A do t`i trazojë ndonjëherë ndërgjegjja liderët partiak të Kosovës?!

Nga Arif Ejupi – Një dekadë më parë e shkrova këtë shkrim me dhembje, pasi Kosova, edhe pse kishte përfunduar zgjedhjet, vazhdonte të mbetej pa Qeveri dhe pa Parlament për muaj të tërë.
Sot, më 10 maj 2025, historia është duke u përsëritur si farsë e zymtë. Zgjedhjet e rregullta u mbajtën më 9 shkurt, edhe pse jemi kah mesi i majit vendi ende nuk ka një Qeveri funksionale, as një Kuvend që punon për qytetarin.
Arsyeja? E njëjta: grindjet dhe mosmarrëveshjet për pushtet mes liderëve partiakë që Kosovën e shohin si pronë private. Në përpjekje për të ruajtur karriget e tyre dhe për të mbrojtur interesat e klaneve përreth, ata që morën votën e popullit po e mbajnë peng të ardhmen e vendit.
Kjo kastë politike, pothuajse e pandryshuar që nga paslufta, e ka zhytur Kosovën në krizë të vazhdueshme politike, ekonomike dhe morale.
E vetmja gjë që ka përparuar me shpejtësi marramendëse është pasurimi i tyre personal. Nga biçikletat dikur, në automobila luksozë sot. Nga fjalët boshe për idealizëm, në llogari bankare të fryra e vila përtej kufijve të Kosovës.
Ekonomia e Kosovës, e dobët dhe e pambështetur, mbahet vetëm nga remitencat e mërgatës dhe tregtia formale që po e gërryen çdo ditë sovranitetin ekonomik të vendit.
Papunësia është thelluar. Arsimi është në kolaps, dhe rinia po e sheh largimin nga Kosova jo si zgjedhje, por si domosdoshmëri.
Shëndetësia? Nën oksigjen artificial. Edhe pas 26 vjetëve çlirimi nga pushtuesit serbë, shumë pacientë nga Kosova vazhdojnë të kërkojnë shërim në Beograd e Shkup. Drejtësia? E kontrolluar dhe, shpeshherë, e përdorur si mjet hakmarrjeje politike. Kultura dhe arti? Pothuajse të harruara, përveç kur ndonjë figurë politike ka interes t’i instrumentalizojë për ndonjë ceremoni në shërbim të tij.
Institucionet që supozohet se mbrojnë të drejtat e qytetarëve si “Avokati i Popullit” apo KMDLNJ, janë të pafuqishme, të varura nga buxhetet e copëzuara dhe vullneti i politikanëve që, paradoksalisht, janë vetë burimi i padrejtësive që këto institucione duhet të sfidojnë.
Kruese procesi zgjedhor është me plotë deformime. Vota e lirë në Kosovë është ende në koma. Ajo blihet, shantazhohet apo manipulohet nga “parazitologët politikë” individë pa ideale, por me agjendë për të mbledhur ajkën për veten dhe familjet e tyre.
Si dikur, premtimet mbesin të njëjtat: rrugë pa baltë, shkolla me ngrohje dhe lumenj me qumësht. Por, realiteti është krejt ndryshe mijëra të rinj shkojnë çdo muaj në Perëndim, ndërsa këtu mbesin pleqtë që i shikojnë ekranet me shpresë se ndoshta këtë herë do të bëhet më mirë për ta.
Edhe Presidentja aktuale si ajo e dikurshmja Atifete Jahjaga duket se nuk do t’i shpëtojë etiketës së “produktit të kompromisit”, i dalë nga marrëveshjet në prapaskenë, e jo nga vullneti autentik i popullit.
Në këtë klimë, kur pushteti ndërtohet me pazare, dhe konsensusi nuk arrihet pa ndërhyrje nga jashtë, si mund të flasim për sovranitet të mirëfilltë? Liderët partiakë sillen si vasalë të interesave të ngushta dhe jo si burra që i bien tryezës dhe harrojnë interesin personal për hir të Kosovës.
Pyetja që bëra para 10 vitesh, sot është më e fortë se kurrë: A do t’i trazojë ndonjëherë ndërgjegjja liderët partiakë të Kosovës? Apo do të vazhdojnë kështu, “lojën me shtetin” derisa populli të fundoset edhe më thellë në humnerën e dëshpërimit?