Statusi evropian për veriun, Luginën dhe Sanxhakun

Definimi i veriut si një rajon evropian, do të ishte zgjidhja më e mirë për momentin që mund të arrihet në bisedimet Prishtinë – Beograd, thotë profesori nga Yale University, Ivo Banac. Njëherësh, ai beson se një zgjidhje e tillë do ta obligonte më pas edhe Serbinë që t’u ofronte statusin e njëjtë edhe Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut.
Duke folur për termin procesin e negociatave në Brukesl në mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Dacic, profesori Banac ka thënë se “termi, asociacion apo bashkësia e komunave serbe, të cilin për fat të keq e përdorë pala kosovare dhe e ka përdorur edhe kryeministri Thaçi, nuk është i drejtë. Nuk mund të ekzistojë njëfarë bashkësie e komunave serbe, ngase nuk ka kurrfarë komunash serbe në veri të Kosovës”.
“Eventualisht mund të jetë ajo, që me sa unë e di, qëndron në tekstin e marrëveshjes që baronesha Ashton e ka propozuar dhe është rajoni evropian në veri të Kosovës. Kjo mund të jetë zgjidhje dhe është një emër neutral. Nëse kjo është përmbajtja, atëherë nuk do të kishte dallime të mëdha nga disa situata të ngjashme të krahinave që ekzistojnë, si për shembull në Kroaci. Kështu edhe Istra është përcaktuar në kuadër të kartës evropiane për vetëqeverisje lokale. Mendoj se kjo do të ishte e përkryer dhe e pranueshme për Kosovën. Por, a do të jetë e pranueshme për Serbinë? Kam frikë se jo. Të paktën jo sipas disa deklaratave të përfaqësuesve serbë që i kam dëgjuar këto ditë. Për shembull, presidenti Nikolic ka thënë se kjo çon në zgjidhje përbrenda administrimit të Prishtinës, çka është e vërtetë. Por mendoj se nuk mund të pritet asgjë më e mirë. Dhe, kjo mendoj se është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë çështje nëse me të vërtetë nuk dëshirohet të arrihet deri te një zgjidhje e ngjashme me Republikën Serbe, e cila mendoj se nuk është qëllimi i Brukselit dhe sidomos nuk është qëllim i Kosovës”, ka thënë Banac për Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, një rajon i tillë do të mund të kishte një varg kompetencash, përfshi edhe disa që qëndrojnë në propozim marrëveshje ku mund t’i lejohen edhe kontakte të caktuara ndërkombëtare për çështje të caktuara, ta zëmë edhe tej kufitare.
“Por, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se do të krijohej një korpus i ndarë e që do të ishte në fakt një dorë e zgjatur e Serbisë siç ishte deri më tani dhe vazhdon të jetë edhe sot, ka thënë ai.
Funksionimi i rajonit evropian në veri të Kosovës, sipas Banac, do të duhej të ishte sipas legjislacionit të Kosovës. “Kjo është rruga e vetme dhe kur do të arrihej kjo, atëherë këtu do t’i kishim të gjitha zgjidhjet e parapara me kartën evropiane për rajonalizim. Për shembull, kur shkoni në Istri ju do të shihni se në ndërtesat e shërbimeve publike përdoret dy gjuhësia – kroatishtja dhe italishtja.
Atje valon flamuri italian, ka dygjuhësi, madje edhe jashtë shërbimeve publike, por natyrisht që nuk ka asnjë lidhje shtetërore me Italinë. Kjo do të ishte e pakuptimtë dhe nuk mund të pritet të ndodhë”, tha ai.
Ndërsa lidhur me opsionin e ndarjes të cilin e kishte lansuar kohë më parë kryeministri serb Ivica Dacic, Banac mendon se kjo do të kishte pasoja fatale për rajonin.
“Natyrisht që përderisa po flasim për çështjen e Kosovës nuk duhet të harrojmë që edhe Bosnja e Hercegovina paraqet një krizë absolute. Pikërisht tani atje po bisedohet për reformimin e federatës, për një kombinatorikë më të mirë për të ardhmen e Bosnjës dhe kjo nuk mund të shihet ndaras nga ajo që do të nënkuptonte, ta zëmë, ndarja e Kosovës”.
Sipas profesorit Banac, propozimi për një rajon evropian për veriun e Kosovës ka ndikime, jo për Bosnjën, por për Serbinë. “Mendoj se kur kjo të arrihej, pastaj pika tjetër e rendit të ditës do të ishte kërkesa për statusin e njëjtë edhe për Preshevën dhe eventualisht për popullatën e Sanxhakut”.
“Kështu që gjithmonë, kur u jepni dikujt, duhet t’u jepni edhe të tjerëve dhe se ky është një ligj që është bërë i paevitueshëm. Natyrisht që kur kemi parasysh që BE-ja, por edhe SHBA-ja nuk besojnë në forcimin e shteteve të fuqishme në këtë pjesë të botës, ndoshta një zgjidhje e tillë do të ishte e qëndrueshme, të paktën në këto rrethana”, tha ai. /Telegrafi/