UBT

Ta lësh Kosovën të lirë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabine Freizer-Shteti i ri ka përmbushur shumëçka që kur e shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, mirëpo, përkundër përshëndetjes dhe hapit të merituar të kësaj jave, kjo nuk është koha kur partnerët duhet të largohen, me të menduar se puna ka marrë fund…. Tani mund të ketë një mbështetje të madhe festive, mirëpo është ende tepër herët të thuhet se konflikti i Kosovës më në fund është zgjidhur.

Kosova është lënë e lirë. Nëntëdhjetë e diçka shtete që e kanë njohur atë, ia hoqën këtij shteti ballkanik formën unike të pavarësisë “së mbikëqyrur” të hënën, duke e bërë kështu një entitet krejtësisht sovran.

Shteti i ri ka përmbushur shumëçka që kur e shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, mirëpo, përkundër përshëndetjes dhe hapit të merituar të kësaj jave, kjo nuk është koha kur partnerët duhet të largohen nga vendi, me të menduar se puna ka përfunduar.

Progresi i Kosovës drejt paqes dhe demokracisë nuk ishte një rezultat i garantuar katër vjet më parë, as për shtetet që e njohën atë aq shpejt, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe dhe Turqia. Ekzistonte droja se ekstremistë nga Serbia do të mund ta detyronin Kosovën të kthehet përsëri në përbërjen e tyre shtetërore, nga e cila de facto u nda pas luftës me Beogradin në vitin 1999. Për disa ditë, nacionalistë serbë protestuan në Beograd kundër pavarësisë, duke sulmuar ambasadat dhe bizneset e huaja, si dhe duke shkaktuar të paktën një vdekje.

Kryeministri i atëhershëm, Vojislav Koshtunica, kishte thënë: “Derisa të jemi gjallë, Kosova do të jetë Serbi. Kosova i përket popullit serb”.

Por Kosova që atëherë ka treguar se, megjithëse ka një shumicë të qartë shqiptare, mund të jetë shtet për të gjithë popujt e vet, serbë, turq, romë dhe të tjerë. Në vitin 2008, Kosova e pranoi propozimin gjithëpërfshirës të statusit, të ndërmjetësuar nga ish-presidenti finlandez dhe laureati i çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, edhe pse Beogradi e refuzoi dhe, që atëherë, “plani Ahtisaari” formësoi projektin e zhvillimit të Kosovës. Me më se 60 faqe, plani përmbante rekomandime për Prishtinën se si t’u adresohet të drejtave njerëzore, decentralizimit, trashëgimisë fetare dhe asaj kulturore, çështjeve ekonomike dhe pronësore, sigurisë dhe drejtësisë si dhe prezencës ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar ishte ftuar të mbikëqyrë, monitorojë dhe të ketë të gjitha kompetencat e duhura për të siguruar efikasitetin e planit dhe përmbushjen efektive të tij.

Në fund të fundit, Kosova mori pjesën më të madhe të barrës së përfshirjes së planit në Kushtetutën e re të saj, miratimin e ligjeve dhe hedhjes së hapave konkretë, veçanërisht për çështjen e të drejtave të minoriteteve.

Hidromorava

Zgjedhjet shtetërore, rezultatet e të cilave janë pranuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse, janë mbajtur në vitin 2010 dhe një qeveri e koalicionit, në të cilën është përfshirë edhe një parti serbe, që atëherë është në fuqi. Ajo është ndihmuar gjatë gjithë rrugëtimit nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Turqia, në veçanti.

Misioni i Bashkimit Evropian (EULEX) ndihmoi në forcimin e sundimit të ligjit, sidomos funksionalizimin e policisë dhe gjykatave. Turqia ofroi një mbështetje më shumë politike dhe ekonomike dhe ka tentuar të ndërtojë besimin me Beogradin, me qëllim të inkurajimit të liderëve serbë që ta shohin pavarësinë e Kosovës si një gjë më pak kërcënuese se sa e shihnin në vitin 2008. Në korrik, mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës në Bordin Ndërkombëtar Drejtues, ku Turqia luan një rol aktiv, vendosi se qeveria ka përmbushur kushtet e Ahtisaarit dhe se mund të ndërmarrë masat e duhura për të përfunduar mbikëqyrjen në shtator.

