Fundamenti

Stabilitet apo krizë pas-zgjedhore?

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala – Kjo do të jetë sprova më e madhe politike në vend, pas votimit të 6 tetorit: Si të krijohet një Qeveri me shumicë stabile në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Tri subjekte dhe dy koalicione parazgjedhore, me pesë kandidatë për Kryeministrin e katërt të Republikës së Kosovës, janë në garë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Të premtën e kaluar u kuptua që nuk do të ketë koalicion të madh (midis LDK-së dhe ‘Vetëvendosje-s’!), i cili objektivisht, do ta paragjykonte rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Çfarëdoqofshin zotimet e sotme politike për formulën për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, ato nuk kanë vlerë të madhe, apo, ato janë në varëshmëri të plotë nga rezultatet e votimeve të së dieles së parë të tetorit.

Me sistemin aktual zgjedhor që ka Kosova, me një Zonë të vetme dhe me Lista të hapura (dhe me pragun zgjedhor prej 5%), partneritetet paszgjedhore janë të pashmangshme, dhe ato mund të sjellin një Qeveri që do të ketë një shumicë të brishtë parlamentare (siç ishte zatën rasti me Qeverinë e Kryeministrit Haradinaj), apo një Qeveri më përkrahje të madhe (prej dy të tretave të deputetëve), e cila duket se është e domosdoshme në kërkim të përgjigjeve më të mira ndaj sprovave të mëdha politike që na presin.

Kësaj radhe, mbase si asnjëherë më parë, gara zgjedhore dhe vetë fushata për zgjedhjet e 6 tetorit, do të personifikohet në pesë politikanët e nominuar për postin e Kryeministrit të Kosovës. Këta të pestit do të jenë më së shumti në fokusin e mediave dhe të qytetarëve të vendit, edhe për shkak të veprimit të LDK-së që të dalë me një propozim të ri që mëton të mobilizojë votuesin e kësaj partie.

Një muaj të plotë para se qytetarët e Kosovës ta përdorin ‘letrën e tyre me vlerë’ (votën), në përzgjedhje të udhëheqësisë së re legjislative dhe ekzekutive të vendit, edhe pa pasë fort të dhëna sa i përket hulumtimeve të shumta që po bëhen këto ditë për popullaritetin e liderëve dhe të partive, mund të thuhet me siguri të plotë që zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë më interesantet që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës e këndej.

Uji Dea

Katër garues në këto zgjedhje pretendojnë që do të mund të fitojnë, ndërsa i pesti (koalicioni në mes të ‘Nismës për Socialdemokraci’ dhe AKR-së), ka ambicje që ta merr rolin vendimtarë në krijimin e shumicës parlamentare e cila do ta mundësonte krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Asnjëherë më parë nuk ka pasë kaq shumë pretendentë për tu ngjitur në pozitën e parë të një fituesi relativ të zgjedhjeve, i cili megjithatë, në vijim të interpretimit të njohur të Gjykatës Kushtetuese të verës së vitit 2014-të, nuk e ka të garantuar që do të jetë në ballë të Qeverisë së re të Kosovës.

Në anën tjetër, përvoja e tri palë zgjedhjeve (2010, 2014 dhe 2017), nuk është aspak e mirë sa i përket kohës që ka ndarë ditën e votimit nga dita e krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës. Në të katër rastet deri më tash (përfshirë pra edhe këtë të fundit, të Qeverisë në detyrë të Ramush Haradinajt), një krizë politike qeverisëse, është synuar të tejkalohet me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në tri raste, rezultati i zgjedhjeve imponoi krizë të re politike e cila bëri që koha e duhur për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe për ta krijuar Qeverinë e vendit, të jetë midis tre deri në gjashtë muaj. Poqëse diçka e tillë do të përsëritet edhe kësaj here, kjo do të thotë që Kosova do ta pres edhe Vitin e ri pa Qeveri të mirëfilltë.

Zatën, kjo duket që do të jetë sprova më e madhe politike në vend, pas votimit të 6 tetorit: Si të krijohet një Qeveri me shumicë stabile në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, që nuk do ta kalonte fundin e nëntorit apo fillimin e dhjetorit.

Në atë rast, me siguri që do të mund të konkludohej që zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë prodhuar një situatë të zakonshme politike, me një Qeveri dhe Kuvend funksional, të cilët natyrisht, që nga dita e parë e ekzistimit të tyre, do të përballen me dhjetëra telashe politike, të krijuara dhe të trashëguara nga zhvillimet shumëvjeçare në politikën kosovare.

Në të kundërtën, nëse do ta presim me muaj të tërë krijimin e institucioneve qendrore të Kosovës, kjo do të kishte pasoja të mëdha për stabilitetin e Kosovës.