RCCOLA

Të dominojë arsyeja

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Osman Osmani – Koment në lidhje me tragjedinë e djeshme të Lucernit.

Ngjarje shumë pikëlluese dhe prekëse për çdo njeri të vetëdijshëm

Ngushëllime familjarëve të viktimave, të cilëve u dëshiroj forcë për përballje me këtë pikëllim e humbje të të afërmve dhe të dashurve të tyre!
Vrasjet e tilla nuk mund dhe nuk duhet të arsyetohen.

Pas një krimi të rëndë, me pasoja tragjike dhe humbje jete të njerëzve, me pasoja traumatike për famljarët, farefisin, miqtë e të njohurit si dhe shoqërinë e gjerë, ky akt dhe kjo ngjarje, pos tjerash, ka prekur dhe ka vënë në sprovë jo vetëm marrëdhëniet ndërnjerëzore, por dhe ato ndërmjet zviceranëve dhe shqiptarëve, vendësve dhe të ardhurve.

Gati të gjitha mediet zvicerane, t‘i lëmë me këtë rast anash komentet e lexuesve të mllefosur dhe ndonjërit me paragjykime apo të tjerët që për shkakun e të qenit shqiptar të kryesit të krimit janë tndenciozë, lajmin e kanë kumtuar objektivisht dhe pa paragjykime. Bile gjatë raportimit të mediave zvicerane vërehet qartë tendenca e ikjes nga fakti se dorasi që ka kryer krimin ka prejardhje shqiptare nga Kosova… sigurisht për të mos e paragjykuar e cilësuar si krim ndëretnik, por si krim njerëzor, nëse mund të themi se krimi është njerëzor! Për këtë gazetarët dhe përgjegjësit e mediave në fjalë meritojnë një falënderim të përzemërt dhe mirënjohje shumë të merituar!

Ky krim dhe kjo ngjarje tragjike pashmangshëm do të ketë pasoja emocionale (shpirtërore) dhe sociale (shoqërore) për shumë njerëz në Zvicër dhe, si i tillë do të paraqesë një sfidë të radhës, posaçërisht për marrëdhëniet dhe raportet shqiptaro-zvicerane.

KKVITI

Këtë ngjarje të shëmtuar dhe të rëndë mjerisht nuk mund ta ndryshojmë. Ajo çka mund dhe duhet të bëjmë është të jemi sa më të aryeshëm dhe të mos japim vlerësime të pamenduara e të pagjykuara mirë, e më së paku të arsyetojmë krimin.

Të reflektojmë dhe në të ardhmen të nxjerrim mësime që njerëzit me halle, që tregojnë lëkundje psikike dhe bëjnë veprime të pazakonshme, të provojmë t‘i kuptojmë dhe t’i ndihmojmë… nëse nuk mundemi vetë, të kërkojmë ndihmën edhe të njerëzve të tjerë që mendojmë e besojmë se mund të ndihmojnë, e në rast se nuk kemi bindjen se kemi ndihmuar mjaftueshën, atëherë po pati nevojë të kërkojmë ndihmën e profesionistëve për ngarkesa apo pengesa psikike (psikiatër, psikolog, etj.) Të tregohemi të njerëzishëm dhe të jemi solidarë me njerëzit që kemi pranë dhe me të gjithë njerëzit që kemi të bëjmë në familje, punë, jetë dhe shoqëri…

Neve si njerëz na duhet një arsimim jo vetëm individual, por edhe kolektiv, që të mund të përballemi me sfidat jetësore, me ngarkesat a pengesat e ndryshme që krijohen në situata të ndryshme në jetë dhe që mund të kenë për pasojë që nga sëmundja deri te përfundimi tragjik, qoftë ai edhe individual, e që herë-herë pashmangshëm prek familjarët, farefisin, kolegët, një grup apo popull të tërë, e bile-bile edhe popuj të ndryshëm dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi.

Apeloj te të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që, para se të gjykojnë për të tjerët, e posaçërisht para se të provojnë të aryetojnë krimin nga kushdo që ai kryhet dhe këdo që ai prek, të mësojnë për traumat psikike dhe pasojat e saj, të mësojnë për rrugët, mënyrat dhe strategjitë e përballimit me to. Me siguri se do të përfitojnë vetë, do të jenë më të aftë për të kryer detyrat si njerëz, varësisht nga detyra a funksioni që mund të kenë në familje, jetë e shoqëri, p.sh., si prind e bashkëshort, si familjarë, si mik a koleg, si përgjegjës a drejtues ndërmarrjeje, si gazetar apo politikan, etj. etj. Kështu do të bëhemi më të njerëzishëm dhe më të dobishëm për veten tonë, për familjen tonë, për komunitetin tonë dhe për shoqërinë e vendin ku jetojmë dhe shoqërinë e vendin amë.

Duke ndarë edhe një herë pikëllimin me familjarët dhe të gjithë të prekurit e tjerë, të cilëve u dëshiroj forcë për përballje me këto humbje të mëdha e pikëlluese, shfrytëzoj gjithashtu nga rasti e uroj për më shumë solidaritet ndërnjerëzor, ndëretnik e ndërkombëtar!

(Osman Osmani, Këshilltar SP në parlamentin e qytetit të Schaffhausen)