Kosova demonstron se si edhe pas një lufte të shkurtër, por të ashpër, një transicion të menaxhuar të pavarësisë është i mundur. Vendi mori një shtytje shumë të madhe në korrik të vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendim se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo sfida të mëdha që ende i mbesin tregojnë se sa i vështirë është krijimi i bazave të një shteti demokratik multietnik. Ç’është më e rëndësishmja, vendi nuk njihet shtet nga Serbia, e cila mban një prezencë të rëndësishme në komunën me shumicë serbe të Kosovës në veri të lumit Ibër, ku institucionet e Prishtinës nuk pranohen nga serbët lokalë dhe nuk mund të operojnë. Kosova nuk ka kontroll të plotë në anën veriore të kufirit të vet. Asaj nuk i lejohet anëtarësimi në shumë organizata ndërkombëtare, që të ketë kodin e vet telefonik apo madje edhe të marrë pjesë në Olimpiadë. E zhvillimi i saj do të frenohet përderisa këto sfida të mos kapërcehen.

Pas shumë shtyrjesh dhe kundërshtimesh, Kosova dhe Serbia u ulën në një tryezë për dialogun teknik të ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të arritjes së marrëveshjeve rreth asaj se si të ndajnë të dhënat kadastrale, të njohin diplomat shkollore, të sigurojnë që Kosova të marrë pjesë nëpër forume ndërkombëtare dhe menaxhuar kufijtë e tyre. Derisa marrëveshjet ekzistojnë në letër, pak hapa janë hedhur për t’i përmbushur ato. Për këtë mungon vullneti politik, veçanërisht i Beogradit. Dhe zgjedhjet e mbajtura këtë pranverë në Serbi që e prodhuan një qeveri edhe më nacionaliste, e cila kishte promovuar ndarjen e Kosovës në të kaluarën, ka të ngjarë që këto marrëveshje t’i vështirësojë edhe më shumë.

Pas festimeve dhe fjalimeve të urimit, Qeveria e Kosovës do të duhet ta vazhdojë punën e zorshme të nderimit të Planit të Ahtisaarit. Vendi duhet të bëjë më shumë për të inkurajuar qytetarët e vet serbë që të ndihen si pjesëtarë të plotë të shoqërisë dhe të jetës politike. Kthimi i serbëve të zhvendosur është një fushë, në të cilën Kosova ka dështuar dhe ka kaluar edhe më keq se Bosnja fqinje. Këta serbë kërkojnë më shumë ndihmë nga qeveria për të ndaluar valën e incidenteve të dhunshme, të cilat i kishin ata në shënjestër gjatë muajve të fundit. Ata meritojnë qasje më të mirë në shërbimet zyrtare me gjuhët e tyre amtare dhe një kanal televiziv plotësisht të pavarur. Duhet të krijohet një mekanizëm që do të siguronte që numri i tyre në parlament të mos shkurtohet. Sfida më e madhe e Kosovës – përfshirja graduale qytetarëve serbë që jetojnë në veri në normalizimin e prezencës së tyre aty, në bashkëpunim me Beogradin – ndodhet ende përpara saj.

Menaxhimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë dhe mbrojtja e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe e minoriteteve në Serbi është gjë kyç për arritjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Tensionet shumë shpejt mund të arrijnë pikën e vlimit, siç ka ndodhur në korrik 2011, kur një polic u vra gjatë një operacioni të policisë së Kosovës në veri të Kosovës, apo nëse vrasjet, si ajo e dy serbëve të moshuar në korrik 2012, ndodhin përsëri. Kosova duhet të mbetet e përkushtuar në këtë drejtim, siç duhet të mbesin mbështetësit ndërkombëtarë të saj. Kosovës ende i nevojitet një monitorim i gjerë dhe mbështetja, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, në të cilin në fund synon të anëtarësohet, dhe nga aleati i saj më i fuqishëm rajonal, Turqia. Tani mund të ketë një mbështetje të madhe festive, mirëpo është ende tepër herët të thuhet se konflikti i Kosovës më në fund është zgjidhur.

(Sabine Freizer është drejtoreshë e programit evropian, me seli në Stamboll, të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Gjatë detyrës së saj, ajo ka mbikëqyrur projektet në Kaukaz, Bosnje, Kosovë, Serbi, Turqi dhe Qipro. Ky vështrim është shkruar për edicionin në gjuhën angleze të gazetës turke “Zaman”).