Tash 138 vjet Mali i Zi rritet me troje shqiptare
Nga Lisen Bashkurti – O milet dëgjoni e mbani vesh! Tash 138 vjet Mali i Zi rritet me troje shqiptare. Mos harroni historinë sepse po ringjallet edhe në kohët tona. Mjerë ne po na vdiq kujtesa! Njëherë na rrëmbeu troje Rusia me Traktatin e Shën Stefanit, 1877. Pak kohë më vonë na i shkuli me akt juridik Kongresi i Berlinit, 1878. Mbi këto traktate masakrues të trojeve shqiptare, osmanet filluan të shisnin trojet shqiptare si zhelet e tyre për të zgjatur agoninë e Portës së Lartë, 1878-1883. E me në fund koalicioni i turpit, i Fuqive Evropiane bashkoi ruse e osmane, gjermane e franceze, austro-hungareze e serbo-malazeze për të rrethuar nga toka dhe nga deti shqiptarët e “pabindur” (1883). Kështu na shqyen, na i shkynë shkjatë trojet tona. E Mali i Zi nga Cetina në maje të shkrepave u shtri e u zgjerua, u rrit e u zmadhua mbi Rozhajë, Plavë e Guci, Hot e Grudë, Tuz e Dinoshë, Liqenin e Shkodrës, Ulqin e Tivar, Krajë e Anamalit.
Historia vazhdon. Jugosllavia e AVNOIT me Rankoviq e Tito i shqeu shqiptarët nëpër republikat serbe, malazeze dhe maqedone. Si plaçkë pazari Tito, babai i Jugosllavisë, u soll si njerk me shqiptarët. Titos i duheshin shqiptarët si gurët e kandarit për të kënaqur orekset etnike e për të shuar fobitë brenda Jugosllavisë. Kufijtë e Kosovës asokohe administrative lëvizeshin sipas interesave të Beogradit serbo-federativ. Historia nuk ndalej. Në 1974 u bë Kushtetuta e re Jugosllavisë. Kosovës dhe Vojvodinës iu dhanë statuse autonomie me elemente përfaqësimi konstituiv federal. Por territorialisht Kosova ngeli në kuadër suazash administrative, lehtësisht të ndryshueshëm në kuadër të Jugosllavisë, madje edhe të Serbisë.
Vetëm kufiri i jashtëm i Jugosllavisë në segmentin kosovar qe ishte me shtetin shqiptar ishte i pacenueshëm ndërkombëtarisht. Kështu, gjatë jugosllavive, te karagjorgjeve, obrenoviqeve, serbo-kroato-sllovene dhe AVNOIT, kufijtë e Kosovës veç janë tkurrur e tkurrur deri në limite ekzistenciale për popullin shqiptar. Historia nuk u ndal serish. Në verën e 1999 Kosova çlirohet nga Serbia e Millosheviqit. Por territorialisht nuk shpëtoi nga pretendimet territoriale të fqinjëve të saj. Filloi masakra tjetër territoriale mbi Kosovë. Serbet ndalen të Ura e Ibrit, falë krushqive me ca evropiane dhe kuislingëve të fshehtë brenda shqiptarë. Maqedonët do përfitonin konjukturalisht nga fakti që në dy anët e kufirit ishin shqiptarë etnik! Edhe ato gllabëruan mjaftë hektarë nga trojet e Kosovës brenda kufijve politike.
Tani boll! Të ndalim historinë në Rugovë. Këto ditë debati është shumë i nxehtë. Situata po precipiton jashtë kontrollit. Firmetarët e qeveritarët qajnë hallin e Malit te Zi. Ato janë gati të japin mijëra hektarë “qe të mos prishen marrëdhëniet me Malin e Zi”. Mirëpo, lavdi Zotit, presidenti i Malit të Zi shprehet se “mosratifikimi i demarkacionit nuk cenon marrëdhëniet e tij me Kosovën”. Arsyeja duket të jetë më realiste në Podgoricë. Duket që liderët e sotëm të Podgoricës e dinë më mire së liderët e sotëm të Prishtinës se “kur është boll”. Ç’po na dëgjojnë veshët!
Të çjerrim mashtruesit
Këto ditë argumentet kanë arritur absurditet e që nuk ka laborator logjik qe t’i arsyetoje. Mbas lumit manipulativ qeveritar se “Kosova nuk humb asnjë centimetër” si dhe mbas alarmit se “Kosova humbë 8200 hektarë territor në Rugovë” vjen opsioni oportunist, i paparë dhe i padëgjuar në historinë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në hartografinë botërore. Sipas këtij opsioni sofistik “Mali i Zi zgjerohet, por Kosova nuk zvogëlohet”. (!?)
Por ku i merr trojet Mali i Zi or derdimene që të zgjerohet përsëri, nëse nuk ndërfutet në territorin fizik të Kosovës. Mali i Zi nuk është në Antarktide. As në territore të pabanuara. Për rrjedhojë në hartën fizike të Ballkanit nuk ka zmadhim të një shteti pa i marre territore një shteti tjetër. O militet dëgjoni dhe mbani vesh! Fantazmat e Shën Stefanit e të osmaneve po ngrihen mbi Ballkan. Derisa krisma e tyre te dëgjohet e kuptohet mirë të aleatet tanë le t’i ruajmë trojet tona me çdo çmim e sakrificë tonën. Malazezët zbriten nga Cetina malore mes shkëmbinjve të zi, por u shtrinë nëpër trojet e popullit më të lashtë në Ballkan, shqiptarëve.
Le të kujtojmë Vaso Pashë shkodranin..
“Asht toka jonë,
T’parët na e kanë lanë,
Kush mos t’na e preki,
Se vdesim tanë”.
O milet dëgjoni e mbani vesh! E keqja nga jashtë është martuar me të keqen brenda e së bashku duan të na lënë pa atdhe.

