Fundamenti

Surdulli sërish në telashe me organet e ndjekjes

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër ish kreut të Kamenicës Shaip Surdulli i dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Surdulli dyshohet se ka nënshkruar një kontratë me IPKO në vlerë të 19980 eurove gjë që nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë tillë, meqë nuk janë udhëhequr procedurat e prokurimit. Surdulli e quan shumë joprofesionale aktakuzën.

Ndonëse është larguar nga i pari i komunës pasi humbi në zgjedhjet e fundit lokale, ish kreu i Kamenicës Shaip Surdulli vazhdon të ketë telashe me organet e ndjekjes dhe tani të jetë edhe i dyshuar për një kontratë me IPKO sa ishte kryetar komune raporton rajonipress.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë kundër Surdullit, nën dyshimin se ka nënshkruar një kontratë me operatorin IPKO, pa përfillur procedurat e prokurimit.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Agron Uka thuhet se Surdulli ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtarë, në atë mënyrë që me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër ose shkaktimit të dëmit personit tjetër, ashtu që i dyshuari ka lidhur kontratë me IPKO me një çmim prej 19980 euro brenda vitit, duke i anashkaluar procedurat e prokurimit.

Prokuroria është bazuar edhe në ekspertizën financiare të kryer nga eksperti Riza Blakaj i cili ka konstatuar se nuk janë respektuar procedurat e prokurimit publik.”Zyrtari përgjegjës i prokurimit publik është i vetmi zyrtar i autorizuar për nënshkrimin e kontratës nga rrjedh se tani i pandehuri Shaip Surdulli nuk ka pasur të drejtë të nënshkrimit të kësaj kontrate me operatorin IPKO” ka konstatuar eksperti Blakaj.

UBT

Edhe Sadik Thaçi ish shef i zyrës së prokurimit në Kamenicë ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar nga Surdulli rreth kësaj kontrate.

Kurse Shaip Surdulli në hetuesi dhe para prokurorit ka thënë se kanë qenë 66 punonjës të Komunës së Kamenicës që kanë shfrytëzuar këto kartela.

Ndërkaq i kontaktuar nga rajonipress Surdulli tha se kjo aktakuzë është shumë joprofesionale dhe e paqëndrueshme. “Të akuzosh një kryetar komune pse ka siguruar kartela mbushëse për zyrtarët e një komune kjo vërtet më duket shumë absurde. Unë i kam besuar dhe prapë u besojë organeve të ndjekjes , por nëse vazhdohet të mos i besohet asnjë organi, asnjë institucioni apo komiteti profesional kjo më duket shumë joserioze”.

Surdulli tha se i ka fituar të gjitha betejat gjyqësore dhe do ta fitojë edhe këtë të fundit sepse faktet dhe provat nganjëherë janë kryeneçe, por ato janë dëshmi të forta.”Jam i sigurt se edhe Prokuroria do të heq dorë nga një ndjekje e tillë sepse dëmton rëndë imazhin e saj” tha Surdulli./rajonipress/