Të mos politizohet çështja e të dhunuarave në luftë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Çështja e femrave të dhunuara gjatë luftës është aktualizuar sot gjatë debatit në Kuvend për Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, personave të dhunuar dhe viktimave civile. Deputetë të caktuar kanë bërë thirrje për të mos politizuar këtë problem, megjithatë ka pasur replika të ashpra dhe akuza për kampin tjetër politik.

Replika më të ashpra kanë ndodhur ndërmjet nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë propozuar një variant të ndryshimit të Ligjit të lartpërmendur, i cili më pas u miratua nga ana e Kuvendit.

Por, para se të hidhej në votim, Haliti që e udhëhiqte seancën, është fjalosur ashpër me deputetët e Vetëvendosjes pak para se të hidhej në votim varianti i partisë së Albin Kurtit dhe një variant tjetër i propozuar nga dy Komisione parlamentare.

Në një moment, nënkryetari Haliti u ka kërkuar deputetëve të revoltuar që të qetësohen, duke u thënë troç se ai ishte që përcaktonte mënyrat e votimit në Kuvend.

“Unë jam këtu për të vlerësuar se si miratohen rregulloret, nuk mundeni që me të bërtitura të ndryshoni procedurat”, ka thënë Haliti.

Eco Higjiena

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se është e qartë se viktimat e dhunimeve do të duhej që të komentoheshin, por kjo çështje është lënë në harresë deri tash.

“Do të duhej që Serbia të kushtëzohej gjatë procesit të bisedimeve”, ka thënë Aliu.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka bërë thirrje që të mos behej politikë me këtë çështje të ndjeshme. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, e cila ka deklaruar se ajo ka mbledhur 400 dosje të grave të dhunuara, por asnjëra prej tyre nuk kishte pranuar të dëshmonte në gjyqe.

“Ato vështirë që të dëshmojnë edhe në Komisionet të cilat do të merreshin me vlerësimin e gjendjes fizike dhe shpirtërore të tyre. E rëndësishme është që dhunimi të kualifikohet si dhunë dhe dhunuesit të dënohen. Duhet të ndërtohen mekanizma shtetërorë, e jo të mbeten në fatin e organizatave joqeveritare”, ka thënë Brovina. /Telegrafi/