Strategjitë në numëratore
Nga Albin Kurti – Të gjitha qeverisjet e pasluftës në Kosovë vuajnë nga defekte themelore të organizimit dhe funksionimit. E përbashkëta e tyre është pakrahasimisht më e rëndësishme sesa dallimet midis tyre. Jo vetëm ndryshimi socio-ekonomik por edhe ai politiko-institucional varet shumë më tepër nga transformimi i asaj që qeverisjet e kishin të njëjtë, sesa nga përzgjedhja midis ndryshimeve eventuale ndërmjet tyre.
Së pari, ministritë e secilës qeveri të tashme e të shkuar kishin shumë strategji të palidhura me njëra-tjetrën dhe në mungesë të një strategjie shtetërore e kombëtare. Në njërën anë, ministritë e ndryshme prodhonin strategji edhe më të ndryshme, ndërkaq, në anën tjetër, ky mbiprodhim i strategjive nuk bëhej mbi bazën e një strategjie të përgjithshme e paraprake.
Pasi që iu ndahet buxheti vjetor, ministritë funksionojnë si qeveri më vete dhe secila harton e përpilon plane e programe, strategji e aktivitete autonome duke pamundësuar krijimin e strukturave të qëndrueshme ekzekutive në të cilat qeveritarët aktualë nuk janë as fillimi dhe as fundi.
Ministritë nuk burojnë nga qeveria por shumësia e ministrive shfaqet si orvatje ndërtuese e qeverisë; qeveria i ka ministritë por ministritë nuk kanë qeveri. Me fjalë të tjera, qeverisja është qeveri në tentative: ajo nuk e pason qeverinë por përpiqet t’i paraprijë asaj. Pra, njëfarë induksioni eksperimental më parë sesa deduksion logjik.
Së dyti, nuk ka institucione e mekanizma që zbatojnë strategjitë e veçanta dhe të shumta sepse socio-ekonomia e shtetit dhe e shoqërisë nuk është institucionale. Të gjitha qeveritë e pasluftës, nga e para deri te kjo e tanishmja, besojnë dhe e afirmojnë tregun e lirë si të vërtetën e ekonomisë, andaj realisht e praktikisht e kanë shporrur jashtë institucioneve ekonominë dhe zhvillimin ekonomik si temë e si çështje. Kësisoj, Qeveria është në funksion të garantimit të tregut të lirë si parim dhe në pritje të pasojave të tij si rezultat.
Nuk ka kuptim të shkruash asnjë strategji kur beson se duhet të respektosh veçse një princip. Strategjia nënkupton shtigje të caktuara e të përshtatshme të ecjes me orare e afate të paramenduara. Mirëpo, se kur dhe çka (nuk) ndodh varet nga tregu i lirë na thonë ekonomistët e qeverisë duke u shfajësuar për të gjitha të këqijat (që interpretohen si incidente a aksidente të përkohshme të tregut me ç’rast në rrafshin afatgjatë gjithçka do të rregullohet dhe bëhet mirë). Strategjitë janë aty për të qenë (një tick në regjistër) e jo për t’u bërë (realitet i ri i qytetarëve). Ato nuk jetojnë ndonëse banojnë (në desktop e nëpër sirtarë).
Së treti, strategjitë janë të dobëta dhe pa studime të posaçme e me shumë kopjime e imitime. Nuk trajtohet seriozisht gjendja në Kosovë, në tërësinë dhe hollësitë e saj, por vrapohet pas modeleve të gatshme të ndonjë shteti tjetër. P.sh. kjo është e dobishme sepse kështu na e paska Estonia kurse ajo është e volitshme sepse tashmë e ka provuar Sllovenia – i këtillë është narrativi argumentues e justifikues i qeveritarëve kosovarë. Qeveria e Kosovës numëron strategjitë që as nuk janë të tilla dhe as nuk janë të saj.
Pa diagnozë autoktone importohen terapi të gatshme të cilat në rastin më të mirë janë të paefektshme e jo rrallë edhe kundërproduktive. Historia mendohet vetëm si histori politike e ngjarjeve epike pa dimensionin e saj ‘të qetë’ në ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë etj. Nuk analizohen dinamikat konkrete në mënyrë shkencore por rrëfehen shembuj të llojllojshëm nga bota si në një doracak turistik. Sociologjia për të ardhmen si anti-antropologji për të kaluarën dhe të tashmen, në fakt, shndërrohet në inxhniering social.
Së katërti, ekspertët dhe profesionistët vendorë nëpër ministri e kryeministri janë dekurajuar e pasivizuar në mungesë të një vizioni zhvillimor ku do të vinte në shprehje dija dhe kreativiteti i tyre. Diskutimet pa vendimmarrje dhe (e sepse) vendimmarrjet pa diskutime, i kanë lodhur ekspertët e profesionistët kosovarë shumë më tepër duke i mërzitur e shtypur sesa duke punuar e duke i angazhuar. Ama nuk ka mundur të jetë ndryshe: i gjithë dialogu brendainstitucional në Kosovë nuk ka të bëjë me zhvillimin ekonomik vendor por me plotësim kriteresh e standardesh ndërkombëtare. Teknizimi i këtillë i qeverisjes është gjithsesi frustrues.
Nga ekspertët dhe profesionistët kërkohet ndjekje e saktë procedurash dhe disiplinë rigoroze në përshtatje në vend se kontribut në formulim të politikave dhe inovacion në zgjidhje të problemeve. Kur kësaj i shtohen konsulentët nga jashtë që paguhen shtrenjtë dhe i sipërvendosen vendorëve teksa nuk tregojnë as thellësi e vullnet, bëhet e qartë pse aq shumë ekspertë e profesionistë vendorë defiluan nëpër ministritë e qeverive të pasluftës për të ikur shpejt prej andej me shije të ithët apo duke u shkarkuar prej injorantësh cinikë.
Kosova evropiane? Në të vërtetë, jemi bërë për të na e qarë hallin dy kontinentet e tjera fqinje. Nëse e ardhmja e Kosovës është sikurse këto gjashtë vitet e pavarësisë dhe vazhdim i tyre, atëherë kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se Kosova nuk do të ketë të ardhme. Me partitë që ishin në qeverisje deri më tani do të fitojmë të njëjtat gjëra veçse më shumë, e që do të thotë se do të humbim edhe më shumë.


