Fundamenti

Tarifat që ndëshkojnë

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi- ZRRE-ja e ka vështirë të gjej një tarifë të përshtatshme të çmimit të energjisë elektrike derisa më shumë fokusohet te reduktimi i shpenzimit, e jo te furnizimi i rregullt dhe me çmime që nuk dëmtojnë aski në tregun e energjisë.

Është një risi në trajtimin çmimit të energjisë elektrike dhe mundësisë që konsumatori të jetë në fokus të interesimit, e jo operatorët – prodhuesit, apo tregtarët e këtij malli me interes strategji. Nga debati publik që pati Zyra e Rregullatorit të Energjisë doli qartë një strategji e re , e cila nuk do të bazohet në konceptin që nevojat që kanë prodhuesit dhe tregtarët të mos mbulohen në mënyrë mekanike- ngritjes së çmimit të energjisë, por të përdoren variante të tjera, kryesisht duke bërë ndryshime substanciale në strukturën e tarifave.

Që në fillim duhet thënë se mënyra e deritashme e kalkulimit të tarifave ka qenë mjaft e ndërlikuar, shpesh e pakuptueshme edhe për ata që lexojnë njehsorët e shpërndajnë faturat,e të mos flasim për konsumatorin e rëndomtë. Kjo në disa raste ka krijuar moskuptime në relacionin furnizues-konsumator, por edhe dyshime se ka vjedhje që i faturohet konsumatorit.

Por, ZRRE-ja, ndonëse thotë se ka trajtuar të gjitha ankesa te konsumatorëve, megjithatë, me rastin e trajtimit të tarifave, më shumë ka qenë i fokusuar në situatën e rëndë të sistemit energjetik të vendit, mungesën e energjisë elektrike në raport me kërkesën, oscilimet e mëdha të konsumit brenda ditës, por edhe rritjen shumë të madhe të kërkesës gjatë ditëve me temperatura të ulëta, krahasuar me atë të verës. Kjo, në një masë ka lënë në harresë konsumatorin, madje edhe atë komercial, i cili, ka qenë e ndëshkuar nëse kalon një kuotë të caktuar të konsumit të energjisë elektrike, apo pse nuk ka qëndruar natën pa gjumë, që të shfrytëzoj terminin kur ajo ofrohet me çmim më të ulët. Për më keq, të ndëshkuar janë konsumatorët që rregullisht paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Kjo qasje ka pasur një qëllim- që përmes çmimeve të rregullohet edhe sasia e konsumit, përkatësisht që lakorja e tij të jetë sa më afër një drejtëze dhe mundësisht të jetë aq sa është potenciali prodhues në vend. Nëse del jashtë saj, atëherë është energjia nga importi, e cila për shkak të problemeve financiare të importuesit, blihet në sasi të caktuara. Mungesa e sasisë tjetër të energjisë elektrike “kompensohet” me terr- përkatësisht me reduktime. Kjo përditshmëri edhe sot vazhdon në vend, ndonëse, reduktimet janë shumë më të buta se para pak vitesh. Mirëpo, jemi shumë larg situatës që të përmbushet premtimi 24:0 në favor të dritës.

ARKATANA

Pra, tarifat e tilla janë ndëshkuese, sado që kjo nuk pranohet nga kreatorët e tyre. Me to përballet edhe sektori i industrisë – prodhimit dhe ai komercial, sado që sektori i amvisërisë shpenzon rreth 60 për qind të energjisë së shpërndarë. Telashet më të mëdha i kanë prodhuesit, të cilët i nënshtrohen ndryshimeve ditore dhe atyre sezonale të çmimit të energjisë elektrike, plus maksigrafit që ndëshkon kur arrihet një pikë e caktuar e ngarkesës. Kjo atyre ua nxehë kokën me rastin e kalkulimit të çmimit të mallrave që prodhojnë, apo edhe për mënyrën e organizimit të punës, ashtu që të “zënë” çmimin sa më të ulët.

Kur këto kemi parasysh, atëherë duhet përshëndetur ndryshimit e qasjes që ka bërë ZRRE-ja, që përmes ndryshimeve në strukturën e tarifave të zbutë diferencat e mëdha të çmimit të energjisë elektrike brenda një dite, apo nga një sezon në tjetrin. Në këtë drejtim ecjet edhe për shumë kohë do të jenë të ngadalshme, meqenëse paralelisht me ndryshimet në strukturën e tarifave, duhet pasur kujdes për vëllimin e prodhimit, i cili kurrë nuk është në harmoni me kërkesat, si edhe me shkallën e lartë të humbjeve. Përderisa nuk ka prodhim, atëherë kontrollin duhet bërë me çmime, reduktime e shkyçje. Ndërkaq, humbjet mbeten të larta, sado që kanë tendencë të zvogëlimit. Për një sistem energjetik që shpërndanë 4.790 gigavatë orë energji elektrike është e pa përballueshme që të humbë 972 gigavatë orë. Madje, këtu fshihet edhe mundësia që duke zvogëluar humbjet dhe pa bërë ndryshime në strukturën tarifave, fare të mos ngritët çmimi i energjisë elektrike.

Mirëpo, si distribucioni i KEK-ut të mëhershëm, ashtu edhe KEDS-i i tashëm vështirë se mund të sjellin situatën që humbjet të jenë në nivel të pranueshëm. Madje, këtë nuk mund ta bëjë KEDS-i i vetmuar.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)