Suksesi i përfaqësueses i lidhur me një mbiemër

Lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert, Imran, Enis e Alban Bunjaku nuk kanë asnjë lidhje familjare mes vete. Asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare as me përzgjedhësin e Kosovës, Albert Bunjaki, shkruan sot Koha Ditore.
E përbashkëta e tyre, pos mbiemrit të njëjtë, është se janë pjesë e përfaqësueses në ndërtim të Kosovës, që tashmë i ka luajtur katër ndeshje miqësore me leje të FIFA-s. E përbashkët tjetër është se të gjithë golat e realizuar nga Kosova, në miqësoret zyrtare, mbajnë firmën e lojtarëve me këtë mbiemër.
Golin e parë për Kosovën e ka shënuar ish-reprezentuesi i Zvicrës, sulmuesi Albert Bunjaku. Ai shënoi në humbjen 6:1 nga Turqia, më 21 maj në Mitrovicë. I njëjti lojtar shënoi golin e vetëm në humbjen 3:1 nga Senegali, më 25 maj në Zvicër. Ndeshja e parë e Kosovës, ajo e luajtur me Haitin më 5 mars, u mbyll me rezultat të bardhë, 0:0.
Fitorja e parë e Kosovës, pas lejes që mori nga FIFA për miqësore në fillim të vitit, erdhi të dielën e kaluar, kur u mposht Omani me shifrat 1:0. Golin e realizoi mesfushori Imran Bunjaku.
“As gjeografikisht nuk jemi të përafërt”, thotë përzgjedhësi Albert Bunjaki, që tregon se me rrënjë është nga rajoni i Drenicës./koha/