RCCOLA

Të bllokuar n’Çakorr

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Shkaku i politikanëve të papërgjegjshëm, kosovarët mbetën tri vjet të bllokuar në Çakorr e Kullë të Zhlebit, me demarkacionin si problem kryesor. Pas tre vjetësh të humbura me kauza politike, supozime e spekulime, institucionet duhet t’iu kthehen qytetarëve. Demarkacioni më nuk i amniston. As loja tradhtarë-patriotë më nuk bën punë.

Për dikë mund të jenë tradhtarë e për të tjerët heronj, por 80 deputetët që miratuan të mërkurën marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi zhbllokuan një situatë që e mbajti peng vendin një kohë të gjatë. Tash e gati tre vjet Kosova mbeti e bllokuar në Çakorr e Kullë të Zhlebit, në një debat të ashpër për humbjen ose jo të 8200 hektarëve tokë.

Një çështje që do të duhej të ishte thjesht teknike u kthye në kauzë politike, duke ngulfatur debatin dhe nismat për zgjidhjen e problemeve të tjera. Një çështje që ua humbi tre vjet jetë qytetarëve të këtij vendi, për të përfunduar njësoj si do të mund të ndodhte edhe më 2015, vetëm se tash në një paketim ndryshe, në një iluzion optik se bëhet fjalë për diçka tjetër.

Protesta, dhunë, arrestime, sharje e fyerje karakterizuan gjithë këtë kohë jetën politike në vend, për të marrë epilog me një votim nën shijen e gazit lotsjellës. Një votim që ashpërsoi debatin për patriotë e tradhtarë.

Pavarësisht se vullneti i shumicës së deputetëve ishte që demarkacioni të kalojë, Lëvizja Vetëvendosje provoi të pengojë një gjë të tillë. Kur përpjekja e pakuptimtë në Kuvend dështoi, partia shpërndau listën me emrat e deputetëve që votuan “pro” marëveshjes, veprimin e të cilëve e konsideroi tradhti shtetërore.

Mund të ketë ndodhur që 80 deputetët të kenë votuar gabim, por ky ishte vullneti i tyre. Lëvizja Vetëvendosje dhe asnjë subjekt tjetër politik nuk e mbajnë të drejtën e certifikimit të askujt tradhtar ose patriot. Për më shumë janë të paarsyeshme sulmet ndaj Grupit të Deputetëve të Pavarur, që nuk paskan vepruar si ish-partia e tyre duke hedhur gaz lotsjellës, pavarësisht se votuan kundër demarkacionit dhe nuk ndërruan qëndrim.

Disa ditë pas miratimit të demarkacionit askush nuk mund të thotë me saktësi se kur mund të hiqen vizat për kosovarët, por një situatë e re është krijuar dhe më nuk jemi të bllokuar në Çakorr. Nëse jo gjë tjetër, të paktën mund të bëhet presion që të përmbushet kushti i dytë dhe i fundit për liberalizim, që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

* * *

Hidromorava

Për tre vjet me radhë kosovarët fjetën dhe u zgjuan me demarkacionin, thua se ky ishte problemi më i madh. Punë e madhe se nuk kishte barna në spitale, punë e madhe që gjendja në arsim vazhdon të jetë përtokë, që na kanë pllakosur papunësia e varfëria – i rëndësishëm, më i rëndësishmi ishte demarkacioni.

Kjo situatë më së shumti dëmtonte qytetarët, por në të njëjtën kohë iu vinte përshtati politikanëve. Në emër të demarkacionit ra një qeveri e u krijua një tjetër. Në emër të demarkacionit u ngritën kauza politike që doli të jenë të rrejshme. Në emër të demarkacionit u hodh gaz në Kuvend e u bëmë gazi i botës.

Dhe si përfundoi gjithë kjo punë? Marrëveshjes së vitit 2015 iu shtua një ujdi presidentësh, që u përpoq të shitej si aneks-marrëveshje dhe raporti i Komisionit Bulliqi. Gjithë kjo u prezantua si “materie e re”. Por, kufiri nuk u kthye as në Çakorr, as në Kullë të Zhlebit. A do të kthehet ndonjëherë? Askush nuk ka përgjigje në këtë pyetje, përveç supozimeve dhe spekulimeve. Siç ka supozime dhe spekulime se çfarë ndikoi që një deputet goran, anëtar i grupit parlamentar të Listës Serbe, siguroi votën vendimtare për kalimin e demarkacionit. Rrumbullakoi numrin prej 80 deputetësh që Vetëvendosja i konsideron tradhtarë.

Ka kohë dy vjet që, eventualisht, të bëhet ndonjë korrigjim në vijën kufitare. Por, përtej kësaj, bllokimi trevjeçar do të duhej të shërbente si mësim i mirë për politikën kosovare.

* * *

Kur Hashim Thaçi nënshkroi në Vjenë marrëveshjen për demarkaconin, me homologun e tij malazez, ai as që e kishte marrë mundin që paraprakisht të arrinte një koncensus gjithëpërfshirës. Veproi ashtu siç kishte vepruar edhe të tjera herë, si për marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Një qasje kjo përjashtuese që nuk do të duhej të ndodhte, ngase pasojat vendi po i vuan e do t’i vuajë edhe në të ardhmen.

Nëse për një marrëveshje përcaktimi të vijës kufitare u humbën tre vjet, vetëm mund të supozohet se çfarë kohe mund të humbasë për çështje të tjera më të rëndësishme. Tash kur po flitet për fazën finale të dialogut me Serbinë, koncensusi gjithëpolitik e gjithëshoqëror është i domosdoshëm. Egot personale e kauzat partiake duhet lënë anash. Përndryshe do të bllokohemi më gjatë e më keq se në Kullë e Çakorr për demarkacionin.

E deri në liberalizimin e vizave e korrigjimin eventual të vijës kufitare, institucionet kanë mjaft çfarë të punojnë. Të merren me luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Demarkacioni më nuk i amniston. As loja tradhtarë-patriotë më nuk bën punë.