Të gjithë e dimë që nuk ka argumente me peshë të cilat vlejnë më shumë sesa nevoja për reformë

Nga Qëndron Kastrati – Arsimi dhe e ardhmja në shoqëri janë të ndërlidhura aq ngushtë saqë nuk munden pa njëra tjetrën. Nuk bëhet arsimi sot për sot. Nuk ka të ardhme pa arsim. Çdokush që pretendon të kundërtën, është ose i hutuar, ose mashtrues. Dhe po të ishte e lehtë të ndërronim kursin, pa ndërhyrë në të tashmen, do të ishte mrekullia vet. Nuk arrihen caqet pa lëvizur vendi. Prandaj, ndryshimet mirëpriten nga ata që janë në disavantazh, e kundërshtohen nga të privilegjuarit. Për këtë arsye, është thellësisht e pakuptimtë të thuhet që një nismë për ndryshime pozitive në arsim do të kundërshtohej pikërisht nga ato vende që kanë nevojë për këtë ndryshim. Asnjë argument racional nuk është dhënë deri sot për të vazhduar t’i mbajtur fëmijët nëpër klasa të vogla, ku nuk zbatohet kurrikula, nuk ka ndërveprim moshatarësh, nuk ka diversitet, e madje shpesh as siguri.
Asnjë prind — nëse ka dy opsione për të ardhmen e fëmijës së tij — nuk e zgjedhë opsionin më të keq.

Studimet më kredibile për të cilat ka konsensus të gjerë shkencor e inkurajojnë riorganizimin e shkollave që e kemi nisur. Profesionistë të shumtë me përvojë e integritet profesional në Kosovë e kanë konfirmuar këtë. Shumica absolute e qytetarëve e pranojnë që riorganizimi është i nevojshëm.

Të gjithë ministrat e arsimit e kanë pranuar që është veprimi i duhur. Përfshirë Ministren aktuale të MAShTI-t.

Por, duke mos qenë imun ndaj manipulimeve, përdorimit politik të çështjes së arsimit, e ngjarjeve të tjera të cilat e ndikuan rrjedhën e procesit, pengesat ndodhën dhe po ndodhin edhe sot. Mirëpo, sadoqë mund të kuptohen këto pengesa, a mund të pranohen? A peshon më shumë një vendim i ministrisë së arsimit për ta kundërshtuar reformën sesa e ardhmja më e mirë e fëmijëve? A duhet të ndërpritet reforma veç se ekziston një trysni e madhe nga disa persona që nuk kanë çfarë të humbin?

Të gjithë e dimë që nuk ka argumente me peshë të cilat vlejnë më shumë sesa nevoja për reformë.

Unë nuk jam pronar i idesë së reformës në arsim, as nuk kam qëllime për përfitime personale. Këtë të gjithë e dinë. Unë jam politikani i ndërtuar mbi idealet e trashëguara nga familja ime, angazhimi im politik, e modelet të cilat nuk zmbrapsen nga frikësimi as kërcënimi nga pushteti. Unë jam gjenerata e re e politikës e cila vepron për ndryshime pozitive shoqërore, jo për përfitime klanore. Miliona investime në Kamenicë dhe asnjë skandal korruptiv. Qindra projekte dhe asnjë problem. Të gjithë parametrat e mundshëm e kanë shfaqur hapur qëllimin tim të mirë dhe të të gjithë bashkëpunëtorëve në këtë projekt të hulumtuar gjatë dhe të zbatuar me shumë angazhim. Kontrata kolektive e nënshkruar me arsimtarë, siç e kam thënë edhe të tjera herë e hodhi poshtë frikën e trumbetuar në fillim që mësuesit do të mbesin pa punë. Faktikisht, dhjetëra mësimdhënës dhe staf teknik me sëmundje kronike kanë shpëtuar nga kjo kontratë. Dhjetëra probleme në arsim janë adresuar për shkak të intervenimeve si rezultat i reformës. Si rezultat i reformës është përmirësuar dukshëm infrastruktura shkollore. Por çfarë ndodhi? Pse sot ende jemi në një cikël të mbyllur irracional prej të cilit fëmijët janë ata që po humbasin më së shumti?

Nëse reflektojmë dhe ndajmë faktet nga besimet, të vërtetën nga manipulimi, hamendjet nga projeksionet e bazuara, atëherë e kemi një pasqyrë më të qartë të situatës dhe historisë se si erdhëm deri këtu. Nëse mbështetemi në normat, konventat, ligjet e udhëzimet administrative atëherë e gjithë kjo infrastrukturë e mbështetë pozicionin e komunës. Është e qartë, kompetencat e organizimit të arsimit fillor dhe të mesëm të ultë janë të komunave.

Për këtë arsye Ministria nuk mundet ta anulojë vendimin për reformën. Për këtë arsye nuk është bërë një gjë e tillë deri më sot. Për këtë arsye e gjithë çfarë është duke bërë Ministria është manipulim me masën dhe mësimdhënësit, punëdhënës i të cilëve është komuna.

Në pikën 1.20 të kontratës ndërmjet komunës dhe nëpunësit thuhet qartë që nëpunësi obligohet “të mos kërkojë apo pranojë udhëzime lidhur me kryerjen e detyrave të punës nga asnjë organ tjetër përveç drejtorit të shkollës dhe DKA-së ose personave të caktuar nga ta”. Andaj, mësimdhënës të nderuar, çdokush që ju ka ftuar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ligjin për Arsimin në Komuna, Ligjin e Punës, si dhe kontratën e punës ju manipulon dhe ju rrezikon të ardhmen profesionale dhe sigurinë financiare. Andaj, lutja ime për ju është që të mos i tradhtoni besimet tuaja në raport me riorganizimin. Askush nuk ka të drejtë t’ua imponojë mendimin që riorganizimi është i drejtë.

Por, ju lutem shumë që të mendoni mirë në raport me ligjet të cilat e përcaktojnë angazhimin tuaj profesional.

Sepse, as Ministri i Arsimit, as Kryeministri e as Presidenti nuk mund të ju mbrojnë nga shkelja e kontratës të cilën ju vet e keni nënshkruar. E kuptoj që pozicioni në të cilin gjendeni nuk është më i përshtatshmi. E kuptoj që premtimet e siguria deklarative ju janë dhënë. Mirëpo, ju siguroj që shkeljet nga ana e ministrisë janë flagrante, dhe përballë ligjit jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht sa të fuqishëm mund të duken apo tentojnë të jenë persona të caktuar. Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës në organizimin e arsimit dhe nuk mund të veprojë kundërligjshëm. Fëmijët të cilët kanë humbur mësimin duhet të marrin mësimin e përshpejtuar e mësimin e rregullt, jo në objekte pa kushte e pa miq, por në shkolla me infrastrukturë të duhur e mësim cilësor.

Arsimi dhe e ardhmja në shoqëri janë të ndërlidhura aq ngushtë saqë nuk munden pa njëra tjetrën. Nuk bëhet arsimi sot për sot. Nuk ka të ardhme pa arsim. Çdokush që pretendon të kundërtën, është ose i hutuar, ose mashtrues.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS