Syla: Mandatin e deputetit nuk e konsideroj si privilegj për vete, por si mundësi për t’ju shërbyer juve
Gjilan – Zotohem se me përkushtim maksimal do të përfaqësoj, adresoj e mbrojë në veçanti interesat e Komunës së Gjilanit dhe të Anamoravës, duke qenë zëri juaj në të gjitha shqetësimet dhe problemet që mund të keni ka shkruar Bardhyl Syla kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në Gjilan.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq e familjarë,
Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjilanit dhe të Republikës së Kosovës,
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, me miratimin e plotë të të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan, dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, jam nominuar kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Arsyet e kandidimit tim nuk janë për qëllime personale.
Mandatin e deputetit nuk e konsideroj si privilegj për vete, por si mundësi për t’ju shërbyer juve, për të dhënë kontributin tim politik e profesional në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë, forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale.
Zotohem se me përkushtim maksimal do të përfaqësoj, adresoj e mbrojë në veçanti interesat e Komunës së Gjilanit dhe të Anamoravës, duke qenë zëri juaj në të gjitha shqetësimet dhe problemet që mund të keni.
Besimi juaj, për mua është amaneti mē i shenjtë që do ta kem gjatë katër viteve të ardhshme.
Ju faleminderit!