

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Në organizim të OJQ-së “Change”, është mbajtur një debat me temën “Hajde! T’ju tregojmë kandidatëve për kryetar se çka duan të rinjtë”, në të cilin të rinj të komunës së Gjilanit kanë shpalosur mangësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen.

Ndërtimi i qendrave rekreative e sportive dhe rritja e hapësirës për shtrirjen e aktiviteteve rinore kanë qenë disa nga kërkesat e të rinjve në këtë debat, të cilët poashtu kanë bërë apel nga kandidatët për kryetar komune që kërkesat e tyre t`i marrin më seriozisht.

Amir Zeqiri, nga OJQ , “Change”, ka thënë se qëllimi i këtij debati është shpalosja e mangësive dhe shtrimi i kërkesave të të rinjve përball kandidatëve për kryetar të Gjilanit.“Në këtë debat synohet që të vihen në pah kërkesat e të rinjve karshi kandidatëve për kryetar komune me qëllim që ato të jenë të njohura për ta dhe në pritje për realizim”, ka thënë ai.

Blend Kurtalani, student i fakultetit ekonomik ka thënë se komuna e Gjilanit ka shumë të meta në ofrimin e kushteve për rekreacion dhe zhvillim të aktiviteteve rinore duke shtuar se tashmë është bërë shprehi që vendtakim kyç për ta të jenë kafiteritë, e jo qendrat sportive apo kinematë. “Personalisht mendoj se rinia jonë ka nevojë për më shumë qendra sportive e vende rekreacioni ngase thirremi si vend që kemi një rini të shëndosh , derisa ndodh e kundërta, sepse vendtakim i rinisë tonë janë bërë kafenetë të cilat nuk prodhojnë asgjë veçse shterin xhepat tanë edhe ashtu bosh”, ka thënë ai duke shtuar se edhe ato pak vende rekreative siç është stadiumi i qytetit i cili hapësirat përreth i ka të mbushura me shiringa e vendtakime të narkomanëve.

Edhe Genta Shabani, kandidate e re për këshilltare nga “Vatra”, ka kërkuar nga të rinjtë që të jenë më të vendosur kur bëhet fjalë në ngritjen e zërit për shtrimin e kërkesave të tyre. Ajo poashtu ka thënë se aktualisht komuna ka ngecje në shumë sektor e në veçanti tek ai i arsimit , i cili sipas saj, duhet të jetë baza e zhvillimit të së ardhmes, derisa po dëshmon të kundërtën, sepse siç thotë ajo në shkollat tona ende mund të gjesh në numër të konsiderueshëm mësimdhënësish të pakualifikuar . “Kemi shume ngecje në sektorin e arsimit , janë mësimdhënësit e pakualifikuar në disa fshatra, puna e dobët e inspeksionit komunal si dhe sistemi i dobët i sigurisë në shkolla të cilat viteve të fundit janë bërë cak i rrahjeve e huliganizmit”ka thënë ajo.

Shabani poashtu ka dhënë vërejtje edhe në shërbimet e administratës komunale .”Secili person që shkon në komunë ose administratë për pajisje të dokumentacionit ka problem , kjo për shkak të mos kualifikimit të duhur të stafit në administratë kur dihet se mosha mesatare e punëtorëve është 40 dhe 50 vjeç”, ka thënë ajo duke shtuat se për nga zhvillimi infrastrukturor komuna e Gjilanit qëndron dukshëm më keq se sa qytetet e tjera në vend.

Halil Murseli, student në fakultetin Juridik në Gjilan, ka thënë se sikurse komunat e tjera dëshirojmë rrugë me dy korsi dhe përmirësim të gjendjes në trafikun urban.” Duam që autostrada të kaloj edhe në Gjilan dhe të na lidh me Luginën e Preshevës, e poashtu rrugë me dy korsi në mënyrë që komunikacioni të jetë më i sigurt”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet që të përfundohet edhe projekti i mbetur në gjysmë “Rregullimi i parkut në lagjen “Arbëria”.

Mobi Casa

Remzi Hyseni , poashtu student i fakultetit juridik ka kërkuar që edhe në lagjen “Dardania” të ketë mundësi për rekreacion për banorët, duke shtuar se përkundër premtimeve për rregullimin urban të lagjes asgjë nuk është bërë gjer më tani.

Besarti Selimi, aktivist i VV ka thënë se papastërtia e lumit “Mirusha”, mungesa e ndriçimit dhe furnizimi i rregullt me ujë janë problemet më të mëdha me të cilat aktualisht po përballen qytetarët .”Mungesa e ndriçimit në disa lagje të qytetit dhe fshatrave ka ndikuar dukshëm në rënien e sigurisë dhe është bërë shkas për incidente e vjedhje”, ka thënë ai.

Selimi poashtu ka folur edhe për nepotizmin në shëndetësi, duke thënë se ka shumë student të mjekësisë të papunë në komunën tonë , mungesa e barnave esenciale, nuk ka bibliotekë , nuk keme qendra rekreative , thjesht të rinjtë nuk kanë vend takim tjetër pos kafiterive.

Edon Buca, gjithashtu aktivist i VV ka thënë se të rinjtë nuk duan asgjë më tepër veçse të përfundohen projektet e lëna në gjysmë siç është ai i rregullimit të shtratit të Mirushës si dhe ndërtimi i bibliotekës së qytetit. “Nga kanalizimi nëntokësor Gjilani po behet minideti nga të reshurat atmosferike, andaj kërkojmë që kreu i ardhshëm i komunës të filloj projektin për rregullimin e ujërave atmosferike”, ka thënë.

Ai ka shtuar se përgjegjësi dhe profesionalizëm nga stafi mjekësor në Spitalin e Gjilanit, ku ka plot raste kur fëmijët lindin me pasoja për shkak se në lindje ka munguar prezenca e mjekut kryesor sepse mjeket mungojnë në spitale e punojnë në ordinancë private.”Kërkoj që qeveria të nxjerrë në pah ligjin që mjeket të përcaktohen në mes punës publike edhe private‘ , ka thënë ai.

Vigjilent Kurti , student i aktrimit, ka thënë se problem tjetër në komunë është edhe mungesa e papunësisë, ku shumë të rinj përkundër përfundimit të studimeve mbeten në rrugë.” Ndarja e profileve nuk është e pranueshme për ne ngase pesë mijë student aktualisht janë vetëm në drejtimet ekonomik e juridik, të cilët pas përfundimit të studimeve mbeten në rrugë apo disa nga ta rrugë të vetme kanë migrimin nga vendi”, ka thënë ai.

Ai problem e sheh edhe mosfunksionimin e projektit policia në lagje, duke shtuar se edhe pse këta mekanizma janë të thirrur për mbrojtjen e qytetarëve, nuk po funksionojnë, pastaj shumë shpesh ndodh që të ketë therje mes nxënësve e rrahje si pasoj e mungesës së hapësirave të sigurta në shkolla. /arbaaliu//rajonipress/