Ta duam shtetin kështu si është
Nga Gani Sadiku – Ne, jo vetëm që duhet të mësohemi ta duam shtetin kështu siç është, por edhe të angazhohemi të gjithë në ndërtimin e tij, dhe në momentin që ai prodhon mirëqenie për qytetarin e vet, atëherë do ta duan të gjithë ata që u sjell të mira dhe siguri. Nëse ne prodhojmë afera skandale dhe shtetin tonë e përdhosim e ngufatim, atëherë ai kurrë nuk do të prodhoj dashuri për ata qe vijnë pas nesh.
Nëse na kujtohen fjalët e njerëzve të cilët kanë përdorur thënie të mençura herë popullore e herë nga iluministet e kohës, na e sjellin ndër mend një thënie të shkurtër dhe shumë interesante, “mos na raft me harru”. Kjo thënie është adekuate për kohën nëpër të cilën po kalon vendi, dhe për ditët e sotme në Kosovë ku skandalet janë bërë të zakonshme dhe çdo qytetar është futur në një stad normal të akceptimit të lajmeve të këqija çdo ditë.
Një ditë pa ndonjë lajm të keq në Kosovë, e zbehë arsyen e leximit të portaleve dhe gazetave, thua se të gjithë qytetarët i presin këto lajme me një apati politike, e cila ka rritur inferioritetin qytetar në masë të konsiderueshme ndaj ngjarjeve të pazakonta por edhe adhurimin ndaj ngjarjeve të mira që ndodhin në këtë vend.
Qeveria e re e formuar, do të ishte një Qeveri shumë e suksesshme nëse do të arrinte ta nxirrte Kosovën nga rruga që është katandisur, nëse arrin të hedh themelet për një strukturë më të lehtë kontrolli dhe të nxit konkurrencën, sjell vizion të ri dhe kapacitete që ilustron një standard demokratik qytetarie. Por për fatin e saj të keq, enda pa filluar punën mirë, kanë shpërthyer shumë pakënaqësi qytetare të grumbulluara me vite si pasojë e një qeverisje të korruptuar dhe të kriminalizuar e cila me vetëdije, ka instaluar një armatë të tërë zhvatësish.
Nuk ka ditë që kalon në këtë vend e të mos dalin në shesh pakënaqësi apo komplote politike, që e trondit deri në palcë qytetarin e tij, i cili në njëfarë mase është bërë imun ndaj së keqes. Nëse rasti më i fundit i shkruar në Koha Ditore del të jetë i vërtetë, përgatitja e komplotit politik kundër Fatmir Limajt, në të cilin është e involvuar edhe bashkësia ndërkombëtare, atëherë kjo nuk thotë gjë tjetër veç se na tregon që PDK-ja, qenka bërë bashkëpunëtore e djallit për të qëndruar në pushtet, kur dihet se çështja Lima ishte një nga maratonet e pa përsëritshme në historinë e gjyqësoreve ndërkombëtar dhe vendor.
Ky do te ishte një precedan shume i keq i cili do të qonte drejt humbjes së besimit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Dhe duke e humbur besimin ndaj sajë, atëherë populli do të orientohet në ekstremizma të ndryshëm ku pasojat do të jenë fatale për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Kjo i mbulon një varg skandalesh tjera që janë paraqitur ditëve të fundit, siç ishte rasti i Jablanoviqit, migrimet masive, probleme me themelimin e gjykatës speciale, pakënaqësitë e mëdha me listat e veteranëve të luftës, afera e pakuptimtë dhe skandaloze e Devollëve me miell që kishte shokuar opinionin Kosovar, aferat e mbi 500 diplomave falso në Universitetin e Pejës, e ngjarje të tjera, e vështirësojnë në masë të madhe një fillim të mbarë të qeverisjes Mustafa.
Këso ngjarjesh, por edhe mungesa e zhvillimit ekonomik në këtë vend, e ka bërë qytetarin e saj, të ndjehet i pa fuqishëm në raport me ndryshimin e rrjedhës së tyre. Me këtë indiferencë ndaj vendit, po e hutojmë qytetarin, duke e shtyrë që të kërkoj diçka më të shejt se shteti. Dhe duke mos e dashur Himnin dhe Flamurin nuk po e duam as shtetin.
Në atë rast qytetari i hutuar kërkon shpëtim në ndonjë pjelle mendjesh të krisura, apo ndonjë vend tjetër në të cilin do të krijohet “parajsa” e shqiptarëve. Kjo dukuri s’është gjë tjetër veçse tentativa e fabrikimit të një predikati mitik që kërkon të kompensojë pamundësitë reale në shoqërinë tonë.
Nëse e duam Shtetin dhe e zhvillojmë atë, atëherë ky do të prodhoj qytetarin apo shtetasin e tij, i cili do të vdes për Flamurin dhe Himnin.! Por ky shtetas kosovar do të jetë fillimi i prodhimeve të fundit, sepse, që ta duan vendin gjeneratat e ardhshme, ne duhet të investojmë dhe të sakrifikojmë secili nga vetja. Por së pari duhet të prodhoj hekur, bllok, pllakë ciment produkte bujqësore e shumë prodhime tjera industriale ( që ta ngris mirëqenien e qytetarëve ) para se shteti të filloj ta prodhoj shtetasin e vet.
Mark Tueni, para një shekulli, ka shkruar… “Në Amerikë, po të vjedhësh një franxhollë bukë, të fusin menjëherë në burg. Kurse po të vjedhësh, ta zëmë, një tren të tërë plot me flori, atëherë të bëjnë… senator” Fjalët e humoristit të madh amerikan janë sot më aktuale se kurrë, sepse të varfrit, trajtohen si qytetarë të kategorisë së dytë dhe përbëjnë prenë e lehtë mandej edhe për drejtësinë…/rajonipress/


