Surdulli: Universiteti i Gjilanit projekt madhor

Gjilan – Arben Mehmeti i LDK-së ka zgjedhur akuzat ndaj qeverisjes komunale, për t`u treguar “aktiv” në politikë. Sa herë që ne angazhohemi për ndonjë projeksion të madh, siç është Universiteti Publik i Gjilanit, që po përgatitemi ta hapim në tetorin e këtij viti, Arbeni dhe LDK-ja e tij, sulet me kritika e akuza thotë Shefik Surdulli.
Duke mos u pajtuar me konstatimet e Arben Mehmetit se Universiteti i Gjilanit po politizohet dhe po shfrytëzohet për fushata zgjedhore e klane politike , Shefik Surdulli zëdhënës i komunës thotë se gjithçka që ndodh në shoqërinë tonë, Arben Mehmeti e sheh nga prizmi i zgjedhjeve, sepse aty e ka frikën. “E tmerron çdo sukses, çdo projekt, çdo hap që bëjmë përpara për të mirën e qytetarëve tanë. Kërkon “dështime” te ne, sepse ai dhe partia e tij nuk kanë alternativë për të ofruar”.
Sipas kësaj logjike, sa herë ka zgjedhje, ne duhet të mos punojmë asgjë, të mos hapim shkolla të reja, të mos ndërtojmë rrugë, të mos…! Jo zoti Mehmeti, pati apo s’pati zgjedhje, ne nuk ia falim “dakikun”, do të punojmë çdo minutë, çdo orë, javë e muaj, dhe pa ndal do të merremi me hallet e qytetarëve.
Tutje në reagim Surdulli thotë se duhet t`i themi Benit se Universiteti Publik i ka tashmë themelet e veta këtu në Gjilan, me dy drejtime, por ai do të bëhet i plotë prej këtij viti akademik. Ndoshta, kushedi, Benit mund t`i pengojë një universitet publik në Gjilan, sepse dihet se ai ka lidhje me një universitet privat në Gjilan. “Ndoshta e ka hallin që si jurist, nuk është ftuar të ligjërojë në degët e universitetit publik në Gjilan dhe akuzon pse kuadrot që punojnë aty janë jashtë Gjilanit. Beni gjithçka e mat me hijen e tij dhe në relacion me interesin e tij personal. I madh i duket vetja në mëngjes…
Surdulli tha se ne nuk do të bëjmë universitete të lagjeve. “Nuk do të bëjmë universitete sa për të punësuar profesorë, por për të arsimuar brezin e ri. Mehmeti gjen “behane” edhe te ekipi nismëtar për themelim të universitetit publik të Gjilanit. Ç’rëndësi ka se kush janë emrat e kësaj nisme dhe nga vijnë ata?! Po të ishte vetë pjesë e këtij ekipi, ai as gojën nuk do të hapte. E kemi provuar Benin te rasti i “Higjienës”.
Nuk u morëm me reagimin më herët sepse kishim festën tonë të shtetësisë. Edhe tash, mbase nuk do të reagonim, por këtë po e bëjmë për hir të publikut, sepse nuk do të humbim shumë kohë për t`u marrë me Arben Mehmetin. Kemi punë më të mençura për të bërë. Universiteti Publik i Gjilanit, është njëri prej projeksioneve tona të mëdha që po bëhet thuhet në reagimin e Surdullit./rajonipress/