Të rinjtë kamenicas mbështesin fuqishëm Surdullin

Kamenicë – Nën organizim të Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Kamenicë, të dielën u mbajt takim me të rinjtë e komunës së Kamenicës. Këtë takim e bënë më madhështorë edhe prania e kryetarit të FRLDK-së, nga niveli qendror Armend Ibrahimi, profesor Azem Hajdarit dhe deputetit Haki Demollit.
Kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, njëherazi kandidati për kryetar , Shaip Surdulli tha se me një buxhet shumë të vogël në Komunën e Kamenicës, është investuar në arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore, bursa për studentë, subvencione për bujqësi dhe të tjera. “Ne në çdo lagje në çdo fshat dalim ballë hapur para banorëve, ngase pothuaj se asnjë fshat apo lagje nuk ka mbetur pa u investuar ndonjë projekt” tha Surdulli.
Sekretari i FRLDK-së, Dega në Kamenicë, Alban Mehmeti, theksoi se jemi mbledhur sot që ta përkrahim fitoren e madhe të LDK-së, ta përkrahim njeriun e ndershëm, njeriun e vlerave Shaip Surdullin. “ Kryetari Surdulli, gjatë mandatit të tij katër vjeçar ka përkrahur të rinjtë, ka punuar për arsim, shëndetësi, sport etj. Me ndershmëri udhëhoqi komunën nga fitorja në fitore” ka thënë Albana Mehmeti.
Kurse, Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Armend Ibrahimi, porositi të rinjtë që të punojnë maksimalisht për kryetarin Surdulli, pasi sipas tij kryetari Surdulli është përkrahësi më i madh jo vetëm i rinisë, por i të gjitha gjeneratave.
“Ne bashkërisht duhet të punojmë që ta largojmë të keqen nga vendi jonë, ne jemi edhe ardhmëria e këtij vendi. Duhet të punojmë sot për komunën e nesër edhe për Kosovën” tha ndër të tjera Ibrahimi.
Ndërkaq, Azem Hajdari dhe deputeti Haki Demolli, thanë se në Kamenicë me një buxhet shumë të cunguar, por me një menaxhim të mirë të kryetarit Surdulli, janë arritur që të realizohen qindra projekte.
Ata ftuan të gjithë të rinjtë që më 1 dhjetor të dalin ta përkrahin kryetarin Surdulli, siç e kanë përkrahur edhe deri më tani./rajonipress/