UBT

Të mjerët dhe prapë të mjerët

/ 4 minuta lexim

Nga Arben Idrizi – Si edhe në të kaluarën, të rinj e të moshuar (duan të) ikin nga vendi jo nga ndonjë nevojë e intelektuale a profesionale, por thjesht ekzistenciale. Tani jo pse regjimi serb na ka nxjerrë nga puna dhe na e ka shtrënguar lakun në fyt, por sepse çlirimtarët tonë na e kanë vjedhur edhe atë që e kishim dhe atë që do të mund ta kishim tash dhe në të ardhmen e afërme. Jo vetëm disa prej tyre, por të gjithë pa përjashtim.

Për mua ka qenë një shock përherë gjithë ajo gatishmëri dhe këmbëngulje e bashkëvendësve të mi, sidomos të të rinjve, për të ikur nga vendi. T’i shihja shokët e shkollës së mesme, ende pa e arritur tamam moshën e pjekurisë, të fusnin pasaportën në xhep dhe t’ia mbathnin ishte pothuajse e pakuptueshme. Shocku qe edhe më i fuqishëm menjëherë pas luftës. S’ma kapte rradakja se si një i ri, i afërm i imi, po i linte studimet (ku do të mund të shkëlqente) për t’iu futur një aventure jashtë vendit (ku mbase do të bënte një grusht parash, por nuk do të ishte ai që donte të ishte).

Me mendjen e tashme, natyrisht, e kuptoj se ato nuk ishin thjesht vendime të tyre. Ishin të tjerët që vendosnin për ta. Ose, edhe kur e bënin vetë, e bënin jo për veten e vet, por për të tjerët, do të thotë për familjen. Është një vendim për të cilin nuk mund të gjykojmë lehtë. Në shumicën e rasteve mund të kenë rezultuar të suksesshme ato vendime, në një mënyrë ose tjetër do ta kenë shpëtuar familjen e gjerë nga mjerimi ekzistencial. Mirëpo, po këmbëngul gjithë përulësi të rrëmoj, duke e pasur mendjen sidomos të disa prej tyre që i njihja personalisht, mbase e ardhmja e tyre do të kishte qenë më e varfër ekonomikisht në vendin e tyre, por jo edhe në aspekte të tjera. Sidoqoftë, ky është vetëm një vrojtim i druajtur. Asgjë nuk na siguron saktësisht se do të ishte ndryshe.

Kishte pra shumë humbje të tilla në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Nuk dilej për studime më të mira, dilej për një ekzistencë më të mirë. Nuk dilej për mundësi më të mëdha intelektuale e profesionale, por materiale. Gjithherë faji i lihej, ndoshta me shumë të drejtë, gjendjes në të cilën ndodheshim: okupimit.

Mobi Casa

Kjo duhej dhe pritej të merrte fund pas çlirimit. Nëse jo menjëherë, të paktën në dekadën e dytë.

Sot jemi në fund të dekadës së dytë të shekullit njëzetenjë. Gatishmëria dhe këmbëngulja, sidomos e të rinjve, për të ikur nga vendi i çliruar dhe i pavarur është edhe më e madhe se ajo në dekadën e fundit të shekullit të njëzetë. Kjo nuk do të thotë se liria na ka bërë dëm më shumë se robëria. Jemi aq të arsyeshëm sa ta dimë këtë. Por, kjo do të thotë se politikanët tanë na kanë bërë aq dëm sa gati të krahasohet me atë të regjimit okupues.

Si edhe atëherë, të rinj e të moshuar (duan të) ikin nga vendi jo nga ndonjë nevojë e veçantë intelektuale a profesionale, por thjesht ekzistenciale. Tani jo pse regjimi serb na ka nxjerrë nga puna dhe na e ka shtrënguar lakun në fyt, por sepse çlirimtarët tonë na e kanë vjedhur edhe atë që e kishim dhe atë që do të mund ta kishim tash dhe në të ardhmen e afërme. Jo vetëm disa prej tyre, por të gjithë pa përjashtim.

Të mjerët kanë mbetur të mjerë. Çlirimtarët, patriotët, nacionalistët kanë përfituar në çdo mënyrë të mundshme për veten e tyre. Ua kanë siguruar goxha një të ardhme, sipas mënyrës së tyre, pasardhësve të tyre. Shumë nga ajo që e plaçkitnin okupuesit serbë, e kanë plaçkitur edhe çlirimtarët shqiptarë. Çlirimtarët dhe patriotët sot do të jenë të lumtur që të mjerët të dalin për t’i fituar pak pare. Porse nuk besoj se të mjerët do të jenë edhe aq të kënaqur duke i fituar pak pare në vend të huaj, kur, po të kishin të zgjedhur më të mirë, çlirimtarë të vërtetë, mund t’i fitonin në vendin e vet.