Fundamenti

Të rinjtë e AAK preokupohen edhe për papunësinë tek të rinjtë

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Aleanca e të Rinjve të Kosovës – Dega në Gjilan, të hënën ka vazhduar me takimin e radhës, në kuadër të takimeve të shumta të zhvilluara me institucione dhe OJQ lokale, gjatë javëve të fundit.

Kryetari i ARK-së në Gjilan Labinot Hyseni, i shoqëruar edhe sot nga anëtarë të kryesisë së tij, kanë vizituar Qendrën për Punësim në Gjilan, ku janë pritur nga drejtori i kësaj qendre, Xhevat Aliu.

Hyseni ka falënderuar drejtorin Aliu për pritjen, ndërsa ka shtuar se njëjtë siç kanë qenë edhe takimet e zhvilluara javëve të fundit nga ARK-ja, edhe ky takim ka për qëllim marrjen e një pasqyreje të gjendjes aktuale kryesisht të të rinjve, të cilët janë regjistruar në Qendrës për Punësim, si dhe për metodat dhe procedurat e pjesëmarrjes në këtë qendër.“Në interesin tonë është të dimë se sa janë sistemuar të rinjtë të cilët kërkojnë punë nëpërmjet kësaj qendre dhe sa janë të kënaqur ata me përmbushjen e kërkesave të tyre”, ka shtuar Hyseni.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Rajonale për Punësim në Gjilan Xhevat Aliu, i cili e ka falenderuar Aleancën e të Rinjve në Gjilan për interesimin e tyre, ka folur për të dhënat që kanë të bëjnë me regjistrimin e punëkërkuesve në këtë qendër.

Uji Dea

Ai ka thënë se janë diku rreth 18 mijë e 181 punëkërkues dhe të papunë, ku 44% prej tyre janë femra ndërsa rreth 458 janë të rinj të diplomuar.
“Për shkak të rënies që ka pësuar tregu i punës, si dhe mungesës së projekteve, kemi pasur vështirësi me sistemimin e një numri të caktuar të të rinjve, megjithatë, kjo qendër angazhohet vazhdimisht që t`i përmbushë sa më shumë kërkesat e punëkërkuesve dhe të papunëve, në mënyrë që numri i tyre të bije”, ka thënë drejtori i kësaj qendre Xhevat Aliu.

Mirëpo, sipas tij njëra nga arsyet që shpesh ndodhë që vendet e kërkuara nga kompani të ndryshme nuk arrijnë të plotësohen, është refuzimi i vendeve të punës nga të rinjtë, prandaj i ka bërë thirrje të gjithë të rinjve, që të ndryshojnë mentalitetin e ngurrimit të pranimit të vendeve për punë si dhe të mos hezitojnë të punojnë, kur atyre i ofrohet një punë nga qendra për punësim.

Të rinjtë e AAK-së në Gjilan, të udhëhequr nga kryetari i tyre Labinot Hyseni, ndërsa me pjesëmarrje edhe të nënkryetarit Skender Ahmeti si dhe anëtarëve Besim Hajredini, Bujar Shkodra dhe Arbëreshë Kryeziu, e kanë parë të udhës të shënojnë këtë takim, pasiqë siç është thënë nga ata, secila çështje që është preukopuese për të rinjtë e Gjilanit, është preukopuese edhe për ta, si pjesë e kësaj rinie./rajonipress/