Të gjitha krimet për të cilat dyshohet Ivanoviç

I dyshuar për krime lufte e pas saj, Oliver Ivanoviç mund të dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. Në fletarrestimin ndaj politikanit serb, që e ka siguruar ekskluzivisht Kohavisioni, përshkruhen urdhrat që ka dhënë Ivanovic për vrasjen e 9 shqiptarëve në prill 1999, si komandant i MUP-it në veri. Aty përshkruhen edhe urdhrat dhe pjesëmarrja në vrasjet e shqiptarëve të veriut në shkurt 2000, këtë herë në rolin e udhëheqësit të grupit paramilitar “Rojat e Urës”.

Në mesin e dëshmitarëve që e kanë parë Ivanovicin të orkestrojë gjithë krimet kundër shqiptarëve është edhe një serb.

Në dy role të ndryshme, por me qëllim të njëjtë – vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve, përshkruhet Oliver Ivanovic në fletarrestimin për të nga Prokuroria Speciale, e që e ka siguruar ekskluzivisht Kohavisioni.

Fletarrestimi për Ivanovicin u kërkua ngase ekziston dyshimi i arsyeshëm që mori pjesë në kryerjen e veprës penale, sipas detyrës zyrtare.

Më 14 prill 1999, rreth orës 12:00, në rrugën “Miladin Popoviq”, tani “Ahmet Selaci” dhe në rrugën për në Bajr, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, duke vepruar si Komandant i Stacionit në Mitrovicë në kuadër të MPB të Republikës Federale të Jugosllavisë urdhëroi një grup të caktuar të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime dhe me këtë urdhëroi që të kryejnë vrasjen e viktimave të nacionalitetit shqiptar, e që janë: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi.

Si rezultat i kësaj, nën komandën dhe kontrollin e Ivanovicit janë pushkatuar për vdekje Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Sefari.

Me këtë Ivanovic e ka kryer veprimin e krimit të luftës, duke thyer nenin 3.1 a të Konventës së Gjenevës të 12 gushtit 1949, që lidhet me mbrojtjen e civilëve në gjendje lufte, dhe kjo është e dënueshme edhe me Nenet 16 e 32 të Kodit Penal të Kosovës, siç ishte e dënueshme edhe me Nenin 142 të Kodit Penal të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë.

Aktualisht kjo vepër dënohet me më së paku 5 vjet burgim, ose me burgim afatgjatë.

Sipas fletarrestimit të Prokurorisë Speciale, Ivanovic ishte aktiv kundër shqiptarëve edhe pas luftës.

Si udhëheqës i grupit paramilitar, Rojat e Urës, ai veproi me qëllim direkt që të detyrojë shqiptarët të braktisin shtëpitë e tyre dhe territorin e Mitrovicës Veriore, me qëllimin final që t’i vrasë ose t’u shkaktojë plagë, publikisht nxiti ndarje mes grupeve etnike që jetuan në Kosovë, duke i ndarë në serbë të Kosovës dhe shqiptarë të Kosovës.

Duke shfrytëzuar pozitën dhe autorizimet e tij ai shkaktoi trazira, dhunë dhe pasoja të tjera, duke urdhëruar grupin e policëve të caktuar dhe anëtarët e grupeve paramilitare serbe të njohur si Rojat e Urës që të bastisin disa ndërtesa në Mitrovicë dhe të pastrohen nga shqiptarët, me ç’rast disa prej tyre u vranë e disa u lënduan.

Më 3 shkurt 2000 grupet të policëve të MUP-it dhe të Rojave të Urës iu bashkuan një grupi spontan të serbëve të Mitrovicës Veriore, të cilët hyjnë në ndërtesat ku jetonin familjet shqiptare, me qëllim të dëbimit të tyre dhe me qëllim final që t’i vrisnin, dhe i vranë personat në vazhdim duke përdorur mjete eksplozive, armë dhe thika:

Viktimat ishin: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.

Nga aksioni i parë, ku janë përdorur mjete eksploduese, armë dhe thika kanë mbijetuar me lëndime të rënda Rrezarta Ajeti, Nexhmedin Ajeti dhe Emine Ajeti.

Në një tjetër aksion me të njëjtat mjete kanë mbijetuar edhe 13 shqiptarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Gani Xhaka, që ka rrëfyer ngjarjen për KTV-në para pak ditësh.

Për këto krime të kryera ndaj shqiptarëve dënimi me burgim parashihet prej 10 vjetëve më së paku ose me burgim të përjetshëm.

Aktakuza duhet të ngritët në bazë të dëshmive të shumë dëshmitarëve, në mesin e të cilëve edhe të mbijetuarit e këtyre krimeve.

Në bazë të dëshmisë për ngjarjet që ndodhen me 14 prill 1999, Oliver Ivanovicin e kishte parë Muhamet Llapashtica si personin përgjegjës gjatë operacionit të policëve të cilët arrestuan disa shqiptarë, e më pas edhe vranë disa prej tyre.

Llapashtica dhe Shabahaze Kastrati e kishin parë të dyshuarin në mesin e grupit të policëve me uniformë dhe pushkë automatike. Edhe një serb, Srgjan Alekiq, e kishte përshkruar Ivanovicin si personin i cili që nga viti 1999 gjithnjë ishte udhëheqës.

Për më tepër, dëshmitari Isa Mustafa, i cili ishte mes personave të cilët u dërguan për pushkatim, kishte parë të dyshuarin duke udhëhequr një grup policësh serbë dhe duke i urdhëruar që të kryejnë pushkatimin e shqiptarëve, duke përfshirë Skender Paqaradën, Fatmir Mustafën, Avni Abazin dhe Mehmet Fejzullahun.

Pushkatimet e tjera ishin penguar vetëm me ndërhyrjen e njërit oficer të panjohur policor, i cili papritur erdhi në vend të ngjarjes.

Memorandumi i brendshëm i Policisë së UNMIK-ut nga 22 shtatori 2000 konfirmon se mbetjet mortore të viktimave ishin gjetur më 19 shtator 1999 në një varrezë në Suhodoll, e u identifikuan përmes testit të ADN-së.

Dëshmitari Imer Morina e ka parë Oliver Ivanovicin duke qëndruar 10-15 metra larg ndërtesës ku banonte familja Ajeti në rroba civile. Siç ka thënë dëshmitari, Ivanovic i ka thënë një serbi të tubuar aty pranë: “Gjuaje bombën nëpërmjet dritares”. Shumë pak pas kësaj, ai e ka dëgjuar një eksplodim dhe të shtëna me armë. Në kontekst të asaj që ka ndodhur, dëshmitari e krijoi përshtypjen se Ivanovic e udhëhoqi turmën.

Dëshmitë që i kanë dhënë dëshmitarët janë të besueshme dhe ndërlidhen mes vete. Andaj eksiton dyshimi i bazuar se Ivanovic kreu veprat e përmendura kriminale.

Prokuroria ka kërkuar mbajtjen në paraburgim të Ivanovicit në mënyrë që ai të mos ndikojë te dëshmitarët, dhe te disa persona të tjerë që mund të arrestohen së shpejti për krimet e njëjta.

Ivanovic, i parë për shumë vjet si politikani i moderuar serb i veriut, ka rikandiduar për kryetar të Mitrovicës Veriore.

Gjatë këtyre viteve ai ka qenë herë pjesë e institucioneve të Kosovës, e herë atyre të Serbisë. /Koha.net/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).