ARKATANA

Surroi: Kosova administrohet nga një grup kriminal

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Publicisti Veton Surroi në një intervistë në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, në televizionin “News24” në Shqipëri, ka folur për Kosovën pas gjashtë viteve shtet. Ai ka thënë se krimi ka mbuluar Kosovën, shteti administrohet nga një grup kriminal.

“Kushtet në të cilat u shpall pavarësia ishin të vështira dhe e kushtëzuan lindjen e Kosovës me një seri problemesh, dhe kjo foshnje ende i ka ato problemet e lindjes. Kjo do të thotë që Kosova ka problem në legjitimitetin e vetë ndërkombëtar përsa i përket pjesëmarrjes në OKB, ka një problem në legjitimitetin e vet europian, ka shtete të BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën, ende përpëlitet në vendosjen e një sistemi unik administrativ brenda vendit, dhe ne ecje e sipër pastaj janë manifestuar dhe sëmundje të tjera siç është zaptimi i shtetit në fakt nga një strukturë jodemokratike”, ka thënë Surroi për News24, duke folur për 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Thotë se ka pasur shumë gjëra që është dashur të bëhen por që nuk janë bërë dhe që e kanë penguar Kosovën që të mos ecë përpara.

Duke folur për arrestimet në Kosovë, përfshirë këtu edhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, djalin e ish-presidentit Rugova, Surroi thotë se problemi i Kosovës sot nuk është se sa krim ka por sa ka jo krim në funksionimin e shtetit.

ARKATANA

“Shteti për nga natyra e rrjedhjes së këtyre viteve është kriminalizuar. Shteti administrohet nga një grup i cili lind nga krimi i organizuar. Zgjedhjet e kaluara janë vjedhur në një përmasë gati 40% sipas raporteve ndërkombëtare mbikëqyrëse. Kur kemi një shkallë aq të lartë të vjedhjes së votës, apo dëmtimit të vullnetit të qytetarëve atëherë kemi të bëjmë me një veprim të organizuar sepse mund të vidhet një votë por nuk mund të vidhen pa grup të organizuar 40% të votave. Përderisa kemi të bëjmë me një grup të organizuar që vjedh atëherë kemi të bëjmë me krim të organizuar sepse vjedhja e votës është krim. Imponimi i një strukture të zgjedhur nga krimi i organizuar sjell pastaj reperkursione të tjera dhe veprime të tjera kriminale në jetën tonë. Nuk është pra aspak e çuditshme që në kuvendin e Kosovës ka njerëz të cilët ose kanë vepruar ose veprojnë mbi baza të krimit”, tha ai.

“… krimi e ka mbuluar Kosovën si tërësi. Krimi është futur në majat e administrimit të vendit dhe në momentin kur prodhohet një elitë nga veprimi i aktivitetit kriminal atëherë nuk mund të shpresoni se do të ndodhë diçka e kundërt. Ajo që është mirë, është se po krijohet një klimë e cila po i zbeh ose po i relativizon ose po i vë në një kontekst real këto veprime kriminale. Kjo do të thotë se nuk mund të flasim më për ambasadorë, deputet pasi nuk i mbron titulli nga ndëshkimi eventual ligjor”, tha ai.

Thotë se kur njeriu jeton në Kosovë brenda një konteksti më të gjatë shqetësimi duhet të jetë më i madh, jo aq për shkak të mungesës së perspektivës sepse ajo do të vijë, por shqetësimi duhet të vijë për shkak të të gjitha rasteve të humbura për të ndërtuar një shtet realisht ligjor. “I kemi pasur ato raste falë pranisë së madhe ndërkombëtare, falë ndihmës së madhe ndërkombëtare dhe Kosova nuk është dashur të hyjë në këtë rrugë të keqe”.

“Unë besoj që veprimi i EULEX edhe pse i vonuar mund të ndihmojë të vendosë kritere të reja në sundimin e ligjit dhe këto kritere duhet të deportohen në të gjitha instancat më të larta. Besoj që këto më pas do të inkurajojnë popullatën që të mendoj qartë dhe pa frikë për ardhmërinë e vet, sepse duhet të shkarkohet nga frika fizike. Një pjesë e këtij veprimi kriminal të viteve të fundit është veprim i dhunshëm i njerëzve të cilët u janë kërcënuar qytetarëve”, tha Surroi. /Telegrafi/