Spektatorët e lojës së Thaçit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Tri partive opozitare (LDK, AAK dhe LVV) edhe minuta po iu duket e madhe për ta çuar Kosovën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me qëllim që ta realizojnë ëndrrën për ardhjen në pushtet. Nuk po mund ta shikojnë kryeministrin, Hashim Thaçi, duke bërë fushatë në “super nivel” e këta të rrinë si spektatorët, duke shikuar lojën nga distanca.

Ka disa muaj që po bëjnë plane, projekte e strategji për ta rrëzuar kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij nga pushteti, por nuk po dinë ta gjejnë fshehtësinë e “Enigmës së Ezopit”. Nganjëherë përpjekjet e tyre u ngjajnë skenave të romanit “Kështjella” të Ismail Kadaresë, kur pushtuesit turq bënin lloj-lloj plani për t’i detyruar shqiptarët ta dorëzonin kalanë e nuk arritën dot.

E para është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila doli me idenë që ta shpërbëjë Kuvendin në mënyrë që Kosova pas 45 ditësh të shkojë në zgjedhje të reja. Kjo ide edhe pse nuk është devalvuar, duket se nuk do të japë rezultat, sepse partitë tjera në opozitë nuk e kanë të njëjtit mendim.

Aleanca e Ramush Haradinajt dhe “Vetëvendosje” e Albin Kurtit po kërkojnë mocion mosbesimi për Qeverinë në Kuvend. Sipas këtyre dy partive, mocioni e dëshmon se qeveria po shpërbëhet sepse është e dështuar dhe e ka sjellë vendin buzë greminës. Prandaj ndëshkimi më i madh për këtë qeveri, sipas tyre, është rrëzimi. Këtë ide nuk po e përjashton edhe LDK e Isa Mustafës, por partia më e madhe duket se nuk po dëshiron të “shkelë në dërrasë të kalbur”.

LDK nuk dëshiron të rrezikojë me mocion të mosbesimit. Kjo sepse, nëse dështon mocioni, atëherë sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i ri nuk do të mundë të ngrihet para 90 ditësh. Ideja e “Vetëvendosjes” dhe AAK-së është sikurse loja me bastin, ose siç njihet në stilin e kaubojve amerikanë “loja e ruletit”, nëse fiton, është në rregull, në të kundërtën, është fatal.
Prandaj në këtë rast, mocioni ose garanton zgjedhje të menjëhershme, ose i shtynë zgjedhjet në vjeshtën e vonë, kur edhe garanton Kushtetuta.

Para se të shkohet, eventualisht në ngritjen e mocionit, opozita duhet t’i bëjë disa kalkulime aritmetikore, nëse i ka kokrrat për ta rrëzuar qeverinë apo jo. Aktualisht çështja është paksa e dyshimtë, sepse shumë deputetë kanë “migruar” nga një parti në tjetër. Klandestinizmi i ligjvënësve e bën edhe më të paqartë rrëzimin e qeverisë.

Edhe pse koalicioni qeverisës (PDK-KKR dhe SLS) ka kohë që rri “galuc” sepse nuk e ka fuqinë të qëndrojnë në këmbë, prapa opozita e ka shumë të vështirë ta rrëzojë qeverinë nëpërmjet mocionit.

KKVITI

Tri partitë e opozitës mund të bazohen vetëm në votat e deputetëve të tyre, madje edhe aty ka dikush që i tradhton, sikurse që ka ndodhur disa herë gjatë nomenklaturave të kaluara. Ndërsa te grupet tjera parlamentare ose ata pa grup, nuk mund t’i mbajnë shpresat, sepse fundi i fundit, çka ka rëndësi për Emilija Rexhepin e komunitetit boshnjak ose Etem Arifin nga Partia e Ashkalive, se kush është kryeministër, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj ose Isa Mustafa.

Këta i mora shembuj, sepse të tillë janë disa në Kuvendin e Kosovës, të cilët i luten Zotit që zgjedhjet të shtyhen për vitin 2015, sepse nuk e kanë të garantuar nëse bëhen më deputetë dhe se çdo pagë e radhës, është e mirëseardhur.

Duke i marrë parasysh këto kalkulime, kryeministri Hashim Thaçi po rri shumë komod në qeverisje. Madje ai duket më i relaksuar se kurrë gjatë ditëve të fundit.

Si “shtegtar” po e gjurmon çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës dhe po viziton çdo han e hangar. Ai po premton zhvillim ekonomik, po jep subvencione për bujqësi, po fal borxhe e po ngre paga, dhe është dukshëm në ofensivë karshi liderëve të tjerë.

E nëse këtu vlen ligji i fizikës se – shpejtësia e trupave në terren matet me trupa ekzistues, atëherë Hashim Thaçi është lideri dukshëm më i spikatur se sa të tjerët.

Prandaj e vetmja mundësi për shkuarjen në zgjedhjet e reja është marrëveshja me Thaçin. Ndryshe, zgjedhjet mbahen në vjeshtë, dhe për ta “zënë ëndrrën” duhet racionalizim dhe punë…