“Te Molla e Kuqe”, libër që shpalos historinë e shpërnguljeve

Libri “Te Molla e Kuqe”, i autorit Kurtesh Devaja, i cili u promovua sot në Prishtinë, shpalos historinë e shpërnguljeve, gjenocidit, vrasjeve dhe përndjekjeve serbe ndaj shqiptarëve, që filluan në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Pjesëmarrësit në këtë promovim vlerësuan se ky libër mbetet një dëshmi e fortë e një treve etnike shqiptare e lënë me dhunë nga muhaxhirët shqiptarë.
Historianët dhe studiuesit vlerësojnë se libri “Te Molla e Kuqe”, i autorit Kurtesh Devaja, ka një përmbajtje me karakter historik dhe të informimit. Historiani dhe redaktori i librit, Muhamet Mala, tha se përmes këtij libri autori ia rikthen vlerën dhe mbështetjen shkencore ngjarjes së asaj kohe.
“Edhe pse libri përmban një titull në dukje letrar, përmbajtja është e karakterit historik, e cila del nga kufijtë e ngushtë të një dokumentari, duke shpjeguar shumë ngjarje me rëndësi nga e kaluara jonë, pikërisht nëpërmjet vizitës në vendin ku ndodhej Molla e Kuqe, ofrimit të dokumenteve historike dhe materiale tjera”, tha Mala, transmeton RTK.
Autori i librit, Kurtesh Devaja, theksoi se qëllimi i publikimit të këtij libri ishte hulumtimi i ngjarjeve tragjike dhe dramatike që ka përjetuar pjesa e kombit shqiptar nga Sanxhaku i Nishit, Toplicës e deri të kufiri natyror te Molla e Kuqe.
“Për golgotën shqiptare të vitit 1878-1879 dhe gjenocidin e tmerrshëm që pësoi popullata shqiptare nga ushtria dhe xhandarmëria serbe, historiografia jonë nuk bëri përpjekjet e duhura për ta ndriquar të plotë këtë tragjedi dhe për ta hequr më në fund tabunë e kësaj teme të dhimbshme”, tha Devaja.
Autori Devaja, bëri thirrje për një angazhim më të madh nga ana e institucioneve kosovare, për të pamundësuar Serbinë që të zgjerohet edhe më tej duke zaptuar tokat shqiptare. Libri “Te Molla e Kuqe”, ka karakter informimi, që i dedikohet një rrethi të gjerë lëxuesish që duan të mësojnë më shumë për atë periudhë të historisë shqiptare./Titulli.com/