ARKATANA

Të lindur për të vrapuar

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Pjesëtarët e fisit Tarahumara në Meksikë janë vrapuesit më të qëndrueshëm në botë, por kjo aftësi e tyre i ka shndërruar ata në viktimë të luftës së drogës, në të cilën është zhytur vendi.

Ata po shfrytëzohen nga kartelet e drogës, për shkak të qëndrueshmërisë së tyre, për të bartur duke vrapuar drogën nga Meksika përtej kufirit në SHBA.

Camilo Villegas Cruzit i shkëlqejnë sytë, kur flet për kohërat e lumtura, kur vraponte nën hijën e thellësive të kanionit Sinforosa, në Sierra Madre, rajonin e Meksikës në të cilin nuk ka tashmë sundim të ligjit. Si pjesëtarë i fisit indian, Tarahumara, të njohur për qëndrueshmërinë e tyre gjatë vrapimit në shtigje të gjata, Villegas Cruza është rritur duke garuar në garën tradicionale rarajipari, në kuadër të së cilës garuesit shqelmojnë një top nga truri, përgjatë shtegut me gurë.

Por në momentin kur mbushi 18 vjet, ai filloi të vrapojë në një garë krejt tjetër-duke bartur në shpinë një strajcë të mbushur me marihuanë përtej kufirit, në shkretëtirën e New Mexicos.

Sot, Villegas Cruz ka 21 vjet dhe po fishket në një burg të SHBA-së, në afërsi të shkretëtirës Mojave në Adelanto, Kaliforni.

Udhëtimi i Villegas Cruzit nga një atlet i ri, deri te një bartës i drogës, dëshmon se si ky fis shumë pak i njohur po shkatërrohet nga forcat, që janë jashtë kontrollit të tij, siç është lufta e drogës në Meksikë, ekonomia në gjendje të mjerë dhe thatësia e paparë.

Në gjuhën e tyre amtare, pjesëtarët e fisit të Villegas Cruzit e quajnë vetën Raramuri-njerëzit me këmbë të lehta. Aftësitë e tyre unike fizike kanë qenë të panjohura për botën e jashtme deri në vitin 2009, kur libri me titull:”Të lindur për të vrapuar: Një fis i fshehur, super-atletë dhe rava më e mrekullueshme në botë”, i bëri ata të famshëm.

“Kur bëhet fjalë për distanca të largëta, asgjë nuk mund të mposhtë vrapuesit Tarahamura-as kuajt, as leopardët, e as vrapuesit e maratonës”, ka shkruar autori i librit, Cristopher Mcdougall. Ai i përshkruan pjesëtarët e fisit Tarahumara si njerëzit më të mirë dhe më të lumtur në botë.

Porosia kryesore e librit-se natyra ka krijuar njerëzit për të vrapuar-pati një jehonë tejet të madhe në SHBA, duke nxitur një bum të garave të vrapimit këmbëzbathur.

Megjithatë, ekziston edhe një pjesë tejet e dhimbshme në këtë rrëfim. Sipas avokatëve të drogës, burimeve për zbatimin e ligjit dhe vetë indianëve Tarahumara, trafikuesit e drogës tani po e shfrytëzojnë qëndrueshmërinë e Tarahamurave, e cila ka qenë vendimtare për mbijetesën e tyre.

Pjesëtarët e karteleve të drogës po angazhojnë indianët e varfër Tarahumara, për të bartur drogën përtej kufirit në SHBA, duke vrapuar këmbëzbathur.

Ken Del Valle, avokat i mbrojtjes në El Paso, Texas, thotë se ai ka përfaqësuar me dhjetëra indianë që nga viti 2007. Sipas Del Valles, është pikërisht veçoria e qëndrueshmërisë së Tarahumarave ajo, që ndikon në rekrutimin e tyre.

Mobi Casa

“Kartelet thjeshtë mund ti vendosin në shkretëtirë dhe t’iu thonë nisuni”, thotë Del Valle.

Deri së fundi, Tarahumarat janë mbrojtur nga gjeografia e frikshme në territoret në të cilat jetojnë. Por gjatë dekadave të fundit, fermerët, minatorët dhe kontrabanduesit i janë afruar enklavave të Tarahumarave. Një telashe tjetër për pjesëtarët e këtij fisi është edhe thatësira, e cila në Sierra Madre është më e rënda e regjistruar në shtatë dekadat e fundit.

Për shkak të telasheve me të cilat po përballet, pjesëtarët e fisit Tarahumara tani janë një pre e lehtë për kartelet e drogës.

“E siguron një vrapues, i cili mund të vrapojë 50 mile pa u ndalur, pa pasur nevojë për ujë. Ata indirekt janë trajnuar për 10 mijë vjet për kontrabandë përtej kufijve. Është kjo një gjë tragjike. Është kjo një kulturë, e cila ka bërë çdo gjë që ka qenë e mundur, për të qëndruar jashtë kësaj rrëmuje dhe tani rrëmuja ka ardhur dhe i ka gjetur”, thotë McDougall.

Në qytetin Guachochi, një femër Tarahumara, e quajtur Ana Cela Palma, thotë se njeh katër indianë, të cilët kanë shkuar deri në SHBA për kartelet.

Asnjëri prej tyre nuk është paguar. “Ata arritën të kthehen, por në gjendje mjaft të rëndë. Ishin të thyer psiqikisht dhe të hidhëruar”, rrëfen Palma.

Ishte pikërisht thatësira ajo, që e detyroi Camillo Villegas Cruzin që të kërkojë ndonjë punë tjetër. Kështu, kur në janar të vitit 2009 atij ju ofruan 1500 dollarë për të bartur drogën përtej kufirit, ai pranoi menjëherë.

I dhe disa të tjerë u arrestuan nga rojet kufitare të SHBA-së. Megjithatë, një gjykatës amerikan i liroi dhe ata u kthyen në Meksikë. Kur Cruz u kthye në shtëpi, prindërit e tij ishin tejet të hidhëruar. Megjithatë, ai ju kthye jetës normale, por për një kohë të shkurtë. Ai sërish u angazhua nga kontrabanduesit e drogës dhe sërish filloi të vrapojë në drejtim të SHBA-së.

Me të hyrë në SHBA, ai humbi rrugën dhe ishte i tmerruar. Për tri ditë me radhë ai e vazhdoi vrapimin nëpër territor tërësisht të panjohur. Ditën e katërt, ai u kap nga një patrullë e rojës kufitare.

Villegas Cruz u shpreh fajtor për posedim të drogës dhe hyrje ilegale në SHBA dhe këtë herë ai u dënua më 46 muaj burg.

“Një ditë, do të kthehem në shtëpi dhe nuk do të kthehem kurrë më këtu”, thotë Cruz i veshur me uniformë të burgut.

Për fat të keq, është ky fati të cilin po e përjetojnë gjithnjë e më shpesh pjesëtarët e fisit indian Tarahumara, njerëzit të cilët janë të lindur për të vrapuar.