Stavileci express tender për Agushin

Sot është përzgjedhur fituesi, e një ditë më pas është bërë organizimi. Kjo i ka ndodhur Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPZHR), e cila drejtohet nga Blerand Stavileci.
Zyra e prokurimit e kësaj ministrie, më 19 nëntor të këtij viti, e ka përzgjedhur kompaninë “Door to Door”, si fituese e tenderit për organizimin e evenimentit “Dita ndërkombëtare të gruas fermere”. Mirëpo, vetëm një ditë më vonë, kompania fituese ka arritur të organizojë aktivitetin për të cilin ministria e Stavilecit e ka paguar hiç më pak se 8 mijë e 400 euro.
Kompania në fjalë sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë është pronë e Meral Agushit, e cila zyrtarisht ka të punësuar vetëm dy punëtorë, ku si kapital themeltar nuk i figuron qoftë vetëm një cent.
Mirëpo, shpallja e fituesit dhe organizimi i menjëhershëm është në kundërshtim me rregullat e prokurimit në vend, pasi që pas shpalljes së fituesit, ministria do të duhet t’iu lërë kohë për ankesa të kompanive tjera që kanë qenë në garë, e që në këtë rast janë “Marketing Mix” dhe “Zhaki Advertising”.
Luan Maloku, i prezantuar si përfaqësues i kompanisë fituese nëpërmjet telefonit ka premtuar se do të gjejë kohë dhe do të japë informacione rreth organizimit në fjalë. Mirëpo, një gjë të tillë ai nuk e ka bërë për më shumë se 10 ditë. Madje së fundit nëpërmjet telefonit ai e ka sharë dhe ofenduar gazetaren e “Zërit” duke e sugjeruar këtë të fundit që mos t’i përmendë në gazetë emrin e kompanisë së tij pa dhënë lejen ai.
“Ti nuk mund të ma përmendësh mua emrin pa dashur unë. Kështu që ti provoje dhe pastaj e shohim ne. Unë po mundohem të sillem mirë me ty, por ti s’po merr vesh” ka thënë ai nëpërmjet telefonit.
MBPZHR: Kemi respektuar ligjin
Informata rreth tenderit në fjalë nuk kanë as kompanitë tjera që kanë qenë në garë. Madje ata nuk kanë pasur as mundësi që të ankohen diku rreth parregullsive të mundshme, pasi që organizimi është mbajtur vetëm një ditë pas shpalljes së fituesit. Zhermin Dërguti nga kompania “Zhaki Advertising”, ka bërë të ditur se kjo kompani ka ofertuar një çmim diku rreth 9 mijë euro.
“Ne kemi ofertuar në këtë tender me çmim diku rreth 9 mijë euro, mirëpo nuk jemi zgjedhur”. Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë po këmbëngulin se në këtë rast ata kanë respektuar të gjitha rregullat e prokurimit që aplikohen në vend.
Sipas tyre në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik ,njoftimi mbi dhënien e kontratës ku thotë se nëse autoriteti kontraktues ka dhënë një kontratë publike duke përdorur procedurat e hapura, të kufizuara ose të negociuara, ose procedurat e kuotimit të çmimeve, autoriteti i tillë kontraktues brenda dy (2) ditëve pas dhënies së kontratës së tillë, do të përgatisë njoftimin mbi dhënien e kontratës në gjuhët e cekura në nenin 13 të këtij ligji.
“Autoriteti Kontraktues ka ndjekur këtë procedurë dhe ka dërguar njoftimin në KRPP, siç përcaktohet me ligj dhe kontrata është nënshkruar pas dy ditësh, pasi i është dërguar KRPP-së. Por, vonesat që i bën KRPP-ja derisa i publikon njoftimet janë çështje e tyre. Përkundër kësaj, nuk është shkelje ligjore sipas nenit 47.13 të Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik edhe sikur kontrata të ishte nënshkruar brenda ditës së shpalljes së njoftimit, sepse me ligj as nuk ndalohet, as nuk precizohet periudha e pritjes për kontratat me vlerë të vogël – kuotim çmimi”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë Adil Behramaj.
Ndërkaq, sa i përket rregullave të prokurimit prej momentit kur shpallet fituesi e deri te nënshkrimi i kontratës sa kohe duhet te pritet për ankesa, Behramaj, ka thënë se sipas nenit 47.13. të Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik, periudha e pritjes nuk aplikohet për procedurat e kuotimit të çmimit.
“Dispozitat e neneve 41.44 – 41.48 të këtij Udhëzuesi Operativ aplikohen ngjashmërisht për dhënien e kontratës, nënshkrimin dhe shpërndarjen e kontratës së nënshkruar, përveç që periudha e pritjes nuk aplikohet për procedurën e kuotimit të çmimit dhe nuk obligohemi që të presim më gjatë”, ka thënë Behramaj./zeri/