Sot përfundon maratona “Medicus”

Gjykata Themelore e Prishtinës do të marrë një vendim për të akuzuarit në rastin “Medicus”. Në një seancë e cila është paraparë të mbahet sot pasdite, mjekët dhe ish –zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë do të marrin vesh se çka do të ndodh me ata. Kjo pasi për të akuzuarit, trupi gjykues do të nxjerr aktvendimin.
“Sot në orën 14:00 është paraparë të mbahet seanca”, thënë Blerim Krasniqi, zëdhënësi i misionit të EULEX.
Për këtë rast janë ngritur dy aktakuza.
Të akuzuarit në aktakuzën e parë janë Lutfi Dervishi urolog, Driton Jilta kirurg, Ilir Rrecaj mjek dhe ish sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Sokol Hajdini specialist anesteziolog, Sylejman Dulla anesteziolog, Islam Bytyqi po ashtu anesteziolog dhe Arban Dervishi, i biri i mjekut Lutfi Dervishi.
Aktakuza e dytë ndërkaq e cila është ngritur më 10 qershor të vitit 2011 i ngarkon dy shtetas të huaj Yusuf Ercin Sonmez, shtetas turk, dhe Moshe Harel, shtetas izraelit. Ndonëse të akuzuar, që të dy gjenden jashtë vendit ndërsa për ta është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Yusuf Ercin Sonmez, shtetas turk dhe Moshe Harel, shtetas izraelit janë të pandehurit në këtë aktakuzë e cila është ngritur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Akuzat kundër Yusuf Ercin Sonmez përfshijnë trafikimin me njerëz, krimin e organizuar dhe ushtrimin e paligjshëm të veprimtarisë mjekësore. Moshe Harel është akuzuar për trafikim të personave dhe krim të organizuar. Veprat penale janë kryer në vitin 2008 në Klinikën “Medicus” në Prishtinë, ku janë përfshirë viktima nga vende të ndryshme.
Klinika, e cila u mbyll në vitin 2008 si pjesë e hetimit fillestar dhe sipas aktpadisë, 30 transplante të paligjshme veshkash janë bërë në klinikë.
Donatorët dyshohet se janë joshur për të ardhur në Kosovë me premtime të rreme se do t’u jepeshin deri në 15000 euro për veshkat. Të pandehurit e huaj, doktori turk, Yusuf Somnez, dhe Moshe Harel, një qytetar izraelit, po gjykohen në mungesë. Sipas aktpadisë, Sonmez u është nënshtruar disa procedurave penale në shtete të tjera, përfshirë Turqinë, për trafikim qeniesh njerëzore dhe marrje të paligjshme organesh.
Megjithëse akuza ndaj tyre u ndryshua në mars të këtij viti. Grupit të mjekëve kosovarë të dyshuar për trafikim organesh njerëzore nga e premtja i janë rënduar akuzat.
Prokurori i Rastit Medicus, Jonathan Ratel, para trupit gjykues në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën e së premtes, prezantoi aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurve, duke e zgjeruar atë në disa pika. Përveç mjekut Driton Jilta që i janë hequr akuzat për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz, ndërsa i kanë mbetur ushtrimi i paligjshëm i aktivitetit mjekësor dhe shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.
Gjashtë të akuzuarve tjerë u janë zgjeruar akuzat. Sipas aktakuzës së ndryshuar për lëndim të rëndë trupor akuzohen mjeku-urolog Lutfi Dervishi, mjekët-anesteziologë Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, së bashku me ekonomistin Arban Dervishin.
Lutfi e Arban Dervishi, babë e bir, akuzohen edhe për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, derisa për falsifikim të dokumentit zyrtar është akuzuar Ilir Rrecaj ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit.
Akuzat tjera kanë mbetur të pandryshuara. Për trafikim me njerëz në bashkëkryerje dhe krim të organizuar akuzohen Lutfi e Arban Dervishi dhe Sokol Hajdini. Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, të gjithë mjekë, akuzohen edhe për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor në bashkëkryerje, derisa për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve ngarkohen Ilir Rrecaj dhe Driton Jilta.