Fundamenti

Studentët debatojnë për ekstremizmin fetar

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Një pjesë e debatuesve shpreheshin për masa shtetërore kundër shfaqjeve të ekstremizmit fetar ndërsa pjesa tjetër, për lirinë fetare në rast se ajo nuk shoqërohet me dhunë.

Të mërkurën, më 17 prill në ambientet e Universitetit të Cyrihut është mbajtur mbrëmja e dytë filmike nga gjithsej tri sish, në një seri mbrëmjesh të organizuara nga shoqata Studenti e Universiteti i Cyrihut dhe të ideuar nga studentja e shkencave politike, Mimoza Sejdiu.

Përzgjedhja e filmave ka ndjekur një koncept: të tre filmat lidhen me luftën dhe pasojat e luftës. Ngjarjet zhvillohen në Bosnjë por realiteti që përshkruajnë ata korrespondon mjaft mirë edhe me Kosovën dhe me shoqëritë tjera që kanë dalë nga lufta.

Filmi i radhës që u shfaq më 17 prill ishte ai „Zwischen uns das Paradies“ (Në mes nesh, parajsa) i regjisores boshnjake Jasmila Zbanic. Shndërrimi i njeriut “normal” në shoqërinë boshnjake të pasluftës në një fundamentalist fetar, në këtë rast islamik, është tema e filmit.

Amari, një ish luftëtar boshnjak bashkëjeton me Lunën, po ashtu boshnjake. Ata të dy vijnë nga familje myslimane por me koncepte mjaft liberale për fenë, siç janë përgjithësisht myslimanët e Ballkanit. Ata e duan njëri tjetrin dhe duket se i pret një ardhmëri e bukur. Idili vazhdon derisa Amari nuk takon ish shokun e tij të luftës i cili ishte shndërruar në ekstremist fetar të sektit vahabist. Meqë Amari ndërkohë kishte mbetur pa punë, miku i tij e punëson atë në një kamp vahabistësh për tu mësuar kompjuterin fëmijëve të kampit. Dhe, këtu ndodh thyerja: Amari evoluon shpejtë, duke u shndërruar në një pasues besnik të sektit të përmendur. Ky ndryshim bëhet barrierë në raportet e tij me Lunën, e cila nuk është në gjendje t`i pranojë konceptet e reja, të ngurta të Amarit për fenë, martesën dhe shoqërinë. Kështu në mes tyre ndodh ftohja dhe në fund edhe ndarja.

Uji Dea

Mbi subjektin e filmit të shikuar, u zhvillua edhe debati pas shfaqjes së tij. Pyetjet të cilave duhej tu përgjigjeshin pjesëmarrësit në debat ishin: cilat janë arsyet për ekspandimin e sekteve ekstremiste fetare; a paraqesin vahabistët rrezik për trevat shqipfolëse dhe në veçanti për Kosovën si një shtet i ri dhe: A është detyrë e shtetit të parandalojë krijimin e këtyre grupeve apo duhet të respektohet liria fetare e garantuar me kushtetutë?

Në vazhdim nga të pranishmit është zhvilluar një debat i gjallë në lidhje me pyetjet e shtruara. Përderisa të gjithë debatuesit pajtoheshin në parimin e kundërshtimit të ekstremizmit fetar, mendimet e tyre ndaheshin sa i përket qasjes që duhet të marrin shoqëritë shqiptare kundrejt përhapjes së kësaj dukurie. Një pjesë e debatuesve shpreheshin për marrje të masave shtetërore kundër frymëzuesve dhe financuesve të shfaqjeve të ekstremizmit fetar. Argument tjetër për nevojën e luftimit të kësaj dukurie ishte shumësia fetare e shqiptarëve dhe nevoja për të ruajtur tolerancën tradicionale në mes të feve. Fakti se shqiptarët nuk e kanë në plan të parë të identifikimit të tyre fenë por kombin si dhe nevoja për të shprehur mirënjohjen ndaj perëndimit (të krishterë) që ka ndihmuar shqiptarët, ishin argumente plotësuese në këtë drejtim. Nga ana tjetër, për pjesëmarrës tjerë në debat, liria fetare është vlerë që duhet respektuar patjetër, për sa kohë që ajo nuk keqpërdoret për qëllime të dhunshme. Ata ishin kritikë ndaj shoqërive shqiptare që, sipas tyre tregojnë tendencë për fshehjen e identitetit fetar të tyre. Duke dëbuar, fjala vjen, vajzat me shamia nga shkolla, sipas tyre arrihet kundërferekt; me një anë ato mbeten pa u shkolluar dhe në anën tjetër motivohen për tu rekrutuar mbase në taborin fundamentalist.

Përballja me argumente dhe hapja ndaj kundërargumenteve ka karakterizuar gjithë debatin. Kjo dhe ishte një ndër motivet e organizimit të këtyre mbrëmjeve filmike, pohon për albinfon Mimoza Sejdiu.

Të mërkurën e ardhshme, më 24 prill. në kuadrin e kësaj serie jepet filmi i njohur me tematikë nga lufta e Bosnjës “In the land of blood and honey” (Në tokën e gjakut dhe të mjaltit) nën regjinë e aktores së njohur Angelina Jolie.(Blerim Shabani)