Uji Dea

Të punosh pa u ndalur…

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Fehmi Sabedini (46) nga Lucerni jeton qe 25 vjet në Zvicër dhe po aq vjet ka që punon në të njëjtën firmë të ndërtimtarisë. Sabedini për çdo ditë pas punës së rregullt në ndërtimtari, pasi që të çlodhet pak në shtëpi, që nga ora 18:00 e mbrëmjes shkon në zyrën e tij që e ka afër shtëpisë dhe fillon punën në agjencinë turistike për shitjen e biletave të fluturimit.

Në vitin që lamë pas papunësia në Zvicër sipas Sekretariatit për Ekonomi (Staatssekretariat für Wirtschaft, SECO) ishte 3.2%, përqindje kjo që tregon rritje të vogël të papunësisë, për dallim nga viti 2012 që ishte 2.9%.

Kjo nuk është një përqindje e madhe në krahasim me vendet fqinje dhe më gjerë, por megjithatë komuniteti shqiptar në Zvicër duket se nuk e ka shumë problem për punë. Lëre që punojnë, por shumë prej tyre mbajnë nga dy vende të punës.

Fehmi Sabedini (46) nga Lucerni jeton qe 25 vjet në Zvicër dhe po aq vjet ka që punon në të njëjtën firmë të ndërtimtarisë. Sabedini për çdo ditë pas punës së rregullt në ndërtimtari, pasi që të çlodhet pak në shtëpi, që nga ora 18:00 e mbrëmjes shkon në zyrën e tij që e ka afër shtëpisë dhe fillon punën në agjencinë turistike për shitjen e biletave të fluturimit.

Se a është vështirë t’i mbashë dy vende pune tregon vetë Sabedini.

“A ka lodhje që t’i mbashë dy vende pune, ajo dihet, mirëpo çdo punë që ke interes, vullnet e levërdi prej saj, ke dëshirë të punosh dhe gjithë lodhjen e harron. Unë qe 6 vjet e kam hapur këtë agjenci, punë ka, por kohë të lirë kam shumë pak, sidomos vikendeve jam shumë i zënë”, thotë Sabedini.
46-vjeçari që vjen nga komuna e Gjilanit, për më tepër thotë se për t’i mbajtur dy vende të punës duhet edhe përkrahja e familjes dhe kushtet e punës të jenë të përshtatshme.

“Unë punoj tërë ditën në ndërtimtari, mirëpo për ta mbajtur edhe një vend tjetër pune më ndihmon nganjëherë edhe djali dhe fati im është që e kam zyrën këtu afër banesës”, thotë Sabedini.
Një tjetër shembull për punë se si duhet mbajtur dy vende pune na tregon Ramadan Robelli nga Sankt Gallen, e që punon në hekurudhë të trenave. Ky më shumë punon gjatë orarit të ndërrimit të natës.

Uji Dea

“Kur e kam marrë këtë banesë me qera, e mora edhe punën si mbikëqyrës, përgjegjës për mirëmbajtjen e dy blloqeve me 28 banesa. Me të vërtetë ka punë që t’i biesh rreth gjithë kësaj përgjegjësie. Unë punoj në hekurudhë, por edhe punën e mirëmbajtësit të blloqeve e bëj me pasion. Më pëlqen gjelbërimi e natyra dhe kur punoj këtu, thjesht edhe relaksohem”, tha Robelli.
Robelli thotë se e ka një qëllim të vetëm pse i mban dy vende pune.

“Kam pasur dëshirë që fëmijët e mi të rriten dhe të edukohen në shtëpinë time e në kulturën e familjes sime, e që të mos i barti nëpër çerdhe të ndryshme. Më mirë unë i mbaj dy vende pune, e bashkëshortja ime të ketë kohë që vetë të kujdeset për fëmijët. Qëllimi tjetër pse punoj në dy punë është se unë kam babë e vëlla atje në Kosovë dhe nëse nuk do t’u ndihmoja atyre, ata është shumë vështirë të jetojnë vetëm me një rrogë atje”, thotë Robelli.

Jo të gjithë e kanë këtë mundësi të gjejnë një vend pune, e lëre më të punojnë në dy vende pune, e vështirësia më e madhe është për ata të cilët sapo vijnë në Zvicër dhe ende nuk mund ta gjejnë veten në tregun e punës.

Një ndër ta është edhe Agron Xhymshiti nga kantoni i Cyrihut, e që tregon se në Zvicër është qe dy vjet, mirëpo ende nuk ka mundur të gjejë një vend pune të sigurt.

“Jam qe dy vjet në Zvicër, mirëpo ende nuk kam arritur të gjej një vend pune të sigurt. Nuk e di se si ka qenë situata para se të vij unë në Zvicër për punë, por tash për tash nuk po mund të gjej punë, edhe pse kërkoj vazhdimisht. Jam duke shkuar në kurs të gjuhës gjermane, në mënyrë që ta përforcoj dhe ta mësoj më shumë gjuhën gjermane, sepse pa gjuhë nuk ka shanse për punë”.

Megjithatë ekonomia e Zvicrës është një nga ekonomitë më stabile në botë. Politika e saj afatgjatë e sigurisë monetare dhe stabiliteti politik ka bërë që Zvicra të jetë një strehë e sigurt për investitorët, duke krijuar një ekonomi që është gjithnjë e varur nga një valë e qëndrueshme e investimeve të huaja. Për shkak të përmasave të vogla të vendit dhe specializimit të lartë të punës, industria dhe tregtia janë çelësat për jetesë të ekonomisë së Zvicrës.

Zvicra ka të ardhurat për kokë banori një nga më të larta në botë, me shkallën e papunësisë nga më të ulëta dhe një buxhet të balancuar./Visar Kryeziu/albinfo.ch/