Fundamenti

Tahiri: Kurti do të ndëshkohet me 9 shkurt

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se shumë njerëz i kanë dhënë votën Kurtit për shkak të premtimit për banesa për çiftet e reja, derisa asnjë çift i ri s’ka përfituar nga ky premtim.

“Sa i përket premtimeve që kanë qenë sektoriale, janë dy që janë shumë problematike, që në fakt i kanë shtyrë dhe shumë njerëz që t’ua japin votën, një ndër ta është edhe ajo për banesat për çiftet e reja. Ma gjeni vetëm një banesë që një çift i ri që beson në këtë shtet, beson në lirinë dhe pavarësinë e vendit, që ka besuar në këtë qeveri dhe ka përfituar nga ky program, asnjë. 176 çerdhe janë premtuar, nga to sa janë ndërtuar, 4, 5, 6, po them 10, d.m.th as 7 për qind nuk është bërë realizimi i planit të kësaj qeverie. Kjo situatë do të reflektojë me 9 shkurt, por deri me 9 shkurt beteja e qytetarëve aktivë, e njerëzve që e duan vendin, është që ta shpërfaqin të vërtetën, nëse është e dobët për qeverinë, le të thuhet, por njëjtë edhe për opozitën. Shpërfaqja e të vërtetës, ballafaqimi me të vërtetën do të jetë dhimbja më e madhe për këtë qeveri me 9 shkurt. Mendoj se rezultati zgjedhor do të jetë rezultati më befasues për këtë qeveri e cila fatkeqësisht për 4 vite nuk i dha drejtim vendit, përkundër që pati një rezultat me një besim historik. Mos trajtimi me dinjitet dhe integritet i besimit është papërgjegjësia më e madhe që një lider mund ta ketë në udhëheqjen e një vendi”, është shprehur ai.

Andaj, sipas Tahirit, për shkak të gjithë këtyre mos realizimit të premtimeve e dështimit të Qeverisë, ajo me 9 shkurt do të ndëshkohet.

Uji Dea

“Për Aleancën kurrë s’ka qenë problem një parti politike e caktuar, sikurse s’ka qenë as me 14 shkurt 2021, 50 për qind e popullit kanë shkuar në një anë duke besuar në një koncept të ri politik se do të bëjë diçka për vendin. Ndërsa, 40 për qind që kanë qenë në opozita nuk kanë luftuar shumë për shkak se ndërdije kanë thënë ‘le të ndodhë ndryshimi’. Ky ndryshim e ktheu Kosovën mbrapa dhe ky ndryshim nuk do të tejkalohet pa u ndëshkuar me 9 shkurt”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai është shprehur tejet kritik ndaj Qeverisë për gjendjen e rrugëve, derisa thotë se fjalët e premtime kanë qenë të mëdha por pa rezultat.

“Buxheti i kësaj qeverie ka qenë 6 miliardë euro për këtë mandat. Asnjë rrugë e vetme nuk është përfunduar, rruga Prishtinë-Podujevë vazhdon të jetë problem serioz, rruga Prishtinë-Gjilan është njëjtë, rruga Prishtinë-Gjakovë është bërë e patejkalueshme, rruga për Mitrovicë ende nuk ka përfunduar, ura e Gjilanit ende nuk ka përfunduar, autostrada për Gjilan ende nuk ka përfunduar, çka me thënë më shumë veçse kemi pasur të bëjmë me një testim, një logjikë e cila veçse ekzekutive nuk është. Fjalët janë shumë të mëdha, premtimet kanë qenë marramendëse, rezultatet zero”, ka deklaruar Besnik Tahiri.